E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ky është një moment i mirë për t’u ndalur dhe për t’i kushtuar vëmendje punës së shumë gazetarëve kurajozë, të guximshëm, të betuar për profesionin e tyre të shenjtë dhe mbi të gjitha, tepër profesionalë. Sigurisht që përkufizimi i të qenët gazetar sot ka ndryshuar edhe në varësi të ndryshimit të mjeteve informative dhe platformave të reja të komunikimit, pot ka ende disa njerëz, puna gazetareske e të cilëve nuk është thjesht e admirueshme, por tepër e domosdoshme.
Kur një gazetar vritet, i gjithë njerëzimi humbet pak nga drita e syrit


Edhe dy gazetarë të tjerë sapo janë vrarë në Siri. Ata dhanë jetën për një arsye shumë të thjeshtë: t’i jepnin botës informacion. Lajmin. Të gjenin të vërtetën e asaj që po ndodh në Siri, në mënyrë që ne, nga qetësia dhe paqja e shtëpive dhe zyrat tona të kuptojmë më mirë një situatë shumë të vështirë dhe kaotike, edhe pse mijëra kilometra larg.

Ky është një moment i mirë për t’u ndalur dhe për t’i kushtuar vëmendje punës së shumë gazetarëve kurajozë, të guximshëm, të betuar për profesionin e tyre të shenjtë dhe mbi të gjitha, tepër profesionalë. Sigurisht që përkufizimi i të qenët gazetar sot ka ndryshuar edhe në varësi të ndryshimit të mjeteve informative dhe platformave të reja të komunikimit, pot ka ende disa njerëz, puna gazetareske e të cilëve nuk është thjesht e admirueshme, por tepër e domosdoshme.

Marie Colvin, 55 vjeçe, një nga viktimat e Sirisë, e kishte humbur njërin sy në një konflikt në Sri Lanka. Por pavarësisht kësaj humbjeje të madhe, ajo vazhdoi që të punonte në profesionin e saj të rrezikshëm, deri në minutën e fundit të jetës së saj. Vetëm pak orë para se të vritej, Colvin foli me një gazetar të famshëm të ‘CNN’, Anderson Cooper, në një transmetim në këtë rrjet televiziv. Cooper e pyeti në lidhje me vendimin e saj për të vazhduar të qëndronte në qytetin e rrethuar të Homsit, ndërkohë që një pjesë e madhe e gazetarëve kishin ikur nga frika e humbjes së jetës. Ajo e dinte që jeta e saj ishte në rrezik. Në shënimin e fundit që la për miqtë e saj në “Facebook” shkruante: ”Lajmet për mbijetesën time më duken të ekzagjeruara...”

Si edhe gazetarë të tjerë që janë vrarë në detyrë, në linjën e luftës, Colvin së bashku me Remi Ochlik, fotografi shumë i talentuar 28-vjeçar nga Franca, donin që bota të njihej, të informohej për kasaphanën që po ndodh në Siri, në këtë cep të botës. Ata i përkisnin dhe i besonin kredos gazetareske se, gjithçka që ndodh në botë meriton vëmendje. Ne të gjithë jemi qytetarë të botës. Kur një diktator masakron popullin e tij, ne nuk mund, nuk duhet që të mbyllim sytë. Është e vërtetë që kur gazetarët vdesin, ata tërheqin më shumë vëmendjen e publikut se sa kur janë të gjallë, madje më shumë se sa mijëra të tjerë që humbasin jetën në të njëjtin konflikt. Por për këtë ka një arsye shumë të mirë. Gazetarët janë të domosdoshëm, jetikë për funksionin e moralit të civilizimit tonë. Kur një gazetar vritet, është sikur në atë moment të gjithë ne të kemi humbur pak nga drita e syrit. Ata janë të vetmit që na tregojnë se çfarë rruge është duke marrë historia, në mënyrë që më pas ne të vendosim nëse mund të bëjmë diçka për ta çuar atë në një tjetër drejtim, në drejtimin e duhur. Ne të gjithë kemi humbur si njerëzim pas vdekjes së një tjetër gazetari të shquar dhe të guximshëm, Anthony Shadid, i cili vdiq në Siri disa ditë më parë. Kemi humbur, sepse prej tij nuk do të na vijnë më informacionet dhe reportazhet e mrekullueshme për ngjarjet në Lindjen e Mesme. Të kuptuarit tonë për botën dhe atësia e mundësia për të bërë zgjedhje në lidhje me situatën në këtë rajon kaq problematik është ulur ndjeshëm nga mungesa e tij. Pas 25 vitesh me “Sunday Time”, Colvin, amerikane, nuk u lodh kurrë nga sfidat e mëdha të detyrës së saj. Ajo e ndjente thellë atë dhe përfshihej nga ankthi për atë që po ndodhte aktualisht në Siri e më saktësisht në Homs. Vetëm disa orë para se të vritej, ajo i tha gazetarit të ‘CNN’ dhe gjithë publikut botëror që e ndiqte se, kishte futur në strehëzën e saj edhe disa njerëz që mbanin në duar një foshnje të vogël të sapovrarë. Ajo tha se njerëzit po iknin të tmerruar dhe se nuk e kuptonte se pse nuk po i ndalonte njeri këto vrasje që po ndodhnin çdo moment në Homs.

Kur gazetarët vriten, shpesh është gjithmonë një parathënie ogurzezë se pas kësaj do të ndodhin edhe gjëra të tjera më të kobshme dhe se shoqëria është edhe më në rrezik se më parë. Kur gangsterët e drogës nisën që të vrisnin gazetarët në Meksikë dhe në Kolumbi, ne e dinim se pas kësaj, pas ikjes së këtyre “syve të botës”, do të vriteshin edhe mijëra njerëz të tjerë të pafajshëm në këtë kasaphanë të padrejtë dhe të shurdhët. Kur gazetarët nisën që të vdisnin nga shkaqe misterioze në Rusi, kjo ishte një parathënie se demokracia në këtë vend po tkurrej me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe po shndërrohej në një turp. Ndoshta vdekja e Marie Colvin dhe Remi Ochlik do të nxjerrë sërish në vëmendje fushatën e madhe që po bëhet në botë për të denigruar dhe diskredituar punën e gazetarëve. Ndoshta gjaku i tyre do të na ndihmojë që ta shohim për atë që është politikën e ndjekur nga disa liderë, të cilët i përdorin gazetarët si shënjestra të inatit të tyre kur duan që të heqin vëmendjen nga ngjarjet e turpshme që ndodhin faqe të gjithëve.

Sulmi kundër gazetarëve nuk është diçka e re. Dramaturgu i famshëm grek, Sofokliu paralajmëronte hapur dhe ishte kundër vrasjes së “lajmëtarit”. Ai e dinte fare mirë se ajo bota e tij antike kishte shumë nevojë për një paralajmërim të tillë, për shkak se objektivi, pra lajmëtari, gazetari, është gjithmonë shumë joshës për pushtetarët. Gazetarët, shpesh sjellin në vëmendje të të gjithëve lajme që pikërisht pushtetarët nuk do të donin që të bëheshin publike apo të mësoheshin nga masat e gjera dhe mbi të gjitha, gazetarët ngrenë pyetje, pyetje të cilave njerëzit e fuqishëm nuk dinë dhe nuk duan t’u përgjigjen. Kur njerëzit e fuqishëm godasin gazetarët e përgjegjshëm, seriozë e profesionalë, ata tradhtojnë keqas veten, sepse përmes këtij veprimi ata nënkuptojnë qartazi se kanë gjëra për të fshehur. Në këtë moment dhimbjeje, atyre politikanëve që duan të ngjiten në pushtet duke shkelur mbi reputacionin dhe shpesh, edhe jetën e gazetarëve profesionistë u themi: kujdes! Ndërsa asaj pjese të publikut që ndonjëherë i denigron gazetarët dhe i nënvleftëson, do t’u thoshim: mendojeni edhe njëherë. Për të qenë të sinqertë, ka edhe nga ata gazetarë që janë sjellë në mënyrë jo profesionale, shpesh edhe të padrejtë e ndonjëherë edhe kriminale. Këta kanë njollosur emrin, veprën dhe trashëgiminë e gazetarëve të tjerë. Por le të sjellim pikërisht në këtë ditë në vëmendjen e të gjithëve ata qindra reporterë, fotoreporterë e kameramanë që kanë rrezikuar dhe rrezikojnë jetën e tyre çdo orë të ditës, sepse e konsiderojnë të shenjtë informimin, të vërtetën. Sepse duan që të na thonë ne gjithçka që shohin me sy, prekin me dorë, ndiejnë me zemër. Duan të na thonë se ajo që po ndodh në cepin e botës ku ata ndodhen nuk është e rrezikshme vetëm për atë vend apo rajon, por për të gjithë njerëzimin. Sepse kur një pjesë e botës vuan, pjesa tjetër nuk është e mundur që të hiqet se është mirë. Le të kujtojmë qindra gazetarët, fotoreporterët, kameramanët, producentët që kanë vdekur, janë vrarë, janë zhdukur, janë gjymtuar në shkëmbimet e zjarrit, në aksidente, në emergjencat shëndetësore. Kanë vdekur, edhe pse mund të kishin një jetë të shëndetshme dhe të qetë në metropolet e botës. Por pavarësisht kësaj mundësie, zgjodhën që të punonin me rrezikun në cepat më të dhunshëm dhe më të përgjakshëm të botës. Në fakt, ata zgjodhën që të merrnin rrezikun mbi vete, por në emër të jetës, jo të vdekjes. Ata nuk zgjodhën që të vdisnin.

Ne duhet që të ndiejmë mirënjohje të thellë për këta “sy” që shohin në emrin tonë në vendet më të errëta të planetit, për të na thënë se nëse në një cep të tij mungon liria, herët a vonë ky kërcënim do të bëhet real për të gjithë, edhe ata që jetojnë në një paqe të rreme e të brishtë. Duhet t’i falënderojmë!

Publikuar: 27.02.2012 | 11:50
Lexuar: 1969 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime