E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Gjatë një ceremonie përmbyllëse dje në mbrëmje në arenën e amfiteatrit antik, ku morën pjesë artistë shqiptarë e të huaj si dhe qytetarë e pushues të shumtë, juria e këtij edicioni si dhe organizatorët e festivalit akorduan edhe 7 çmime të tjera të rëndësishme.











Filmi artistik italo-austriak "La pivellina" është shpallur fitues i çmimit të madh "Gladiatori i artë", në përfundim të edicionit të dytë të festivalit ndërkombëtar veror të filmit (ISF 2009) që u zhvillua në Durrës për një javë me radhë.

Gjatë një ceremonie përmbyllëse dje në mbrëmje në arenën e amfiteatrit antik, ku morën pjesë artistë shqiptarë e të huaj si dhe qytetarë e pushues të shumtë, juria e këtij edicioni si dhe organizatorët e festivalit akorduan edhe 7 çmime të tjera të rëndësishme.

"La Pivellina", një bashkëprodhim i regjisorëve Tizza Covi dhe Rainer Frimel u vlerësua nga juria ndërkombëtare e festivalit me statuetën e artë "Gladiatori i artë" mes 18 filmave konkurrues, të ndarë në seksionet "Vizione bashkëkohore" dhe "Bota ballkanike", kryesisht bashkëproduksione nga vende të ndryshme të Evropës.

I konsideruar si një dëshmi prekëse mbi kurajon dhe diskriminimin, humbjen dhe bashkimin, një shikim përtej gardhit mbrojtës e të padrejtë të komunitetit, "La pivellina" është historia e vajzës së vogël të braktisur në rrethinat e Romës.

Përveç çmimit "Gladiatori i artë", personalitete të rëndësishëm të jetës artistike në vendin tonë shpallën në emër të jurisë ndërkombëtare shtatë çmime të tjera, njëri prej të cilëve, çmimi Special, iu akordua filmit shqiptar "Alive-Gjallë" i regjisorit Artan Minaroll.

Çmimi "Filmi më i mirë ballkanik" iu dha produksionit kinematografik turk "Tre majmunët", me regji të Nuri Bilge Ceylan.

Kineasti bullgar Stefan Komandarev fitoi çmimin "Regjisori më i mirë" i këtij edicioni për filmin "The world is big and salvation lurks around the corner".

"Aktori më i mirë" i festivalit veror ndërkombëtar të filmit 2009 u shpall belgu Ben Van Ostade për rolin kryesor në filmin "Hapy together-Të lumtur së bashku". Kurse çmimin për "Aktoren më të mirë" e fitoi Betty Qizmolli në filmin hollandez "Katia's sister".

Juria e festivalit e kryesuar nga Rik Vermeulen nderoi me çmimin e karrierës regjisorin e shquar shqiptar Dhimitër Anagnosti, kontributit kinematografik të të cilit i kushtohej në këtë edicion një seksion i veçantë i retrospektivës.

Presidentja e jurisë së kritikës Deborah Jung shpalli filmin fitues të kritikës. "Palermo shooting" i regjisorit Wim Wenders meritoi këtë çmim të rëndësishëm të festivalit.

Të shtatë fituesit u nderuan me statuetat me lartësi 38 cm prej argjendi, të cilat tashmë janë bërë simboli i këtij festivali.

Duke përshëndetur Festivalin zëvëndësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Suzana Turku tha se kjo veprimtari është tregues i ballafaqimit dhe ndërthurrjes së kulturave të vendeve pjesëmarrëse në fushën e kinematografisë.

Ajo shtoi se MTKRS do të mbështesë vazhdimisht veprimtari që i bëjnë jehonë integrimit kuturor. Në mbrëmjen përmbyllëse të këtij edicioni morri pjesë edhe regjisori Italian Paolo Sorrentino, i cili u shpreh para pjesmarrësve se "festivalet i bëjnë mirë kinemasë dhe mbeten një nga shpresat e vetme për filmin".

Anila Varfi, drejtore e ISF 2009, i dorëzoi regjisorit italian çmimin simbolik "Pjata e argjendtë", si një risi e festivalit për artistët me famë botërore, mysafirë në festival. Filmi i regjisorit Sorrentino "Il divo" u projektua pasditen e fundit të veprimtarisë më të madhe për filmin që zhvillohet në vendin tonë, duke ngjallur interesimin e dhjetëra spektatorëve që mbushën si rrallë herë sallën e teatrit "A. Moisiu" në Durrës.

Publikuar: 29.08.2009 | 23:52
Lexuar: 2067 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime