E hënë, 10.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Gjatë përurimit të tre librave të dr. Jakup Krasniqit, në Bibilotekën Kombëtare, kryekuvendari Krasniqi, u nderua edhe me mirënjohje nga Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës, me ç’rast ai u shpall “Personalitet i vitit 2011″. Mirënjohja iu dha nga kryetari i KREK-ut, Avdullah Hasani.
Promovohen 3 libra të kryetarit të Kuvendit Dr. Jakup Krasniqi






Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka promovuar tre libra:”Pranvera e Lirisë ’81″, “Flijimi për Lirinë” dhe “Guxo ta duash Lirinë”. Qëllimi i promovimit të këtyre librave ishte për të kujtuar një ngjarje historike që ka ndodhur para 20 vjetësh, 30 dhjetori i vitit 1991 që vlerësohet se është një përvjetor i madh, sepse ka prodhuar histori. Nuk është një ngjarje që ka ndodhur para 20 vjetësh, por është një ngjarje historike që gjatë gjithë këtyre viteve ka prodhuar histori, prodhon histori të lavdishme, për vendin tonë dhe kombin tonë.

Gjatë përurimit të tre librave të dr. Jakup Krasniqit, në Bibilotekën Kombëtare, kryekuvendari Krasniqi, u nderua edhe me mirënjohje nga Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës, me ç’rast ai u shpall “Personalitet i vitit 2011″. Mirënjohja iu dha nga kryetari i KREK-ut, Avdullah Hasani.

Gjatë promovimit, për secilin vëllim fjalë rasti mbajtën zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi, deputeti Hydajet Hyseni-Kaloshi, si dhe prof.dr. Agim Zogaj.

Ibrahim Gashi në fjalën e tij për librin “Pranvera e Lirisë ‘81″ tha se vëllimi i librave duhet konsideruar si një përpjekje serioze dhe një kontribut i vlerësuar në këtë kuadër.

“Libri “Pranvera e Lirisë ‘81″ që për objekt trajtimi ka ngjarjet nga një periudhë sa e lavdishme aq edhe e vështirë nëpër të cilën kaloi populli shqiptar në ish-Jugosllavi, është një analizë e ngjarjeve, shikuar nga kontesti i rëndësisë politike. Libri është i organizuar mirë brenda një tryeze përmbajtësore të ndarë në tre pjesë”, tha Gashi. Ai shtoi se rëndësia e këtij libri qëndron në radhë të parë në faktin se autori pothuaj ndër të parët në mënyrë të guximshme, por edhe kompetente, trajton zhvillimet kyçe politike që i paraprijnë krijimit të idesë për shtetin e pavarur të Kosovës, me pikënisje të qartë lëvizjen e demonstratave të vitit 1981, për të kaluar në fazën vendimtare të jetësimit të kësaj ideje, përmes një lufte të armatosur çlirimtare”, theksoi Gashi.

Për librin “Flijimi për Lirinë”, deputeti Hydajet Hyseni-Kaloshi, theksoi se dr. Jakup Krasniqi ka dëshmuar se di edhe ta bëjë historinë, edhe ta shkruaj atë, dhe të dyja i bënë me përkushtim, vetëmohim dhe ndershmëri. “I duhet Kosovës dhe gjithë kombit profili i veprimtarit dhe intelektualit të modelit të Jakup Krasniqit. Është evidente, librin “Flijimi i Lirisë”, Jakup Krasniqi e ka shkruar sa me mendje e fakte të pakontestueshme, aq edhe me shpirt e me zemër. Qasja e autori të librit, Jakup Krasniqi, është edhe qasje e një historiani produktiv, por edhe e një veprimtari politik e kombëtar veçanërisht aktiv, të devotshëm dhe të dëshmuar. Fenomenit të Adem Jasharit dhe Jasharajve si tërësi ai u referohet jo si një akt dhe fakt të veçuar e të izoluar, por si fenomen sintetizues e sublimues të heroizmit vijues të popullit tonë të martirizuar dhe Lëvizjes së tij çlirimtare, si një çelës për të kuptuarit dhe të shpjeguarit e proceseve të deritashme politike e historike dhe si një retrovizor e rregullator politik, shoqëror e moral për proceset vijuese politike, shoqërore e kombëtare” theksoi ndër të tjera Hyseni.

Ndërkaq, prof. dr. Agim Zogaj, në fjalën e tij për librin “Guxo ta duash Lirinë”,, tha se opusi i botimit në shqip me literaturë nga fusha e publicistikës historike, nga sot u pasurua edhe me librin “Guxo ta duash lirinë” i autorit dr. Jakup Krasniqi, i cili në rolin e historianit , publicistit, vazhdon t’i sjell publikut tonë botime të reja në interes.

“Libri ” Guxo ta duash lirinë” paraqet një qasje, një ballafaqim stilistikisht më ndryshe, në rrafshin e publicistikës politike shqiptare. Ky libër i ndarë në tre pjesë është i ndërtuar nga vështrime , trajtesa në të cilën ndriçohen ngjarje, zhvillime, personalitete të krenarisë shqiptare, me në krye me legjendarin Adem Jasharin’ theksoi Zogaj.

Gjatë fjalës së tij, kryekuvendari Krasniqi, duke falënderuar pjesëmarrësit tha se nuk dëshiron të flasë për veprat e tij, meqë, shtoi ai, u thanë më shumë se sa përmbajnë ato.

“Ju falënderoj përzemërsisht për kohën që keni ndarë dhe meqë jemi në fund të vitit 2011, ju uroj Vitin e Ri 2012, që në fakt është edhe 100 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe festë e flamurit kombëtar, duke ju dëshiruar gjithë kombit mirëqenie dhe begati”, tha kryekuvendari Krasniqi gjatë promovimit të tre librave të tij.


Publikuar: 03.01.2012 | 13:38
Lexuar: 1507 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime