E mërkurë, 19.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e vlerësoi marrjen e presidencës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga ana e Shqipërisë, si një moment historik për Shqipërinë e shqiptarët, por edhe si një moment i një simbolike të veçantë për Këshillin e Evropës, i cili dëshmon ndryshimin rrënjësor që Shqipëria dhe demokracia e saj e re, por funksionale ka arritur gjatë kësaj periudhe.
Berisha-Jagland: Mbështetje për heqjen e imunitetit të zyrtarëve






Kryeministri Berisha prit sot në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thobjorn Jagland, i cili ndodhet në Shqipëri, me rastin e marrjes nga ana e Shqipërisë së Presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e vlerësoi marrjen e presidencës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga ana e Shqipërisë, si një moment historik për Shqipërinë e shqiptarët, por edhe si një moment i një simbolike të veçantë për Këshillin e Evropës, i cili dëshmon ndryshimin rrënjësor që Shqipëria dhe demokracia e saj e re, por funksionale ka arritur gjatë kësaj periudhe.

Nga ana e tij, zoti Jagland i uroi kryeministrit Berisha sukses të plotë në kryesimin e radhës së Komitetit të Ministrave të KE, duke i shprehur Kryeministrit Berisha vlerësimin dhe përgëzimet për punën e rëndësishme të bërë nga qeveria shqiptare, si për periudhën parapërgatitore për marrjen e kryesisë, ashtu edhe për përpilimin e një axhende prioritetesh e cila përputhet plotësisht me misionin dhe prioritet e kësaj organizate jashtëzakonisht të rëndësishme mbarë evropiane.


Ndër prioritetet e kryesisë shqiptare të radhës së KE për 6 mujorin në vijim një vend të veçantë zënë të rinjtë dhe roli i tyre i rëndësishëm në proceset demokratike dhe zhvillimore ashtu edhe integruese, fuqizimi i mëtejshëm i dialogut me rajonet fqinjë, në veçanti me vendet e të ashtëquajturës pranvera arabe, duke ndarë me to përvojat dhe modelet e suksesshme të Këshillit të Evropës dhe vendeve anëtare të tij, në shërbim të promovimit të mëtejshëm të demokracisë, të drejtave të individit dhe përpjekjeve të këtyre vendeve për zhvillim të mëtejshëm. Në këtë kontekst Shqipëria mund të ofrojë një shembull domethënës, si një vend multireligjioz me një tolerancë të shkëlqyer ndërfetare, por edhe traditat e një shteti laik, ku raportet ndërkombëtare e kanë vlerësuar në vijimësi për nivelin e lartë të respektit ndaj të drejtave të minoriteteve e bashkëjetesës në harmoni.

Të tjera prioritete përfshijnë vazhdimësinë e reformave të iniciuara nga presidencat mëparshme. Një vend të veçantë në prioritetet e presidencës së Shqipërisë zë edhe Ballkani Perëndimor, si edhe konsolidimi i mëtejshëm i vlerave mbi të cilat bazohet kjo organizatë në këtë rajon, promovimi i mëtejshëm i bashkëpunimit të tij me Këshillin e Evropës, por edhe midis vende ve të tij, në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për ti ripohuar Sekretarit te Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, zotit Thobjorn Jagland mirënjohjen më të thellë të tij dhe te qeverise shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme që KE i ka dhënë Shqipërisë ne përpjekjet e saj për konsolidimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe arritjen e standardeve të larta në këto fusha, çka i ka shërbyer më së miri përgatitjes së vendit, si për anëtarësimin e suksesshëm në NATO ashtu dhe për hapat e mëtejshëm në anëtarësimin në BE.
Më tej në takim u diskutua mbi zhvillimet në vend, duke u ndalur në veçanti në punën për kryerjen sa më shpejt të reformës zgjedhore dhe reformave të tjera.

Zoti Jagland shprehu mbështetjen e plote për përpjekjet e qeverisë shqiptare për heqjen e imuniteteve të zyrtareve në vend. Në takim u konfirmua vullneti i palëkundur i të dy palëve për të thelluar dhe zgjeruar edhe më tej këtë bashkëpunim të ngushtë e të suksesshëm të ndërtuar gjatë kësaj periudhe.

Publikuar: 24.05.2012 | 17:32
Lexuar: 797 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime