E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

I takon tek Starbucks apo në ndonjë festë. Dhe nuk të duken si milionerë. Flasin për punën, Zynga, që po bëhet autonome nga Facebook; të dobësisë së Facebook për arsye se janë të shumta ata që tani lidhen përmes iPhone, i cili megjithatë nuk e ka në anë banerin e reklamave.
Të gjithë njerëzit e FACEBOOK-ut








I takon tek Starbucks apo në ndonjë festë. Dhe nuk të duken si milionerë. Flasin për punën, Zynga, që po bëhet autonome nga Facebook; të dobësisë së Facebook për arsye se janë të shumta ata që tani lidhen përmes iPhone, i cili megjithatë nuk e ka në anë banerin e reklamave.

Enrico DEAGLIO

Vijnë çdo mbrëmje me furgonë-limuzinë të mëdhenj me xhama të errët, supermjete që nuk bëjnë fare zhurmë e që rrëshqasin si balenë, që i transportojnë nga Silicon Valley në qytet. Janë magjistarët e rinj të internetit, rriten çdo ditë në numër; mes tyre, një mijë të rinj, pas pak kohësh do të kenë secili një milion e gjysmë dollarë në xhepa. Janë grupi drejtues i Facebook, rrjeti social i themeluar nga katër të rinj në vitin 2004 për të shkëmbyer lajme mes disa ish-studentë universitarë, dhe që sot ushqehet nga 845 milionë vetë. Facebook do të kuotohet zyrtarisht në bursën e New Yorkut pas disa javësh; vlera e tij vlerësohet mes 80 dhe 100 miliardë dollarësh, që do ta bëjë një prej kompanive më të mëdha të planetit. Kush punon aty prej disa vitesh ka patur, veç pagës, edhe të ashtuquajturat aksione që tani mund t'i bëjë të vlejnë. I takon tek Starbucks apo në ndonjë festë. Dhe nuk të duken si milionerë. Flasin për punën, Zynga, që po bëhet autonome nga Facebook; të dobësisë së Facebook për arsye se janë të shumta ata që tani lidhen përmes iPhone, i cili megjithatë nuk e ka në anë banerin e reklamave. Zuckerberg që ka mbetur një inovator, Sheryl Sandberg që konsiderohet "monetizuesja', prodhuesja e parave. Richard Straver ka ardhur nga Holanda, ka themeluar kompaninë e tij, Tinypay, dhe është i lumtur që ka gjetur një apartament 20 metra katrorë për 2500 dollarë qera në muaj në Noe Valley. Ka edhe një tarracë ku mund të pijë duhan. (Rezultati i parë i bumit të ri është tronditja e tregut të shtëpive në San Francisco).
Brent punon me memorizimin e njohjes së zërit për Oracle dhe më prezanton Karim, që ka prodhuar diçka thelbësore për Facebook: një komandë të thjeshtë për të vendosur një rreth mbi një fytyrë në një fotografi në grup. Pihet verë italiane, nuk ka asnjë interes për elegancën, asnjëri nuk ka një bukuroshe që e ndjek pas, të gjithë janë të lumtur sepse bëjnë atë që u pëlqen në një qytet të mrekullueshëm. Dhe dinë gjithashtu që me një gazetar mund të flitet për gjithçka, por jo për kompaninë. Këtu, sekreti i kompanisë është një obsesion. (Pastaj, për Facebook është një moment shumë delikat: nuk duan as t'u vizitosh zyrat e tyre të reja). Po ta shohësh nga afër, kjo "klasë e re" që qeveris botën (kush, nëse jo ata?) është e këndshme, puritane, demokratike, aspak arrogante, aspak lakmitare, fatkeqësisht ende e dominuar nga meshkujt në 90 për qind të saj. Është më e kthjellët se sa brezi i mëparshëm, ata të dot.com që në fillimin e shekullit të ri u dyndën në bursë me gjithfarëlloj kompanish të pamundura elektronike dhe pastaj, brenda dy muajve, përfunduan në trotuar (ata dhe të gjithë ne që kishim blerë aksionet e tyre).
Facebook është gjetja e fundit e kapitalizmit amerikan. Kapitalizmin, dihet, mundesh ose ta duash, ose ta urresh; në këtë rast nuk mund të mos mbetesh i magjepsur nga kapaciteti i inovacionit, shpejtësia e zhvillimit, shkatërrimi i vazhdueshëm i rendit të mëparshëm. Gjithçka është një lodër, e ndjeshme për mahnitjen që shkakton dhe lirinë që premton, një lloj dhome lojërash në familje, fëmijërore, lumturisht fëmijërore.
Dy janë fjalët që dëgjohen më shumë nga këto anë. E para është që Silicon Valley (dhe i gjithë gjiri i San Franciscos) po përjeton Rilindjen e vet teknologjike, e krahasueshme me atë që u përjetua nga Firence gjashtëqind vjet më parë. Ashtu si atje lindi individi, ideali i bukurisë, melankolia, po ashtu këtu vendoset fundi i televizionit, i mënyrave të reja për të dëgjuar muzikë, për të parë filma, për të shkëmbyer mallra dhe para, për të definuar demokracinë. Ndodh këtu për shkak të bashkimit të disa kushteve mjedisore të caktuara: një ndjesi e "fundit të botës" për faktin që ndodhen në fundin e një kontinenti, me një tërmet tek porta dhe floririn që del nga nëntoka, një lloj të mësuari me lirinë që bëri të lindin fillimisht ritmi dhe poezia, më pas lëvizja e lirisë së shprehjes e studentit të Berkeley Mario Savio, pastaj hipitë, zen-i dhe Lsd, me të cilët u formua Steve Jobs dhe lëvizja e homoseksualëve si forcë politike. Dhe investitorë të gatshëm të financojnë aventura nga më të çmendurat. Fjala e dytë është "platformë". Gjithçka që ne shohim sot e ka gurin e vet të themelit në iPhone e Steve Jobs, ai objekt pak më shumë i madh se një paketë cigaresh ku është e përqendruar e gjithë dija e njerëzimit; ajo pajisje që e bën reale shprehjen Historia jemi ne. Koloneli Gedafi që del nga një tunel dhe pyet: "Çfarë ndodh? Ka diçka që nuk shkon?" dhe pastaj lançohet në transmetim direkt. iPhone është shembulli më i tmerrshëm i mundësive të botës së re' dhe shkëmbijet e dije që përfshijnë qindra milionë njerëz në platformën e Facebook janë e mira kolektive më e rëndësishme që ekziston sot në planet: më shumë se feja, më shumë se nafta, më shumë se uji. Kush zotëron këtë pasuri, po luan me pushtetin. Mund të ndihmojë miliona vetë që të zhvillojnë frymën e tyre, ose mund t'ua vjedhë (ja përse indianët e urrenin fotografinë), t'ua manipulojë dhe rishesë. Facebook është në këtë udhëkryq. Për këtë arsye vlen shumë.
Pasi ka lënë zyrat historike në Palo Alto, Facebook do të sistemohet (1300 punonjës) në ish-zyrat e Sun Microsystem në Menlo Park, në kufirin jugor të San Franciscos. Kopsht fëmijësh, palestër, mensë për çdo nevojë, pranohen qentë, mbledhje në natyrë, shëtitje me biçikletë. Të bashkuar matematicienë, fizikanë, programues, disenjatorë, ekspertë kaligrafie, kriptografie, antropologë. Outsourcing për marrëdhëniet publike, marketing, një zyrë e madhe ligjore, menaxhimi kolosal fizik i teknologjisë (miliona disqe në hangarë shumë të mëdhenj në Finlandë, të mbajtur në një ambient me temperaturë të ulët me çmimin e një konsumi energjie që të rrëqeth mishtë). Paguhen me një dollar në orë ata të varfrit që në ndonjë qoshe të botës pastrojnë Facebookun nga fotografitë pornografike.
Ja pra njerëzit e mrekullisë. Në vendin e komandës, Mark Zuckerberg, themeluesi, 27 vjeç: është padroni, me pak më shumë se 30 për qind të aksioneve dhe 57 për qind të së drejtës së votës. Vegjetarian (përveç kafshëve që i vret ai vetë: aragosta, pula, një dhi e madje një derr). Ja shpallja e tij, me të cilën i kërkon para Wall Street: "Facebook dëshiron të ndryshojë mënyrën me të cilën populli i mban marrëdhëniet me qeverinë dhe me institucionet. Ne duam të ndërtojmë një dialog të ndershëm dhe transparent që të sjellë një pushtet të drejtpërdrejtë të popullit, një përgjegjësi më të madhe të të zgjedhurve dhe zgjidhje më të mira për problemet e mëdhenj të kohës sonë. Përmes nesh, populli do të mund të bëjë të dëgjohet zëri i tij, siç nuk ka ndodhur asnjëherë në histori. Përmes kontrollit të tij, do të shfaqen udhëheqës të rinj". Në Wall Street kanë pyetur: Po ky djalosh, kush kujton se është? Moisiu? Lenini? Steve Jobs? John Lennon? Por në fund do ta kuotojnë. Pak muaj para zgjedhjeve presidenciale, Facebook mund të ketë një forcë të konsiderueshme.
Numri dy (shumë më pak mesianike) është Sheryl Sandberg, ërgejgjëse ekonomike, 43 vjeç, e martuar me dy fëmijë. Pas pak do të jetë gruaja e dytë më e pasur e Amerikës, pas Oprah Winfrey. Kur Zuckerberg e mori në punë (Sheryl është diplomuar në Harvard, ka punuar në presidencën Clinton, pastaj në Bankën Botërore e më pas tek Google) Facebook nuk kishte para. Sot ka të ardhura më shumë se 3.7 miliardë dollarë dhe fitime nga reklamat prej një miliardë dollarë. Sandberg i ka dhënë vlerë thesarit të Facebook: gratë. Janë 62% e përdoruesve, më aktivet, më të përkushtuarat. Dhe janë ato që blejnë. Sandberg është një feministe e re, favorizon gratë në kompani; është e jashtëzakonshme në nxjerrjen e më të mirës nga konkurrenca (Google vajton ende largimin e saj). E ardhmja e saj, e parashikuar nga shumëkush: do të bëhet politikane e madhe, ndoshta një presidente e mundshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një prej fajeve të saj më të mëdha? Për të lancuar Secret, deodorantin për "vajzat që nuk duan të kenë frikë", Sheryl Sandberg ka bindur Procter & Gamble që të zgjedhë Facebook.
Pastaj është Peter Thiel, gjerman nga Frankfurti, një prej financuesve të parë të Facebook, 45 vjeç. Ka 2.5 miliardë dollarë aksione. Aktivist gay, shumë konservator, nuk e do shumë demokracinë dhe financon kandidatin republikan Ron Paul. Mes dhjetëra kompanive që ka financuar më e rëndësishmja është PayPal, një sistem revolucionar i pagesave në internet që përdoret nga 240 milionë vetë. Është gati të financojë me njëqind mijë dollarë studentët që duan të lënë universitetin (institucion i kotë) për t'u bërë sipërmarrës. Sean Parker, një tjetër prej ortakëve themelues të Facebook ka lindur në San Francisco. Ishte njëri prej hacker-ave më të famshëm, njeriu që krijoi Napster, bisha e zezë e shtëpive diskografike. Sot është 32 vjeç, ka një sjellje prej dandy, ka blerë një shtëpi 20 milionë dollarë në Manhattan, të fshehur një motor Lamborghini brenda në Audin e tij anonim, por ka themeluar edhe Causes, platformë që i dedikohet kauzave të drejta politike në botë: rrëzimi i diktatorëve, mbështetja e të dobëtëve dhe drejtësia sociale, dhënia e një dore rebelëve. Ka 2.5 miliardë dollarë aksione tek Facebook.
Gjithë kjo shoqëri e hareshme, që ka marrë vendin e qëndrimit në San Francisco (e përjavshmja "Bay Guardian" ka vlerësuar se do të mjaftonin taksat mbi kapitalin të tetë njerëzve të parë të artë të Facebook për të paguar pagat e tetëdhjetë mijë mësuesve të kontesë, e shkatërruar financiarisht), përfaqëson një të ardhme të papritur të botës. Një fqinji im, Walker Taylor, tridhjetë vjeç, ka ardhur nga Karolina e Veriut pak më shumë se një vit më parë. Facebook i kish premtuar që do ta merrte në punë, por e refuzoi, pasi e konsideron një kompani shumë të madhe. Dhe është bërë menaxher operacionesh i Twitvid (shkëmbim videosh) pikërisht për shkak të shijes së sfidës. Pak ditë më parë mori në punë katër të rinj: një francez, një kolumbian, një rus dhe një ukrainas. Për t'i binudr, iu desh t'u thotë atyre se cila është sfida. Twit-Vid, sot me 22 punonjës, po përgatitet që të zëvendësojë YouTube, shumë anonime dhe e përhapur. E ardhmja është në videot personale, në lirinë e zgjedhjes.
"Deri tani", më thotë, "pesë mijë vetë në të gjithë botën kanë vendosur atë që duhet të shohim në televizion. Që sot e gjithë kjo ka marrë fund, çdonjëri mund të ndërtojë televizionin e tij; misioni ynë është të ndryshojmë paradigmën mediatike të botës. I gjithë gjiri po shpërthen nga hapja e vendeve të punës, e gjithë bota po vjen këtu".
Kompanitë e reja lindin çdo orë. Ose zmadhohen: Zynga, platforma e lojërave; Twitter, që po i afrohet me shpejtësi Facebookut (500 milionë përdorues); Square, që ka krijuar një tabletë që e vendos në iPhone dhe të lexon kartat e kreditit dhe ashtu, edhe në mes të rrugës, shndërrohesh në një dyqan, me një regjistrues kase; mijëra aplikacione që financohen dhe patentohen çdo muaj nga të rinj tetëmbëdhjetë vjeçarë, në një dhomë hoteli. Të gjithë këto do të bëjnë të rrëzohen diktatorë, do të zgjedhë presidentë, apo do të shërbejë vetëm për të shitur deodorantë? Do të jetë Vëllai i Madh i radhës, skedimi më i madh policesk i planetit? Sinqerisht, askush nuk e di. Por sigurisht, e parë prej këtu, është gara e radhës drejt floririt. Dhe jo vetëm për paratë, është një lloj mësymje drejt qiellit, dëshira për të ndërtuar teknologjinë më të bukur të botës. Këtu, kur ndërroi jetë Steve Jobs, mijëra të rinj qanë me të vërtetë.
Ashtu siç qanë për dikë që ishte në fakt njëri prej tyre. Quhej Ilia Zhitomirski, 22 vjeç, djali i dy matematicienëve rusë, edhe ai vetë matematicien dhe gjeni i kriptografisë. Kishte themeluar Diaspora, për ta shndërruar në vrasësin e Facebook. Kundër atij sistemi të centralizuar, censurues, Diaspora do të ofronte privatësinë totale dhe garancinë e një shkëmbimi informacionesh anarkik dhe të lirshëm. Diaspora ishte në një moment të mirë, kishte filluar të siguronte paratë. Mes programuesve dhe në debatin për të ardhmen e internetit Ilia ishte një pikë referimi.
Por kohët e fundit një algoritëm nuk kishte funksionuar. Ilia po ecte me biçikletë, ishte një ekstremist i hareshëm, merrte pjesë në garat e vallëzimit. Banonte në një apartament të vogël në Mission, lagja e vjetër hispanike e San Franciscos, ku mëngjeseve të të dielave predikuesit sfidohen me megafonë duke propozuar kishat e tyre. Ilia u gjet i vdekur në shtëpi më 15 nëntor të vitit që kaloi, ndoshta vetëvrasje. Policia ka qëndruar gojëkyçur. Hipoteza që qarkullon: një ngarkesë e madhe emocionale për një djalë kaq të ri në moshë. Vrasësi i Facebook duhet ende të vijë.

Publikuar: 15.03.2012 | 14:57
Lexuar: 5153 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime