E diel, 16.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Qëllimi është gjigant, e që mund t’i dorëzojë Pekinit lidershipin thelbësor të progresit: të bëhet shembulli shkencor dhe ekonomik i rritjes ekonomike që njëkohësisht mbron edhe jetën.
Revolucioni ekologjik i Pekinit


Investime rekord, metropole me impakt zero. Ndotësi më i madh i planetit është gati për t’u bërë “motori i gjelbër” i shekullit. Transformimi i madh do të bëhet publik në mes të dhjetorit. Gjithsesi në sfond po shihet një përplasje epokale me SHBA-në

Kina është gati për t’u bërë “motori i gjelbër” i shekullit. Viti 2011 do të ngelet në historinë e botës si viti kur fuqia e re globale ka zgjedhur rrugën për të mbrojtur ambientin. Ndotësi më i madh i planetit, kombi me më shumë helme dhe ai që konsumon më shumë energji, do të ndërmarrë kthesën e gjelbër, atë që një vend i industrializuar nuk ka tentuar ta bëjë kurrë deri më tani.

Qëllimi është gjigant, e që mund t’i dorëzojë Pekinit lidershipin thelbësor të progresit: të bëhet shembulli shkencor dhe ekonomik i rritjes ekonomike që njëkohësisht mbron edhe jetën. Data e anonçimit të transformimit të madh kinez, e destinuar të tronditë sistemet prodhuese dhe energjetike botërore, është fiksuar për në mes të dhjetorit.

Atë ditë qeveria do të tregojë planin e saj pesëvjeçar për mbrojtjen e ambientit, ndërsa Kina e 30 viteve të fundit, e bazuar në shfrytëzimin pa kriter të burimeve natyrale, më në fund do të arkivohet në ndonjë cep të kujtesës. Masat e kthesës së madhe, që mendohet se do të kalojnë edhe angazhimet ndërkombëtare të dhjetëvjeçarit të fundit, mbeten të mbuluara nga sekreti. Burime të Ministrisë së Mbrojtjes së Ambientit tregojnë disa prej iniciativave më të rëndësishme që do të merren, e që do të prezantohen në fund të nëntorit në Durban, gjatë konferencës së OKB-së për ndryshimet klimatike.

Pekini, që tashmë e ka bërë publik planin e tij për librin e bardhë mbi klimën, do të anonçojë edhe shumën rekord prej mijëra miliarda eurosh për të përmirësuar eficensën energjetike brenda vitit 2015. Centralet elektrike me karbon, që mbulojnë 80 për qind të nevojave kombëtare, në dy dekadat e ardhshme do të dalin përgjithmonë në pension. Për më tepër shumë “bonuse” ndjellëse edhe për ndërmarrjet: sa më pak të ndotin ambientin, aq më shumë përfitime do të kenë. Ristrukturimi energjetik korrespondon edhe me një revolucion në fushën e ndërtimit. Urbanizimi masiv më i madh në histori prodhon sot në Kinë dy miliardë metra katrorë në vit ndërtime të reja. Më shumë se 95 për qind e pallateve harxhojnë një sasi shumë të madhe energjie.

Duke investuar 500 miliardë euro, Pekini synon të transformojë në mënyrë radikale këtë sektor, duke e përqendruar vëmendjen në kërkimet në fushën e kursimit energjetik dhe ruajtjes së ambientit. Revolucioni i gjelbër që do të nisë në industri, në energjetikë dhe ndërtim, do të ndihmohet nga fondet financiare të paprecedenta për rikuperimin e ambientit të shkatërruar dhe për krijimin e sistemit më të madh në botë të transportit me impakt zero. Kina ka ndërmend të anonçojë se do të investojë mijëra miliarda të tjera brenda pesë vjetëve për krijimin e metropoleve aziatike të brezit të ri: mjete publike me impakt zero, pallate dhe rrugë të ideuara si centrale termike e që ushqehen nga burime të rinovueshme dhe natyrale.

Edhe pa nënshkruar konventa ndërkombëtare, autoritetet kineze kanë konfirmuar angazhimin e tyre për të reduktuar emetimet e karbonit me 40-50% brenda vitit 2020. Investime kolosale do të rezervohen për gjallërimin e pyjeve dhe kujdesin e zonës më të prekur nga ndryshimet klimatike: Himalajën. Brenda dhjetë vjetëve, për të ngadalësuar shpyllëzimin, do të mbillen rreth 40 milionë hektarë pyje dhe në rrafshnaltën e Tibetit dhe Qinghait do të vendoset rezerva më e madhe natyrale e Azisë. Misioni do të jetë ai i shpëtimit të lumenjve më të rëndësishëm të kontinentit, duke evituar që shkrirja e akujve të çojë në rritjen e nivelit të oqeanit Paqësor që mund të shkaktojë përmbytjen e 80 mijë kilometrave katrorë të brigjeve lindore të kombit.

Një garë e dëshpëruar kundër kohës. Arritja e rekordit botëror të rritjes dhe pasurisë e ka transformuar Kinën në një bombë ekologjike. Cilësia e ajrit, sipas OBSH-së, është në shifra të rrezikshme për shëndetin. Lumenj dhe liqene janë tashmë thuajse të vdekur, për shkak të toksinave të derdhura në to. Rajone të tëra janë kthyer në kontejnerë mbeturinash të rrezikshme. Një situatë shumë dramatike që e shtyu Presidentin Hu Jintao që t’i drejtonte një apel komunitetit ndërkombëtar: “Kina do t’i japë prioritet absolut ekonomisë së ‘gjelbër’ dhe për këtë është e vendosur të tërheqë investitorët e huaj.

Industria e re kineze e ambientit do të prodhojë 350 miliardë euro brenda 2015-s, duke përfaqësuar mundësinë më të rëndësishme për përfitim të të gjitha shoqërive shumëkombëshe në botë”. Më parë se 28 nëntori do të inaugurohet në Pekin, qendra për bashkëpunim dhe kërkimin strategjik mbi ndryshimet klimatike.

Shumë mund të mendojnë se do të jetë si një nga ato qendrat e zakonshme që nuk bëjnë asgjë vetëm çojnë dëm paratë e investuara. Por kësaj radhe nuk është kështu. Për herë të parë do të angazhohen shkencëtarët më të mirë në botë, kërkues dhe analistë ekonomikë me një qëllim të vetëm: të shndërrojnë emergjencën për ambientin në shtysën definitive për ristrukturimin e ekonomisë kineze dhe në biznesin më të madh të shekullit.

Zëvendëskryeministri Li Keqiang, përpara biznesmenëve më të rëndësishëm në rang botëror, u shpreh: “Zgjedhja jonë ka përfunduar: duhet t’i besojmë inovacionit, kërkimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës. Do të shkurtojmë me të gjitha mënyrat dhe mundësitë agjentët që ndotin ambientin, duke shfrytëzuar njëkohësisht edhe burimet që na çojnë te rritja ekonomike”.

Gjithsesi, për të bërë një nismë të tillë kaq gjigante do të duhet punë e madhe dhe kështu besohet se do të jenë edhe pasojat. Funksionarët kinezë llogaritin se brenda një kohe të shkurtër vendi do të humbasë thuajse 1 milion vende pune. Por në këmbim do të kursejë 150 miliardë euro para për energjinë, ndërsa energjia e gjelbër do të hapë rreth 11 milionë vende të reja pune në dy vjet. “Pas pesë vjetësh dhe pas problemeve të shumta që do të hasim në fillim, në fund ekonomia e gjelbër do të jetë një nga sektorët më fitimprurës dhe më me peshë në ekonominë e vendit”.

Kina është tashmë prodhuesi i parë në botë i paneleve diellore dhe i pajisjeve të tjera për energjinë e rinovueshme. Në vitin 2009, vendi investoi rreth 35 miliardë euro për energjinë e pastër, kundrejt 51 të tillëve që investoi SHBA-ja. Por në vitin 2010 ndodhi edhe kalimi: 58 miliardë kundrejt 49. Brenda vitit 2050, nga energjia e erës mund të prodhohet rreth 17 për qind e energjisë së gjithë vendit dhe mund të krijohen 750 mijë vende pune të reja shtesë. Pra në horizont po hartohet përplasja epokale me SHBA-në për kontrollin e industrisë dhe tregtisë në të ardhmen.

Nga ana tjetër, Uashingtoni e akuzon Pekinin se po e pushton botën me panele diellore dhe materiale të tjera me çmime shumë të ulëta (deri në 250 për qind) falë subvencionimeve nga shteti. Ndërkaq Kina përgjigjet se qëllimi i saj është vetëm shpëtim i planetit nga katastrofa ekologjike dhe se të tjerat nuk kanë rëndësi. Shumë nga prapaskenat e kësaj sipërmarrjeje gjigante nga ana e Kinës mbeten sekrete, por ajo që është e sigurt lidhet me faktin se në dhjetor ajo do të nisë.

Jo vetëm sepse natyra dhe ekonomia nuk kanë alternativa. Por mbi të gjitha sepse popullsia kineze nuk pranon që të jetojë më në një ambient super të ndotur dhe jashtëzakonisht të dëmshëm për shëndetin. Rreth 80 për qind e banorëve e konsiderojnë veten të pakënaqur nga cilësia e ambientit dhe vënë nën akuzë sipërmarrësit dhe funksionarët e partisë. Pekini i ka drejtuar sytë nga revolucioni ekologjik për të ndryshuar sistemin ekonomik dhe mbi të gjitha për të ndërtuar natyrën që vetë e ka shkatërruar.

Publikuar: 25.11.2011 | 22:41
Lexuar: 2073 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime