E shtunë, 17.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në 2011-n, më shumë se 70 milionë udhëtuan jashtë Azisë. Tani “dragoi” do të jetë edhe eksportuesi më i madh i turistëve në botë.
Revolucioni i turistëve kinezë






Të pasur, kërkues dhe të kulturuar

Në 2011-n, më shumë se 70 milionë udhëtuan jashtë Azisë. Tani “dragoi” do të jetë edhe eksportuesi më i madh i turistëve në botë.

Rënia e numrit të turistëve perëndimorë nuk eklipsohet aspak nëse themi se ai i turistëve të ardhur nga Lindja, e kryesisht nga Kina, po prek shifra marramendëse. Pekini edhe kësaj here qëndron në krye. Pasanikët e rinj dhe një klasë e mesme në rritje, pretendojnë gjithmonë e më shpesh ta vizitojnë pjesën tjetër të botës. Kështu do të kalohet edhe kufiri i fundit që nuk ka emrin “Made in China”: brenda vitit 2012, Kina do të bëhet eksportuesi më i madh i turistëve në botë, duke lënë pas SHBA-në, Japoninë dhe Gjermaninë. Një studim i Akademisë Kineze të Turizmit tregon se në vitin 2011, rreth 70 milionë kinezë kanë zgjedhur Europën dhe Amerikën për t’i kaluar pushimet. Rritja, në krahasim me 2010-n, ka qenë më shumë se 20 për qind. Në vitin 2010 kinezët që kanë udhëtuar jashtë vendit ishin 57 milionë. Ky vit konsiderohet si viti i bumit; qeveria dhe agjencitë e udhëtimit parashikojnë që thuajse 80 milionë kinezë do të nisen me një tur jashtë vendit, duke harxhuar jashtë Kinës thuajse 95 miliardë euro për pushime. Shifra vërtet marramendëse dhe operatorët turistikë po përgatiten për fluksin e udhëtarëve më kolosalë të historisë. Turistët kinezë bëhen kështu klientët e parë të strukturave perëndimore dhe i detyrojnë të ndryshojnë ofertat, datat dhe itineraret e kohës së lirë. Sipas Agjencisë Kineze të Udhëtimeve, jashtë vendit, kompanitë ajrore, hoteleritë dhe tregtarët, për të përballuar pushtimin e turistëve të rinj nga Lindja duhet që “të revolucionarizojnë vetë veten dhe të heqin dorë së ëndërruari për prenotimet e amerikanëve dhe japonezëve, madje të mos shkojnë as në kërkim të oligarkëve rusë dhe emirëve arabë”. Por të dhënat globale tregojnë një tjetër histori: brenda vitit 2015 do të jenë kinezët që do të “ushqejnë” 67 për qind të udhëtimeve të largëta turistike dhe do të bëhen padronë absolutë të paketave të organizuara dhe shopingut luksoz në Europë. Raporti vjetor i Akademisë së Turizmit parashikon se nga një shpenzim prej 40 miliardë eurosh (2010) klientët kinezë do të kalojnë më shumë se 130 milionë brenda 5 viteve dhe ata që do të zgjedhin udhëtime të largëta do të jenë 150 milionë fëmijë dhe nipër të revolucionarëve të Maos. Rritja ekonomike e Pekinit me pak fjalë nuk prodhon vetëm numrin më të madh të miliarderëve mbi tokë. Për herë të parë, rreth 500 milionë kinezë me një rrogë mesatare vjetore prej 21 mijë eurosh, kursejnë për të parë se çfarë ndodh përtej murit të madh dhe përtej censurës së shtetit. 6 në dhjetë të tillë, në udhëtimin e parë jashtë kufijve kombëtarë, zgjedhin t’i hedhin një sy pjesës tjetër të Azisë. Megjithatë, rreth 48 për qind brenda fundit të vitit, sipas parashikimeve, do të vendosin për Europën. Mes viteve 2005-2009 rritja mesatare e turistëve kinezë jashtë vendit ka qenë 10 për qind në vit. Sot kjo shifër shkon nga 18-20 për qind, ndërsa në fund deri në 2020-n mendohet të shkojë në 25 për qind. Turistët kinezë janë thuajse të moshës nga 30 deri në 45 vjeç, të ardhur nga qytetet më të mëdha të Kinës dhe të mësuar me standarde të larta jetese. Për eksperiencat e tyre të para larg Azisë zgjedhin udhëtime të organizuara, por pretendojnë hotele të mëdha me qindra dhoma, të paktën tri restorante ndërkombëtare, qendra fitnesi dhe bukurie apo me qendra tregtare gjigante dhe luksoze brenda tyre. “E keqja është se Europa ende nuk e ka kuptuar se çfarë kërkon turisti kinez. Dhe fakti që nuk përgatiten për t’i mirëpritur me guida në gjuhën kineze dhe përkthyes e bën që të humbë miliarda”, thotë Dai Bin, drejtor i Akademisë Kineze së Turizmit. Sipas raportit të fundit të “Nielsen”, turisti kinez i sapoçliruar nga varfëria, pretendon të koleksionojë numrin maksimal të vendeve brenda një kohe shumë të shkurtër. Shpenzon më shumë se një të tretën e buxhetit për shopping dhe synon qytete e dyqane të shndërruara në ikona botërore të bukurisë dhe modës. Kursen për hotelet dhe ulen pak nëpër restorantet që mendojnë se nuk përputhen me zakonet e tyre të të ushqyerit. Nuk ndalet para asgjëje për të fotografuar monumentet më të bukura, për të cilat mund të ketë dëgjuar shumë në vendin e vet. Por duke nisur që nga ky vit, nuk do të jetë vetëm shtresa e mesme që do të udhëtojë për në Europë. Edhe miliarderë kinezë mendohet se do të zgjedhin kontinentin e vjetër. Janë këta që pretendojnë ture ekskluzive, maxhordomë dhe shoferë personalë, itinerare të sofistikuara, fusha golfi, kantina verërash, atelie të modës së rëndë, kruizera dhe vila historike, mundësisht në shitje. Nëse deri vitin e kaluar miliarderët kinezë bënin një udhëtim çdo 12 muaj, që nga 2012-a do të fitojmë të bëjnë pushime tri herë në vit, për të shkuar në gjashtë brenda 2015-s. Mesa duket turizmi botëror shumë shpejt do të flasë gjuhën kineze: kush kupton i pari se çfarë duan kinezët, mund të evitojë të shndërrohet në një periferi të perandorisë së kohës së lirë globale.

Publikuar: 01.05.2012 | 14:14
Lexuar: 1531 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime