E shtunë, 17.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Më shumë se gjysma e mbidozave përfshin ilaçe që duan recetë nga mjeku. Tre të katërtat e këtyre vdekjeve përfshijnë ato që quhen qetësues opioid të dhimbjeve. Këtu përfshihen ilaçe si methadone; morphine; hydrocodone, që njihet gjithashtu si Vicodin; dhe oxycodone, apo OxyContin. Niveli i vdekjeve nga ilaçet me recetë ishte më i lartë mes grupmoshës 45 deri në 54 vjeç.
SHBA: Epidemi abuzimesh me ilaçet me recetë






Zyrtarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), thonë se abuzimet vdekjeprurëse me ilaçet për dhimbjet dhe të tjera medikamenteve që jepen me recetë ka arritur nivelet e një epidemie. Më shumë se 32 mijë vetë gjetën vdekjen nga mbidoza e këtyre ilaçeve në vitin 2008, shifrat e fundit të bëra zyrtare. Kjo është pothuajse e njëjtë me numrin e vdekjeve nga aksidentet automobilistike.

Më shumë se gjysma e mbidozave përfshin ilaçe që duan recetë nga mjeku. Tre të katërtat e këtyre vdekjeve përfshijnë ato që quhen qetësues opioid të dhimbjeve. Këtu përfshihen ilaçe si methadone; morphine; hydrocodone, që njihet gjithashtu si Vicodin; dhe oxycodone, apo OxyContin. Niveli i vdekjeve nga ilaçet me recetë ishte më i lartë mes grupmoshës 45 deri në 54 vjeç.

Një raport i fundit i qeverisë thotë se vdekjet nga ilaçet qetësuese u trefishuan gjatë dekadës së kaluar. Ato ua kalojnë vdekjeve nga përdorimi i heroinës dhe kokainës së bashku. Administrata Obama publikoi një plan vitin e kaluar në përpjekje për të zgjidhur problemin.

Disa abuzues kërkojnë ndihmë në vende si qendra për rehabilitim në Malibu të Los Angelosit. Ata mësojnë Joga dhe mënyra të tjera për të përballuar ankthin, stresin dhe dhimbjen. Instruktorja e Jogas Shannon Scott abuzonte vetë dikur me Vicodin dhe Xanax.

"Vicodina ishte një stimulant për mua. Kështu që e përdorja këtë ilaç edhe thjesht për energji. Por përvec tij më duhej pastaj Xanaxi për të më qetësuar dhe relaksuar."

Joan Borsten drejton qendrën. Ajo thotë se është vështirë të heqësh dorë pasi ilaçet të ndryshojnë balancën kimike të trupit.

"Në rastin e qetësuesve, trupi ndalon prodhimin e mbrojtësve të natyrshëm të dhimbjes, kështu që përdoruesit duhet të marrin gjithnjë e më shumë ilaçe, saqë në fund nuk u bëjnë më efekt."

Në mbarë vendin, gjykata të veçanta për drogën punojnë me përdoruesit për t’i futur në rehalibitim dhe trajtim. Mary Ann Gunn është gjykatëse në pension që është marrë me këto çështje.

"Për shembull, në 1999-ën, problem i madh ishte methamphetamina. Ishte si një kancer që po përpinte mbarë vendin. Ne punuam dhe vazhdojmë të punojmë për ta zgjidhur këtë problem. Gjatë viteve kemi parë gjithnjë e më shumë njerëz që tërhiqen nga ilacet me recetë."

James Adams është farmakologjist në Universitetin Southern California në Los Angeles. Ai thotë se miliona njerëz jetojnë me dhimbje që mund të shkaktohen nga artriti, mbipesha dhe thjesht mosha.

"Është një problem vërtet i vështirë për një mjek që ka një pacient me dhimbje kronike, dhe këta pacientë e dinë çfarë duan. Në se mjeku nuk ua jep ilaçin, ata shkojnë tek një tjetër."

Ai thotë se shumë pacientë mund të jenë në gjendje të menaxhojnë dhimbjet e tyre në se humbasin peshë, stërviten dhe bëjnë terapi fizike. Zgjidhja tjetër: Kalifornia dhe shumë shtete të tjera kanë regjistra. Ata u thonë mjekëve dhe farmacistëve cilat ilaçe janë të rrezikshme dhe vazhdojnë të përdoren nga pacientët e tyre.

Publikuar: 13.01.2012 | 11:45
Lexuar: 1809 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime