E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Së bashku me bazën “Amundsen-Scott” (SHBA), në polin e jugut, edhe “Concordia” është një prej dy bazave aktive në kontinent. Më 8 nëntor të këtij viti u mbyll edhe izolimi i 14 pjesëmarrësve të misionit dimëror që kishte nisur në muajin shkurt të 2011-s.
Misioni Antarktidë








Është zemra e planetit, motori i klimës dhe jetës së Tokës. Së fundi ka nisur ekspedita e radhës për të kryer studime të reja shkencore

Është larg nga gjithçka dhe të gjithë. Është një kontinent agregat në hemisferën e poshtme të hartës së botës, aq i errët sa është gati i palexueshëm, i shpuar nga një aks polar që del në polin e veriut. Nëse pyesni shkencëtarët, do t’ju shpjegojnë se Antarktida është zemra e ngrirë e planetit, motori i klimës dhe jetës së Tokës. Kjo është edhe arsyeja që prej pak ditësh ka nisur një mision i ri në Antarktidë, që këtë vit do t’i bashkohet festimeve ndërkombëtare për njëqind vjetorin e fillimit të eksplorimeve në polin e veriut.

Eksplorimet e para në polin e jugut datojnë pikërisht më 14 dhjetor të vitit 1911, ndërkohë që Roald Amundsen ishte njeriu i parë që udhëhoqi një ekspeditë të suksesshme drejt polit të jugut. Duke qenë se ishte në garë me kapitenin Robert Falcon Scott, Amundsen e kaloi Scott dhe shokët e tij në atë që më pas u quajt konkurrencë e vërtetë. Norvegjezi arriti në polin e jugut një muaj më herët sesa Scott.

Fjala i duhet dhënë shkencës

Pas përfundimit të sfidave për të ngritur flamurin në pikën më ekstreme jugore të planetit, kontinenti Antarktidë u shpall një territor i shenjtë për shkencën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Traktati i Antarktidës dhe marrëveshjet e lidhura me të, të quajtura bashkërisht Sistemi i Traktatit të Antarktidës ose STA, rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare në raport me Antarktidën, të vetmin kontinent të tokës të papopulluar nga njerëzit. Traktati i Antarktidës hyri në fuqi në 23 qershor vitin 1961 dhe linte mënjanë çdo mosmarrëveshje territoriale, sidomos ato të Anglisë, Francës, Argjentinës, Kilit, Norvegjisë, Zelandës së Re dhe Australisë.

Traktati është marrëveshja e parë ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas marrëveshjes, çdo gjë që shtrihet përtej paralelit të 60º të hemisferës jugore, përfshi këtu edhe Antarktidën, është një territor që nuk mund ta sundojë asnjë shtet. Kjo është dhe do të mbetet një zonë teatër e bashkëpunimeve shkencore. Sot këtë marrëveshje e kanë firmosur 48 shtete, që përfaqësojnë vullnetin e 80 për qind të popullsisë së botës.

Ky traktat e shpall Antarktidën si rezervat shkencor, ligjëron lirinë e kërkimeve shkencore dhe shpall të jashtëligjshme veprimtaritë ushtarake në këtë kontinent. Traktati përbën marrëveshjen e parë të kontrollit të armëve të arritur gjatë Luftës së Ftohtë.

Selia e Sekretariatit të Traktatit të Antarktidës gjendet në Buenos Aires të Argjentinës, që nga shtatori i vitit 2004. Të 12 vendet kishin interesa thelbësore në Antarktidë asokohe dhe ishin Argjentina, Australia, Belgjika, Kili, Franca, Japonia, Zelanda e re, Norvegjia, Afrika e Jugut, Bashkimi Sovjetik, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata kishin vendosur rreth 50 stacione të ndryshme për Vitin Ndërkombëtar Gjeofizik. Traktati ishte një shprehje diplomatike e bashkëpunimit operacional dhe shkencor që ishte arritur “në akull”.

Kështu, nëse në vitin 1911 eksploruesit që shkonin deri në zemër të kontinentit, ishin disa dhjetëra, sot është llogaritur se çdo vit Antarktida vizitohet nga mijëra persona, mes tyre shkencëtarë, teknikë dhe ushtarë. Me hapjen e bazës antarktike, që u çel më 2 nëntor të këtij viti, nisi edhe misioni i ri i Programit Kombëtar të Kërkimeve në Antarktidë. Në këtë ekspeditë kanë marrë pjesë studiues të instituteve dhe universiteteve të ndryshme të botës, së bashku me personelin teknik dhe logjistik. Gjithsej numërohen 190 persona që do të merren me projektet shkencore të biodiversitetit, me zhvillimin dhe përshtatjen e organizmave antarktikë, ndotjen natyrore dhe vullkanologjinë.

Qëllimi i këtij misioni të ri në Antarktidë është depërtimi në zemër të Antarktidës falë një baze franceze të vendosur në një pikë të hapur dhe të panjohur në monotoninë e pandotur të pllajës kontinentale, vetëm 1600 kilometra nga poli i jugut. Baza është ngulur si një platformë mbi një masë të madhe akulli që shpesh këtu është më shumë se tre mijë metra.

Lartësia e saj (3233 metra), ajri i thatë dhe erërat e forta e bëjnë një vend të shkretë, por për shkak të largësisë nga çdo lloj shqetësimi me origjinë njerëzore, është një vend i përshtatshëm për të studiuar atmosferën dhe për të bërë vrojtime të hapësirës. Nga këto anë dhe lartësi qielli duket më afër dhe është më i hollë. Projektet e studiuesve janë përqendruar te ndryshimi i klimës, monitorimi i atmosferës dhe jonosferës, por edhe te eksperimentimi i mjeteve të reja për matjet astronomike dhe gjeologjike.

Së bashku me bazën “Amundsen-Scott” (SHBA), në polin e jugut, edhe “Concordia” është një prej dy bazave aktive në kontinent. Më 8 nëntor të këtij viti u mbyll edhe izolimi i 14 pjesëmarrësve të misionit dimëror që kishte nisur në muajin shkurt të 2011-s. Studiuesve dhe teknikëve u është dashur të durojnë netët antarktike dhe temperatura deri në -80ºC.

Në përfundim të misionit shkencor veror (6 shkurt 2012), anija do të largohet nga baza, ndërkohë që turnin do ta marrin disa kolegë të tjerë, të cilëve do t’u duhet kalojnë në izolim të plotë 9 muajt e ardhshëm. Kjo është një provë shumë e rëndësishme për Misionin Hapësinor Europian, që aktualisht po përgatitet për disa fluturime në hapësirë. Gjatë lundrimit, 23 studiuesit kryen disa matje oqeanografike dhe përgatitën kampionë uji për studimin e mikroorganizmave dhe viruseve.

Jo shumë para

Kjo ekspeditë ka në dispozicion një buxhet prej 18 milionë eurosh. Ata që kanë marrë përsipër këtë iniciativë thonë se një shifër e tillë mbulon vetëm një pjesë të shpenzimeve të studimit polar antarktik. “Financimi aktual lejon mbijetesën e programit, por jo kryerjen e atyre studimeve që kanë si qëllim shkencëtarët.

Në një farë mënyre, kjo sipërmarrje është e mjaftueshme për të mbajtur në korrent bazat e punës, por nuk mund të klasifikohet te punët e mëdha shkencore”, - thotë njëri prej studiuesve. Shkencëtarët kanë dhënë një ndihmesë të madhe në projektet e rëndësishme të kërkimit, siç është “Epica” (shpimi i 3270 metrave akull, gjë që bëri të mundur rindërtimin e 800 mijë vjetëve të historisë klimatike të Tokës), ose “Boomerang” (lëshimi i një topi aerostatik për studimin e universit që në zanafillë).

E keqja është se paqëndrueshmëria financiare e kohëve të fundit po kërcënon programin e ri shkencor. “Planifikimi financiar është shumë i rëndësishëm, ndërkohë që ai strategjik duhet të mbulojë një periudhë prej të paktën pesë vjetësh”, -shton studiuesi. Pra, kjo është edhe strategjia ku shkencëtarët duhet të mbështeten në të ardhmen. Duhen mbledhur të gjitha forcat për të mos humbur atë kredit që është fituar në 30 vitet e eksperiencës antarktike.

Nën kupolën e akullit ka ende qindra liqene misterioze të fshehura. Ato gjenden në thellësinë e tre mijë metrave nën akull. Këto liqene kanë mbetur të izoluar për mijëra vjet dhe brenda tyre mund ketë forma jete të panjohura. Po ashtu, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe malet e mëdha enigmatike prej akulli, ose më saktë e ashtuquajtura “Provinca e Gamburstev”, një vargmal krejtësisht i zhytur nën kupolën e akullit, që së fundmi është fotografuar me teknikat e gjeomagnetizmit, gravimetrit dhe radiometrisë.

Në sipërfaqe, studimet polare lejojnë që të kuptohet më mirë atmosfera e Tokës, hapësira, meteorët, vrima e ozonit, klima e së kaluarës dhe ajo e së ardhmes. Për studiuesit nuk ka alternativë tjetër: duhet të jenë medoemos në Antarktidë. “Është një prej motorëve klimatikë më të rëndësishëm të planetit tonë dhe këtu duhet të fillojë studimi për të kuptuar të ardhmen klimatike të Tokës”, - përfundon studiuesi.

Publikuar: 12.12.2011 | 15:03
Lexuar: 2197 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime