E shtunë, 15.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

IMK ka gjetur rrugë alternative për financimin e projekteve restauruese. "Janë 24 milion euro të dhëna nga BE, PNUD, ambasada të ndryshme apo dhe organizma të tjera, të cilat do të jenë në funksion të projekteve të këtij viti", është shprehur Baçe.
100 vjetori i Pavarësisë, rivitalizohen monumentet e kulturës








Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me një projekt të BE-së si dhe të PNUD-it dhe TIKA-s, po realizon restaurimin e disa monumenteve, që pritet të përfundojnë gjatë këtij viti.

Në një prononcim për mediat, drejtori i këtij institucioni, Apollon Baçe, është shprehur se në Shqipëri ka ende koncepte primitive që shteti duhet të mbulojë gjithçka.

IMK ka gjetur rrugë alternative për financimin e projekteve restauruese. "Janë 24 milion euro të dhëna nga BE, PNUD, ambasada të ndryshme apo dhe organizma të tjera, të cilat do të jenë në funksion të projekteve të këtij viti", është shprehur Baçe.

BE ka akorduar 5 milionë Euro, një pjesë e të cilave do të shkojnë për rrugën Veneciane në Shkodër, që pritet të përfundojë për dy muaj. Më pas do të vijojnë projektet në rrugën Egnatia dhe në bazilikën e Elbasanit, e cila do të bëhet e vizitueshme.

Me fondet e siguruara nga PNUD, një nga kullat e kalasë do të kthehet në muze arkeologjik. "Është një gjë e mirë, pasi më vjen keq që qyteti i Elbasanit nuk ka pasur një muze të tillë dhe mendoj se kjo do të jetë një nga pikat më interesante, ndërsa do të ketë dhe të tjera projekte për rrugën Egnatia, ku në kala do të rindërtojmë kullat, të cilat do të jenë simboli i rrugës", tha Baçe.

Një projekt tjetër është ai për pazarin e Korçës, i cili pritet të përfundojë nga mesi i vitit. Në proces rivitalizimi është dhe muzeu i Durrësit, ku ka filluar dhe rikonstruksioni, i cili pritet të përfundojë në muajin qershor. Rivitalizimi i këtij muzeu do të financohet nga MTKRS, me fonde që do të shkojnë deri në 1 milionë Euro.

"Ne pretendojmë të bëhet një nga muzetë më të mirë Ballkanikë, dhe së bashku me muzeun e Apollonisë, për të cilin është punuar në kohë rekord nga specialistët tanë, mendoj se do të jenë dy pika të rëndësishme për turizmin", është shprehur Baçe.

Përveç financimeve nga BE dhe PNUD, Instituti i Monumenteve të Kulturës, falë një financimi nga Agjencia turke TIKA, me vlerë 8-9 milionë dollarë, do të mundësojë restaurimin e disa xhamive në Elbasan, Prezë, etj.

Një tjetër projekt i IMK gjatë këtij viti jubilar për shtetin shqiptar, është edhe dixhitalizimi i monumenteve të kulturës. Sipas Baçes, janë gati 2 mijë monumente, të cilat do të përfshihen në më shumë se 5 mijë faqe në web.

Edhe pse financimet e huaja ndihmojnë në shumë projekte të rëndësishme restauruese, sipas Apollon Baçes, problem mbetet ende mirëmbajtja e këtyre monumenteve. "Ne sot fatkeqësisht nuk kemi një strukturë që t'i përgjigjet kësaj. Ne mendojmë se kjo do të rregullohet së shpejti dhe do të jenë specialistët që do të përgjigjen për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës', shprehet Baçe.

Rikonstruksioni i monumenteve të kulturës dhe çelja e disa muzeve të reja është shpallur nga MTKRS edhe si një ndër objektivat kryesore të këtij viti

Publikuar: 20.01.2012 | 19:07
Lexuar: 4193 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime