E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Një strukturë e tërë institucionesh mëton të mbajë dhe të tregojë fuqinë e shtetit, që sërish si dikur në Mesjetë, po ‘e tremb’ në themel Evropën.
Ankaraja, fytyra urbane e Turqisë së re...







Ben Andoni

Ky qytet i pastër, që bashkë me rrethinat po i afrohet të 4.5 milionë banorëve, është simboli i vërtetë i Turqisë. I qetë, i miradministruar dhe me një jetë që zhvillohet pandërprerë 24 orë, ka treguar interesat me shumë ambicie të turqve të rinj drejt shekullit të XXI. Një strukturë e tërë institucionesh mëton të mbajë dhe të tregojë fuqinë e shtetit, që sërish si dikur në Mesjetë, po ‘e tremb’ në themel Evropën.

“Si i pasqyroni lajmet që vinë nga Kurdistani?” Pyetja pluskon në ajër dhe zbret ngadalë drejt njeriut që pyetet. Shefi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shtypit dhe Informacionit në zyrën e kryeministrit Murat Karakaya, që po na flet për median, më sheh ngultas. “S’ka Kurdistan”, më gjegjet. E kam dëgjuar 15 minuta në një paraqitje të medias në vendin e tij dhe sesi struktura që ai drejton është përgjegjëse për gjithçka në vend që ka lidhje me pasqyrimin mediatik, për numrin e gazetarëve dhe dëshminë e tyre. S’ka përgjigje për këtë. “Ka, - i them - gjeografikisht është një hapësirë territoriale që ndahet mes Turqisë, Iranit, Irakut dhe Sirisë”. “Nuk ka”, më thotë sërish. Kryqëzojmë shikimet.

Turqit është fare e lehtë t’i kuptosh nëse je shqiptar. Ngaqë asnjëherë s’flasin qartë. Për një perëndimor duhet të jetë tmerrësisht e vështirë, për ne e kuptueshme. Hesht. Këtë e mendoj sërish kur takimet i lënë vendin njëra-tjetrës dhe pala turke na tregon për median dhe institucionet e saj. Gjërat thuhen në formë shumë baroke dhe asnjëherë direkt, por ani me pathos. “Kush vallë nuk e di këtë miqësi”, më mbërrin sakaq në kokë një epigram që e kam parë kohët e fundit në Tiranë dhe që nënvetëdija ma përcjell direkt në ndihmë. Qesh.

Nëpër Ankara

Pa ndihmën e turqve nuk mund ta përshkojmë si duhet Ankaranë. Mikpritësit tanë janë TIKA (Agjencia Ndërkombëtare për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin) dhe një përfaqësues i tyre, që na shoqëron për çdo ditë, është përgjegjës për nevojat tona. Jemi një grup gazetarësh nga Shqipëria, që me të ndajmë çdo gjë. Dy përfaqësues të Kryeministrisë nuk na ndahen po ashtu. Omeri, shoqëruesi ynë (nëse nuk gaboj), mundohet të shpjegojë me një anglishte të keqe për qytetin dhe strukturat drejtuese, më pak për historinë. Është i sjellshëm dhe simpatik. Kur vetëm pak nga ne pyesin pak mbrapsht, një re e zezë i zbret në fytyrë dhe kjo do të thotë: mjaft. Në fakt, turqve, personalisht u jam mirënjohës për këtë ndihmë, për të njohur kulturën dhe strukturat e tyre drejtuese. Janë të dashur dhe në shumë gjëra, po të mos ishte gjuha dhe mjedisi, do të dukej se bëje një vizitë shqiptare. Kur lirohemi nga takimet, Omeri qetësohet. Na buzëqesh dhe na thotë: Ku do ikim? Këmbëngul për Muzeun e Hititëve, që në fakt është Muzeu i Civilizimit Anatolian dhe që e kam si këshillë prej Dr. Zeqos për ta vizituar. Aprovohet. Vetëm se turqit duan që vizita e parë të jetë në Mauzoleun e Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Re. Kanë të drejtë. Madhështi. Diçka si Napoleoni tek Invalidët. Nëse do të dish se çfarë është Ataturku e kupton nga ky konstruksion, ku aroma e kolonatave antike ndërthuret me modernen. Vendasit i kanë hapur vend në tunelet e tij dhe një muzeu, ku përshkruhet njëra prej betejave më të mëdha të historisë së tyre në Çanakala, ku Ataturku ka qenë protagonist dhe ku ka filluar pavarësia e re turke.

Muzeu ruan një statujë dylli të këtij personazhi karizmatik, fotografi dhe shumë objekte personale të tij, të kuruara mirë. Jashtë, turistët dhe vendasit, presin me ethe ceremonialin turk të ndërrimit të rojeve, një demonstrim turistik i fuqisë për të treguar të gjithë sublimitetin e vendit. Nga serioziteti shmangen turistët japonezë që kanë gjetur mënyrën për të ardhur dhe që rrinë si të shushatur para rojeve turke të nderit. Fotografohen. Pak orë më vonë, pas një kërkese miqësore, mikpritësit do të na përcjellin në Muzeun e Civilizimit Anatolian pak para se të shkosh në Kalanë e qytetit. Muzeu që ka eksponate që nga mijëvjeçari i tretë para Krishtit është një nga krenaritë e vendasve. Me të drejtë. I ankoruar në jug të Kalasë së Ankarasë në hapësirën e Atpazarı, këtu është zona më e virgjër e Ankarasë ose qyteti si ka qenë që para 50 ose më shumë viteve.

Njerëz të varfër, të drobitur, makina të stërvjetra dhe gra të mbuluara që rrotullohen kudo për të shitur suvenirë të lirë. Ka qenë dikur pazar dhe thjesht për shkak të dëshirës së Ataturkut për të krijuar muzeun e Hititëve, ndërtesat kryesore u përshtatën për këtë kulturë të rrallë. Për shkak të lartësisë, këtu është një nga hapësirat më interesante ku mund të shquash qytetin, kurse muret e mbetura të kalasë të kujtojnë trashëgimitë e pafundme Hitite, Fragjiane, helenistike, romake, bizantine, otomane apo ato të Selxhukëve të tmerrshëm.

Këta të fundit, që thuhet se i lanë dhe emrin qytetit, bënë restaurimet e mëtejshme dhe shtesat e kalasë, që sot jo vetëm mbetet pjesa më e vjetër e Ankarasë, por edhe ruan varfërinë më të madhe. Në një farë mënyre është atraksion për turistët, sepse ka shembuj të rrallë të arkitekturës tradicionale. Madje, shumë shtëpi të kujtojnë hapësira të njëjta në Shqipëri, por me një varfëri të skajshme. Si për të na e kujtuar më tej Shqipërinë, në mesditë vjen një makinë që ndan ndihma. Është e gjallë Shqipëria e vitit 1991. Njerëz që shtyhen dhe bërtasin, thasë të ngarkuar në krahë dhe ikje. Ikje. Nga rrokupuja e ngjarjeve, që rrotullohen pa rend nga nënvetëdija, më shkëput një moment: para meje në një nga rrugicat e ngushta të kalasë ndalet një makinë dhe një shofer i sulet një fëmije për ta rrahur. Ashpërsia e turqve është proverbiale.

Mundohem t’i ndaj. Është e vështirë dhe kur në fund ia arrij dhe dua të bëj një fotografi drejt një turme, babai i djalit më vërsulet. Stepet nga mos lëvizja ime. “Arnaut damar”, më thotë dikush, që do të përkthehet: Kokëgdhe. S’falënderon askush. Në fakt, të 3,5 milion shqiptarët që sot rrojnë në Turqi s’u duhet falënderimi i turqve sepse janë shkrirë po aq mirë si ata dhe madje janë shpesh protagonistë. Një djal nga Maqedonia që na përkthen më thotë shumë gjëra për ta, gati të pabesueshme.

Qyteti

E lemë këtë pjesë dhe kur kthehemi në qytet, pak metra më tutje, Ankaraja është tejet perëndimore. E pastër dhe e sistemuar. Pas kësaj zone, ku ti shikon ende Turqinë e shamikuqes, qyteti ka ndryshuar shumë dhe sot është vendbanimi për rreth 4.4 milionë banorë. Kam një almanak historie dhe e shfletoj teksa shoferi i edukuar mundohet të bëjë udhë në trafik. Dikur qyteti identifikohej me qendrën kulturore të Hititëve Ankuëaš, megjithatë kjo mbetet për debat. Në antikitetin klasik dhe gjatë periudhës mesjetare, qyteti u njoh si Ankyra nga grekët. Por një ide është se emri ka zbritur prej pushtuesve selxhukë. Sot qyteti është një vend industrial e komercial dhe është qendra e qeverisë dhe presidentit turk. Këtë të fundit, në një gazetë ditore, e shikoj teksa ecën i vetëm në një zonë krejt të harruar të Turqisë dhe bën fotografi në një vend gati të izoluar. Në Ankara, rezidenca e tij është e mbyllur pas një rrethimi të dyfishtë, ku ushtarë me gishtin në këmbëz rrinë gati në çdo moment. Qyteti ka shumë gjelbërim dhe pastërti, që kur e krahasoj me Stambollin mbetet mbresëlënës. Turqit e sotëm kanë treguar se e kanë shpërfillur hapur natyrën: Me gjithë karakteristikat jo të mira natyrore ngaqë Ankaraja është një nga pjesët më të thata të vendit, përveç një hapësirë pylli në jug, qyteti ka arritur të ketë sot gjelbërim 72m2 për kokë.

Intermexo

Në pak ditët e qëndrimit këto udhëtime shpesh do të ndërrohen me vizitat në institucionet kryesore të medias turke: Anatoli Ajansu (si ATSH-ja jonë); TRT, Radio Televizionin Turk, ku hasim dhe një zyrë të vogël ku është seksionin i radios shqip; CIHAN, një agjenci private; dhe kompleksi mediatik Sabah, që është brenda vetes një grup mediatik i arrirë dhe mbrësëlënës me të gjitha elementët. Marrëdhëniet me ekzekutivin, duket se qeveria turke e kontrollon plotësisht median vendase, marrëdhënia me punëdhënësit dhe mënyrën sesi e mbulon- janë temat që flasim. Kolegët turk janë shumë të hapur, kuptohet përveç dogmës së drejtuesve që u ngjajnë pak zyrtarëve tanë të shkuar. Kanë një respekt për shqiptarët, gjë që të bën të ndjehesh mirë dhe përmes tyre shikon vërtet sesi duhet të jetë shteti. Në shumë momente s’jam me ta, por respektoj thellësisht ndjesinë e shtetit tek ata. TIKA duhet vlerësuar për ndihmën që jep kudo në vendet, të themi që kanë pasur një lidhje me ish perandorinë otomane, por edhe në vendet mike të Turqisë, si edhe interesit sesa me dashuri e bëjnë promovimin e vendit të tyre. Edhe këtë e admiroj. Të duash vendin me çdo kusht është më shumë se virtyt, është thellësi, që ka humbur në Shqipëri. Burrat që na shoqërojnë përpiqen që të venë rend në kushtet tona. Shpesh njohuritë nuk përkojnë. Një moment i kujtoj dikujt që përsërit vëllazërinë tonë se kemi qenë bashkë në 100 vjet, por jo gjithë jetën dhe se ata na kanë shtypur ashpërsisht. Bëhet pak heshtje. Njërit prej shefave të TIKA-s, Mehmet Yilmaz, i them se ndoshta të dy vendet me fonde të përbashkëta u duhet të punojnë për tekstet e tyre.

“I sëmuri i Bosforit”

Në tekstet tona dikur thuhej se Turqia është si “I sëmuri i Bosforit”, por vendi që ende e kontrollon Bosforin, është bërë sot lojtari kryesor në hapësirat që ndajnë Perëndimin me Lindjen. Që kur Ataturku krijoi Turqinë moderne në 1923, vendi është përplasur nga forca kundërshtare që kanë punuar brenda kulturës kombëtare dhe ndërgjegjes. Duke marrë parasysh myslimanizmin në rrënjë të tyre, qeveria e idealizuar nga Ataturku dhe e mbrojtur për shumë vjet nga ushtria kishte një imazh perëndimor, demokraci shekullare me një ndarje të qartë të shtetit me religjionin. Kur ushtria ndjente se diçka s’ishte mirë, të hiqte kokën. Kështu ndodhi jo shumë larg, por në 1997, kur qeveria e Nexhmedin Erbakan u detyrua të japë dorëheqjen, sepse gjeneralët menduan se vendi po kalonte drejt një autokracie islamike si Irani fqinj. Ajo që ka rrjedhë pas kësaj ngjarje është mbresëlënëse, megjithatë myslimanizmi është shtuar frikshëm. Paçka se ky vend ka marrëdhënie të përparuar me BE-në, me Amerikën dhe njësoj edhe me vendet e Lindjes së Mesme, që e shikojnë si shembull dhe Rusisë. Gjeografikisht, dëgjoj nga një analist amerikan -se Turqia është aty ku teoritë e liberal demokratëve perëndimorë përballen me autokracitë e vendeve islamike. Ndaj, ajo vetë, duke i pasur të dy elementët, është unike për t’i parë vështirësitë në të dy perspektivat. Jo më kot në kohë krizash në rajon ka luajtur rolin e saj dhe ka ndodhur po ashtu që në kohë po krizash, bursa turke ka qenë lart dhe ka kontribuar… Një shembull është me Libinë: Ishte për ndërhyrje të NATO-s, ndërkohë që mbante lidhje me vetë regjimin; njësoj me Sirinë që e paralajmëruan direkt, por edhe bisedojnë. Me pak fjalë, në këtë rajon, nëse ke nevojë për një negociator, ai është gati dhe quhet Ankara...

Si Shqipëria, Parlamenti hapet në kaos

Anipse situata e brendshme s’është aq dashamire. Kryeministri me mandatin e tretë rresht ose më të shumtin në historinë e Turqisë moderne, z. Erdogan, jo vetëm ka fituar, por e ka shpallur hapur sfidën e tij. Atij s’i bën përshtypje që opozita, partia PPR, bashkë me kandidatët e pavarur e kanë bojkotuar në protestë mbi anëtarët e parlamentit që janë në burg. Turqia është e njësojtë si Shqipëria për probleme. Edhe pse shkëlqesia e tij Rexhep Erdogan ka premtuar të punojë me opozitën për një kushtetutë të re, duket se pika e takimit është larg. Mos harroni: në Turqi gjithçka shkon si do kryeministri. Edhe ushtria pas arrestimeve të kohëve më parë, s’është më e frikshme për të. Me pak fjalë, fryma perëndimore e Ataturkut ka filluar të zbehet. Duke u kthyer te parlamenti me 550 veta, rreth 130 vende janë të partisë kryesore opozitare, ndërsa të pavarurit kanë 36 vende. “Ne nuk betohemi nëse nuk gjendet mënyra që të votohen të gjithë deputetët tanë”, thotë ditët që jemi ne lideri i opozitës, Kemal Kilicdaroglu. Një gazetar më shpjegon të gjithë këtë ngatërresë me një anglishte të keqe, që e sqaroj më vonë nga gazetat. “Nuk mund të gjenin kandidatë të tjerë ata?”, ua priti Erdogan. “Ata emëruan këta njerëz se e dinin që do të kishte probleme të tilla”. Gazetari Mustafa Balbay dhe akademiku Mehmet Haberal janë zgjedhur nga PPR dhe janë burgosur dy vjet më parë me akuzën për tentativë komploti ndaj qeverisjes së Erdogan. Epilogu dihet: Ata janë në burg. Por lufta që është në parlament nuk e prek pulsin e Ankarasë dhe gjithë Turqisë, që punon me të gjithë motorët e ndezur tek ekonomia. Turqit janë punëtorë, tregtarë të lindur dhe fuqinë e tyre e kanë treguar sot me ekspansionin e pamat ekonomik.

Ekonomi, sfida

“Deri më 2025 Turqia do të jetë një nga 15 polet botërore dhe do të pretendojë një rol influence mbi vendet e tjera”, ka thënë ditët e fundit Banka Botërore. Turqia, sipas një zyrtari të saj, do të bëhet një nga lojtarët globalë me fuqinë e saj për të influencuar ndër vendet e tjera brenda 25 viteve të ardhshëm. Deklarata është bërë pak ditë më parë në pragun e daljes së raportit “Global Development Perspective 2011”, ku flitet se Turqia do të jetë një nga 20 vendet më të pasura dhe relativisht do të balancojë zhvillimin e kërkesave të huaja dhe atij vendas. Këtë e dëshmojnë dhe burime të tjera: Të dhënat e lëshuara nga EUROSTAT (zyra statistikore e BE-së) ka gjetur se në 27 vende që ajo mbulon, GDP per capita e Turqisë ka shkuar 48% në mesataren e BE-së më shumë se 44% që ishte më 2008, duke lënë pas Bullgarinë dhe Rumaninë. Ekonomia turke, sipas saj, është rritur me 8.9% më 2010 më shumë se mesatarja e BE-së. Me pak fjalë, nëse do të pranohej sot, ajo do e kishte GDP per capita më të madhe se Bullgaria, Rumania, Letonia, Polonia dhe Lituania. Ndaj ekonomia s’mund të jetë më një shfajësim për mos hyrjen e saj në BE, që kuptohet se pengohen seriozisht nga Franca dhe Gjermania.

Kjo e ka bërë Turqinë që skepticizmin ndaj saj ta shikojë të lidhur me myslimanizmin. Për hir të së vërtetës, kundërshtarët ankohen seriozisht për 73 milionë banorët e saj, që do jenë 80 milionë në 2015, pasi standardi i pjesës më të madhe të tyre është tejet i ulët. Kjo ka një të vërtetë, sepse ditët e korrikut qeveria mendoi që rroga mesatare më e ulët të ngrihet në 5.1%, që do të thotë se: rroga më e ulët për punëtorët mbi 16 vjeç do të jetë 658.95 TL (rreth 320 euro) me një rritje prej 28.99 TL. Po të vazhdohet me termat ekonomikë, Turqia është në 16 vendet me ekonominë me rritje më të lartë të GDP në vitin 2010 me 735.8 miliardë USD dhe vendi mendohet se do jetë një nga 10 ekonomitë e para më 2023. Ndërkohë që thuhet se Turqia do shpenzojë më shumë nga gjithë vendet e tjera në Evropë përsa i përket planeve të Kërkimet dhe Zhvillimit. KE ka nxjerrë raportin e saj dhe, sipas saj, Turqia i ka ngritur shpenzimet e R&D (Research& Development) me më shumë se 10% krahasuar nga 2000-2009. Është mes katër vendeve evropiane që shpenzojnë më shumë. Nga ana tjetër, Tregu i Sigurimeve, megjithëse 70% dominohet nga të huajt, mendohet sipas autoriteteve vendase “se do ketë më shumë investime në sektorin e sigurimeve turke”. Por, Turqia nuk po qëndron indiferente dhe ndaj burimeve energjetike. Me Rusinë po vazhdojnë negociatat për rregullimet e çmimit të gazit dhe vendimit në lidhje për të ardhmen e kontratës së gazsjellësit në perëndim. E ashtu si në perëndim, vendi nuk harron t’i ketë sytë nga Lindja. Kur e gjithë bota vazhdon të shmangë Irakun, Erdogan ishte atje në krye të 200 biznesmenëve dhe mallrat turke e kanë pushtuar tregun në Bagdad. Ashtu si Ahmadinaxhed mund të jetë i izoluar nga Perëndimi, por ata kanë një tregti prej plot 10 miliardë USD me Iranin. Në këtë rast, TIKA me ndihmën e saj direkt dhe me dhjetëra qindra projektet kudo rajonit (më së shumti me atë që flitet se ka qenë i lidhur me perandorinë) është mbresëlënës. Më kujtohet se në fjalimin e Davotoglu ai thotë se kur i kërkuan diku në Afganistan për t’u ndërtuar një shkollë, ai thirri direkt shefin e TIKA-s dhe i thotë mbaj shënim. Pas pak gjëja bëhet. Kujtoj se Omeri ka qenë kohët e fundit në Afganistan... ”Bukur, më thotë, shumë mirë”. “Kush”-e pyes. “Atje”.

Çdokush duhet të shohë fuqinë e Turqisë

Ndërkaq Perëndimi i frikësohet mirë e bukur dhe me të drejtë, sidomos teorisë së tyre të neotomanizmit, që pak a shumë e shikon zhvillimin e të gjithë rajonit, që dikur ishte pjesë e perandorisë si vend zhvillimi dhe gjenerimi të një marrëdhënie të ngushtë tregtare, ekonomike dhe pse jo dhe politike. Dhe, vërtet, në këto kohë zgjimi dhe revolucioni duhet të shikosh Turqinë. Në Egjipt, parullat që hidheshin nga protestuesit e donin vendin të ishte si Turqia. Është bërë një vend kaq ambicioz, saqë në një Lindje të Mesme kaq turbulente, besohet se ajo ka rolin e vërtetë demokratik. Ajo është zëri më modern i gjithë zonës. Jo më kot, kur i kërkohet nevoja, ajo afrohet menjëherë si mediatore. Zëvendëskryeministri Cemil Çiçek, që tani pritet të jetë speaker i parlamentit, do thoshte pak kohë më parë: “Çdokush e sheh fuqinë e Turqisë”.

Ajo ka mbështetur NATO-n, por s’është futur në Libi dhe duket se pret të afrohet koha e negocimit, ku ajo të jetë pjesë reale. Ndaj, zyrtarët e Ankarasë shfaqen shpesh krenarë para nesh, që duhet tu dukemi si pjesëtarë të një shteti liliput. Turqia s’ti kursen shumë dhëmbët. Ata iu kundërvunë ministrit frëng të brendshëm Claude Gueant kur tha se presidenti frëng po drejton një “kryqëzatë” kundër barbarizmit të Gadafit. Këtë turqit s’e pranojnë t’u kujtosh të kaluarën si pushtues, që për ta mbetet një kohë e madhërishme gjithsesi. Ca më shumë z. Sarkozy, që për ta është simboli i mospranimit të tyre në BE. Megjithatë, politika, politikë: Turqia ka çuar 5-6 anije për të kontrolluar embargon dhe në aeroportin e Bengazit ndihmon me ndihmën humanitare. Që nga 2005, Turqia po bën bisedime të stërgjata me BE-në, por kancelarja Merkel dhe presidenti Sarkozi thonë thjesht se për ta mjafton një “partnership i privilegjuar” sesa anëtarësi. Kjo e ka bërë Turqinë që të shtrojë pyetjen: Është Evropa një klub kristian apo është adresa e një komuniteti civilizimi?

Pamja aktuale është se Evropa është një klub kristian dhe ne shqiptarët e dimë mirë e bukur këtë, përpos servilizmit të qeverisë sonë. Këtë e vlerësoj pa masë te turqit. Dinjitetin. Në shpirtin e tyre ka ende bërthamë perandorie. Ndaj, Erdogan në Duseldorf tha para pak kohësh: “Fëmijët tanë vërtet duhet të mësojnë gjermanisht, por më parë duhet të mësojnë turqisht”. Këtu mbyllet edhe rrëfimi ynë për Turqinë e madhe të njerëzve të palodhur, që e ringritën vendin e tyre. Me Omerin ndahem ditë më parë.
...
Në Tiranë rrëmuja për të marrë valixhet më kujton pak Turqinë e Stambollit. Pak minuta më pas, teksa kthehem, një billboard me flamujt turk-shqiptar shënon “Vallë kush nuk e di këtë miqësi”. Po vallë, kush nuk e di?!

Publikuar: 07.08.2012 | 11:34
Lexuar: 2471 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime