E mërkurë, 19.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Disa truke “shkencore” për t’i rezistuar tundimeve të ëmbla dhe për të mos shtuar në peshë gjatë festës.
Kilet e tepërta të Vitit të Ri








Doni ndonjë këshillë për të shmangur shtimin në peshë pas festave? E para vjen nga një revistë shkencore e cila titullohet “Appetite”. Praktikisht, kur ndjeni dëshirën e madhe për të shijuar një çokollatë ose një copë të madhe torte, përpiquni ta zëvendësoni imazhin e ëmbëlsirës në fjalë me diçka tjetër po kaq të këndshme, por që të mos ketë fare lidhje me ushqimin, për shembull me plazhin e një deti ekzotik, duke sjellë kështu në mendje ngrohtësinë dhe zhurmën e dallgëve. E rëndësishme është që pamja të jetë vërtetë e gjallë në mendjen tuaj, në mënyrë që të mposhtni dëshirën e ushqimit aq shumë të dëshiruar.

Distanca

Sugjerimi i dytë vjen nga “Psychology and Health”. Disa studiues të universitetit “Utrecht” (Vendet e ulëta), duke u nisur nga bindja se për të nxitur konsumin e ushqimeve të shëndetshme, siç janë frutat dhe zarzavatet, duhet t’i përdorim shumë shpesh, kanë provuar të verifikojnë të kundërtën me ushqimet “e ndaluara”. Ata bënë një eksperiment me 80 djem e vajza të reja. Nga eksperimenti u vu re se edhe një hapësirë e vogël prej 50 centimetrash bënte diferencën. Në fakt, për të parë uljen e konsumit të ëmbëlsirave mjaftonte që ta largoje çokollatën (nga 20 cm në një distancë 70 cm) nga personi që e shihte. Mesa duket, sforcoja që duhej për të arritur çokollatën bënte diferencën midis atij që dëshironte vërtetë ta shijonte dhe tjetri që mund të bënte edhe pa të. Nuk do mend që rezultatet do të kishin qenë më të mira nëse ëmbëlsirat nuk do t’i kishim para syve.

Një sugjerim tjetër vjen sërish nga revista “Appetite”: një shëtitje e shkurtër 15 minutëshe me hap normal mund t’ju ndihmojë të mbani nën frerë dëshirën për të ngrënë një çokollatë. “Sigurisht që këto strategji mund t’ju ndihmojnë, por është e rëndësishme që secili prej nesh të dijë se sa të dëmshme janë ëmbëlsirat për shëndetin tonë. Megjithatë, edhe teknikat e përmendura më lart ndihmojnë në frenimin e nepsit. Është logjike që çdo gjë funksionon më mirë me personat që kanë fuqi të mira vizuale të imagjinatës. Ndërsa për sa i përket lëvizjes, kujtojmë se ushtrimet fizike, në përgjithësi, ndikojnë në përmirësimin e humorit: mënyra më e thjeshtë për të rritur aktivitetin fizik është edhe marrja e autobusit për të ndaluar dy stacione më tutje. Kjo gjë jo vetëm që ju bën mirë për momentin, por mund të shndërrohet në një ves të mirë dhe t’ju ndihmojnë për më tej”, - thotë një profesoreshë e psikologjisë klinike.

Rregulla shtesë

Gjatë festave të fundvitit, drekat dhe darkat me stil janë vërtetë të pashmangshme. Pijet dhe ëmbëlsirat janë pjesë e atmosferës së festës dhe është vërtetë mëkat të heqësh dorë prej tyre. E keqja është se pasojat në formën tonë fizike mund të jenë fatale. Në fakt, një vakt mund të numërojë më shumë se 4000 kalori, prej të cilave 300 kalori vijnë vetëm nga sallamet e ndryshëm dhe 835 kalori nga frutat e thata. Është e kotë që të rrini mënjanë dhe të shihni që të gjithë festojnë për një vit të mbarë. Për të mos e tepruar, ndiqni disa parime që limitojnë dëmet (nuk duhet të shqetësoni për një kile, sepse në fund të fundit, mund të jetë një dhuratë e padëshiruar e periudhës së Vitit të Ri!). Lëvizni sa më shumë: aktiviteti fizik ul nivelin e kolesterolit “të keq” dhe yndyrat në gjak. Gjëja më e mirë do të ishte të shkoni në palestër dy ose tri herë në javë, duke u përqendruar më shumë te vrapimi në pistë. Ai/ajo që nuk ka mundësi, mund të shëtisë në këmbë të paktën 30 minuta në ditë dhe të ngjitet me shkallë në shtëpi. Ajo që duhet të bëni është të lëvizni sa më shumë të jetë e mundur. Gjithashtu, përpiquni të mbani dietë gjatë ditëve që nuk ka festë. Për të kompensuar ushqimet që do të konsumoni gjatë festave, ju nevojitet një dietë me 900 kalori në ditë. Ideale do të kishte qenë ta fillonit përpara festave, por nuk do të ishte keq të mbanit pak regjim edhe gjatë ditëve të gëzueshme, sepse do t’ju vlejë.

Duke qenë se ushqimet e dietës janë frutat dhe zarzavatet, mund t’i përdorni ato pa kursim gjatë Vitit të Ri dhe pas për t’u pastruar nga mbetjet e alkoolit dhe ëmbëlsirave. Kështu, në një ditë mund të normalizoni situatën e shkaktuar nga ditët e kaluara dhe më pas të mbani një regjim dietik. Të hiqni dorë nga gjërat e mira që ju ofron jeta dhe tavolina, është vërtetë mëkat. Nëse do të ndiqni këto rregulla gjatë ditëve të Vitit të Ri, do të ndiheni më mirë dhe do të rrëzoni kilet e tepërta.

Publikuar: 30.12.2011 | 10:37
Lexuar: 1093 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime