E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në Valbonë gjithçka ka marrë për mirë. Një investim tjetër interesant është dhe ndërtimi i rrugës Valbonë-Ragam me fondin 25 milion lekë. “Ndërtimi i rrugës me gjatësi 7 kilometra do të bashkojë dy zona piktoreske për të krijuar një zonë të madhe, e cila do të jetë në shërbim të vizitorëve në të gjithë muajt e vitit”, thotë Sherifi.
Valbona, “oazi”i përkëdhelur










Nga Riza Hoxha

Valbona në këto ditë të paszgjedhjeve, kur politika vazhdon me zhurmën e saj, i ngjan një oazi të përkëdhelur dhe jo thjesht për faktin se këtu votat janë numëruar e procesi ka përfunduar, as për faktin se nuk u regjistrua asnjë incident, bile as për faktin se përfaqësuesit e forcave politike mirëkuptuan njëri-tjetrin për verdiktin që dha populli.

Valbona këto ditë dallon për tjetër gjë. I ngjan një metropoli, që bie në gjumë pas mesnatës e ngrihet herët në mëngjes, thënë më thjeshtë, i ngjan një metropoli të pagjumë. Sepse gjithçka dallon në rrugën që lidh Valbonën me Bajram Currin, ku rruga jo vetëm e asfaltuar, me trotuare, por dhe e ndriçuar, ndeshet rrallëkund në zonat rurale.

“Jemi kthyer si qytetet metropol ku nuk ka gjumë sepse miq të shumtë po na shtohen nga dita në ditë”, thotë kryetari i komunës, Rexh Biberaj.

Dhe të mendosh se vetëm pak vite më parë këtu vinin rrallë vizitorë që largoheshin shpejt, pasi mungonte energjia elektrike, nuk kishte të paktën një telefon për t’u lidhur me pjesën tjetër të botës. Ndërsa tani jo vetëm këto aksese që nuk mungojnë, por pritet që së shpejti të instalohet interneti.

Janë këto ndryshime që valbonasit edhe pse jetojnë në një fshat, sikurse e ka statusin Valbona, thonë se i ngjajnë një metropoli.



Investimet ndryshuan

Valbonën

Vitet e e fundit investimet nga buxheti i shtetit nuk kanë munguar dhe ky fakt ka nxitur edhe investimet e banorëve në ngritjen e banesave të reja.

“Janë mbi 500 milion lekë të investuara nga buxheti i shtetit keto vitet e fundit”, tregon Rexha. Veçanërisht ndërtimi i rrugës e kthimi i saj nga një në dy-kalimëshe, asfaltimi dhe ndricimi kanë bërë që të ndryshohen shumë mentalitetet e vizitorëve vendas dhe të huaj. Ndërsa ndërtimi i ujësjellësit të ri me fondin 20 milion lekë financim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të zgjidhjë përfundimisht furnizimin me ujë të pijshëm në gjithë këtë zonë piktoreske.

Në Valbonë gjithçka ka marrë për mirë. Një investim tjetër interesant është dhe ndërtimi i rrugës Valbonë-Ragam me fondin 25 milion lekë. “Ndërtimi i rrugës me gjatësi 7 kilometra do të bashkojë dy zona piktoreske për të krijuar një zonë të madhe, e cila do të jetë në shërbim të vizitorëve në të gjithë muajt e vitit”, thotë Sherifi.

Falë ndryshimeve, tani në Valbonë po mendohet për argëtimin sa më të mirë të turistëve, ku duket se ndihma e FZHSH-së është e mirëseardhur, pasi me fondet e saj po ndërtohet një sallë shfaqjeje me kapacitet për 300 persona.

Ndaj Sherifi thotë se nuk do jetë e largët dita kur këtu do të vijnë këngëtarë, apo kineastë. Se do të gjejnë një treg të virgjër ku fitimin e kanë të garantuar.



Turizëm sipas traditës, biznes fitimprurës

Dalëngadalë turizmi është kthyer në biznesin më fitimprurës për banorët e zonës, të cilët në këtë funksion, kanë rritur interesin për të mbjellat dhe mbarështrimin e blegtorisë.

Dhe po në këtë funksion, nga vetë banorët vazhdon të ruhet me fanatizëm mënyra e jetesës, ku tradicionalja vazhdon të mos preket, ç’ka në të vërtetë i ka dhënë Valbonës namin e mirë dhe ka nxitur edhe në këtë drejtim interesin e të huajve. Por edhe qetësia, aq sa shumëkush nuk e beson se dhe nga trazirat e vitit ‘97 Valbona doli e paprekur.

Fshati i Valbonës me shtëpi të shpërndara dhe me rreth 300 banorë buzë lumit me të njëjtin emër në lartësi prej rreth 810 metra mbi nivelin e detit, tashmë ka hyrë gjithë dinjitet në guidat turistike.

Kjo bën që në muajt e verës fshati të “përmbytet” jo vetëm nga turistë të huaj e kosovarë, por edhe të ardhur nga zonat fushore të vendit. Ajri i pastër, gurgullimat e zhurmshme të lumit që të shoqërojnë thuajse përgjatë gjithë rrugës nga Bajram Curri në Valbonë, gjelbërimi dhe lulet shumëngjyrëshe, majat e thepisura të maleve krijojnë pejsazhin magjepës.

Këto ditë në Valbonë janë rreth 200 turistë të huaj, kryesisht gjermanë, izraelitë, austriakë e italianë, pa përmendur kosovarët që janë të përditshëm këtu për disa orë, për një apo dy ditë. Të huajt vështirë se i ndesh në orët e ditës.

Lumi Valbona


“Janë mjaft të pasionuar pas alpinizmit dhe gjuetisë ndaj që në orët e para të mëngjesit u ngjiten maleve të shoqëruar nga një vendas e kthehen në mbrëmje”, na tregon Selman Selimaj që ka në shtëpinë e tij 6 gjermanë.

Tashmë mbi 10 familje kanë në dispozicion të turistëve në banesat e tyre 80 shtretër.

-Po të tjerët ku e kalojnë natën?- pyesim. “Këto banesa janë ndërtuar enkas në funksion të turizmit, por turistët e tjerë pushojnë në shtëpitë e fshatarëve që kanë një, apo dy dhoma të përgatitura enkas për turistët”, shpjegon Selmani.

Në përfundim e sipër janë edhe 4 banesa të tjera, me synim që të vihen në dispozicion të turistëve në muajin gusht. Të gjitha banesat turistike janë të tipit alpin, si një karem që “kap” më shumë turistë të huaj.

Alfred Selimaj ka një shtëpi dy-katëshe në mes të fshatit. “Thuajse asnjë ditë nuk e kam bosh, sa ikin një palë vizitorë, vijnë të tjerët. Ne vetëm a mundemi t’i kënaqim”, thotë me të qeshur ai.

Tradita mbetet edhe në mobilimin e shtëpive, pasi të gjitha orenditë janë prej druri, që nga shtretërit e deri të karriget e tryezat. Në këto banesa mungojnë kolltuqe, apo gjëra të tjera, që sot vlerësohen si bashkëkohore. Bile, një prej banorëve të Valbonës provoi të vinte dritare prej duralumini, por u kritikua shpejt nga specialistët e turizmit.

Por pronarët e shtëpive turistike janë kujdesur edhe për pushimin sportiv të turistëve, duke ngritur pranë tyre fusha volejbolli e basketbolli, ndërsa për futboll nuk ka nevojë, mjaftojnë vetë livadhet e shumta. Ndeshjet në orët e mbrëmjes janë të përditshme mes djemve të fshatit e turistëve.



Guzhina e turistëve?

Tradicionale e zonës

Banorët “kanë shpëtuar” nga sikleti i mësimit të librave të guzhinës, se vetë turistët e huaj, por dhe vendas kërkojnë ushqimin tradicional. Ata e duan mishin e thatë, fasulen, corbën, apo gjizën me spec djegës brenda.

“Kështu dhe kënaqen më shumë. Na e kanë thënë vetë që mjedisi këtu u ngjan si një oaz ekzotik që i largon nga zhurma e pluhuri i qyteteve të mëdha nga vijnë”, tregon kryetari i komunës.

Pa dyshim, edhe djathi, mjalti e buka e gatuar nga vetë fshatarët janë të preferuar. “Ka prej tyre që rrinë gjithë kohës duke parë kur nëna gatuan bukën”, tregon me të qeshur Alfredi. Ndërsa nuk e gatuajnë më aq shumë troftën. “Rrallë shumë, se e kemi ndaluar gjuetinë e saj. Me mirëkuptimin e banorëve e bëmë këtë gjë kur pamë se me ritmet e peshkimit, rrezikohej të zhdukej”, thotë Rexha.

Por kuptohet, është ndaluar gjuetia me tritol, apo pesticide, por jo me grep, që është një lloj sporti si për banorët vendas, edhe për vetë turistët. Sepse me grep zë ndonjë në ditë, sa për qejf, por jo për të gostitur miqtë.

Është kjo jeta në Valbonën turistike në këto ditë vere, në këtë park kombëtar që po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj. Llogaritet që vetëm në 6 mujorin e parë Valbonën e kanë vizituar më shumë se 15 mijë vizitorë, aq sa ishin në total gjithë vitit të kaluar.

Dhe kjo është Valbona, të cilës tashmë po i rikthehen edhe bijtë e larguar ndër vite. Kthehen se ndjejnë se fshati është bërë një mundësi e mirë për një biznes mjaft fitimprurës./Tribuna/

Publikuar: 14.08.2009 | 09:57
Lexuar: 6159 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet
Iris (21/12/2009 00:05:27) shume mire beni qe i publikoni keto reportazhe dhe shkrime per vende te ndryshme te shqiperise qe edhe ne ta njohim me mire ate qofte edhe me ane te shkrimeve
vjollca (29/04/2012 14:34:09) Me pelqen shume Valbona ,vertete eshte nje perle e Shqiperise ...u kenaqa duke lexuar reportazhin e gazetarit shume te mirenjohur Riza Hoxha ,duket se me penen e tije sikur e perkedhel Valbonen ,shume bukur ..

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime