E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

I kanë ndërruar fare pak zakonet e Shqipërisë dhe ca më shumë veshjet. Pak u bën përshtypje se banojnë në kryeqendrën botërore të artit, ndërsa në rend kuptohet se është mbijetesa.
Firencë, ose 'qyteti qe të sëmurë' prej artit...







Ben Andoni

Janë të shumtë shqiptarët e rinj që jetojnë në Firence. Janë studentë ose bëjnë punë të ndryshme, nga kamerierë, punëtorë ndërtimi dhe kushedi se çfarë punësh të tjera të vogla. I kanë ndërruar fare pak zakonet e Shqipërisë dhe ca më shumë veshjet. Pak u bën përshtypje se banojnë në kryeqendrën botërore të artit, ndërsa në rend kuptohet se është mbijetesa. Megjithatë për ata që rrinë pak e kanë të pamundur t’i shpëtojnë sindromës së qytetit, njohur me emrin e Stendhalit të madh

Falë një përkimi të rastit, pak ditë, do na duhet t’i kalojmë në Firence. Dikush ka krijuar një mundësi udhëtimi dhe të nesërmen nga alpet e ashpra kroate përfundojmë në kryeqytetin italian të kulturës. Ky është sfondi. Nga një zakon i mbetur i pas viteve ’90, nga kushedi se kush, të duhet që patjetër ‘e ke të detyrueshme’ të takosh bashkatdhetarë. Dhe, në Firencen e shekullit të XXI, më mirë në Toskanë, shqiptarët janë të panumërt. Për fat të keq, statistikat e institucioneve shqiptare nuk ndihnë askënd kur ke nevojë për punë statistike. Nga interneti kemi të lexuar se një organizim, që quhet RAT (Rrjeti i shqiptarëve të Toskanës) mëton se janë rreth 40.000 syresh në të gjithë rajonin. Ata kanë aktivitetet e tyre, organizimet e tyre dhe herë pas here bëjnë ndonjë aktivitet. Për fat të keq, incidentet janë shumë më të njohura sesa gjërat pozitive. “Nuk janë të gjithë ashtu si thonë. Shumë bëjnë punë të zeza, por shumë të tjerë janë studentë dhe ka shumë që shikojnë punët e tyre dhe nuk përzihen me askënd”, na thotë Albani. E hasim rastësisht në një restorant. Është befasuar për momentin se nuk ka kuptuar shqipen e folur, por pastaj e mbledh veten. Ruan aksentin disi femëror beratas dhe nga lirshmëria se si shërben duket se është shumë i miqësuar me pronarin...

Shqiptarët

“Isha këtu para ca vitesh. Erdha si student. Por fillova të punoj. Pastaj ika në Amerikë. U ktheva sërish. Më pranoi sërish ky pronari në punë”, më thotë djali pak i ngjallur. Biseda nuk zgjat shumë. Ikën shpejt se ka vendosur një skedinë. I thërret dikujt nga matanë. Është edhe ai shqiptar. Kanë vendosur të dy skedina dhe në banak u bashkohet dhe një i tretë, që dëgjon me ankth një ndeshje futbolli të Serisë A. Njëzetë minuta më vonë e mallkojnë shqiptarisht Lacion. Punën ia lënë një rumuni, që i thërrasin shkurt: O rumun. I ngrati s’bën fjalë. Shërben dhe bindet. Restoranti ‘modest’, që shumë afër Galerisë së Akademisë, me punët kryesore të Mikelanxhelos, përfshirë dhe Davidin e famshëm, ka vazhdimisht turistë të huaj. Djemtë, të ndërgjegjshëm për këtë ‘detaj’, e dinë se kanë një burim të pashtershëm jetese. Ndaj dinë ta mbajnë mirë. Vetëm se të tjerët s’janë kaq mirë. Të shpërndarë kudo, me shikimet e ngulura, sidomos në stacione, shqiptarët u ngjajnë disi skifterëve që janë gati të hidhen në çdo moment.

Nuk kanë ndryshuar shumë në veshje, ndërsa të duket se mbartin gjithnjë një copë egërsie Shqipërie në çdo veprim të tyrin. Për hir të së vërtetës, edhe namin s’e kanë më të pakët. Tmerr i bandave ndërkombëtare, për të cilët Firence dhe Toskana në përgjithësi duhet të jetë një destinacion i pëlqyer, ata njihen si furnizues droge dhe element krimi. Disa muaj më parë do bënte bujë aksioni, kur karabinierët e Borgo San Lorenco në Firence do të shkatërronin një bandë të përbashkët italo-shqiptare, e cila trafikonte në masë kokainë për të rinjtë nga Firence dhe deri më tutje në Areco e Bolonjë. Ishin plot dhjetë shqiptarë të arrestuar me një aksion që mbaroi në Shqipëri. Ndaj shtresëzime të vendasve duhet thënë se nuk janë aspak miqësorë.

Do bënte bujë në median italiane, kur në një palestër nuk do të pranohej një shqiptar adoleshent. Ishte familja italiane, mike e djalit, që me një akt qytetar dinjitoz e bëri të njohur këtë racizëm puro të vendasve. Që, në fakt, është më shumë një dëshirë për t’i mbajtur larg shqiptarët. Në fakt dhe kjo e ka një burim. Jo shumë kohë më parë policia e qytetit do sekuestronte rreth 1 milion euro pasuri që u përkiste trafikantëve të drogës në Shqipëri dhe në Itali. Mediat italiane do të publikonin se pasuria ishte e disa familjeve mafioze në Firence, por edhe klaneve të fuqishme shqiptare. Mes sekuestrimeve kishte makina luksoze, motorë dhe objekte luksi nga policia italiane. Këto akte, sigurisht, nuk mund të hedhin baltë në një farë mënyrë mbi pjesën tjetër të shqiptarëve. Sidomos studentëve. Falë sakrificave të pamata të familjeve tona arsimdashëse, por edhe atyre vetë, shumë syresh po bëjnë të pamundurën për t’u shkolluar dhe për të hapur një dritare ndryshe për jetët e tyre. Është gjëja më e zakonshme që syresh t’i hasësh teksa punojnë part-time kudo, për të mbijetuar, por edhe për t’u shkolluar me dinjitet. Rastis me dy syresh të veshur shumë bukur, që po flasin për një ngatërresë në shkollë me procedurat administrative. Ndaj, vetë administrime të studentëve kanë marrë situatën në dorë. Një institucion i tillë, që e has në internet, ASUF (Albanian Students of the University of Florence) ndihmon jo vetëm integrimin e tyre, por edhe këshillimin për informacione të ndryshme.

Firencë, ose 'qyteti qe të sëmurë' prej artit...
Për fat të keq ata që s’kanë bursë u ndodh që nuk i plotësojnë si duhet dokumentet dhe pastaj u duhet të përballojnë shuma shumë të kripura. Procedurat, oraret, qiratë, përshtatjet e tjera janë një andrallë që shqiptarët tani i zgjidhin me kujdes mes vete. Një organizim tjetër, RAT, ka shkuar dhe më tej, kur fton këngëtarë të njohur shqiptarë si Alban Skënderi dhe Pirro Çako, që të performojnë. Kurse një organizim tjetër, që ata pretendojnë si Lidhja e Shkrimtarëve shqiptarë në Toskanë arrin e bën dhe aktivitete letrare. Astriti, një djalë 21-vjeçar nga Vlora, më thotë me saktësi çdo gjë, por edhe sesa e vështirë është për të dhe miqtë e tij. “Bashkë ia dalim, por në rast se do jesh vetëm e ke shumë të vështirë”, sqaron.

Për Firencen

Mundohet të më sqarojë dhe gjëra të tjera, por ia kursej andrallat ngaqë dua të shikoj Firencen. Qyteti të kursen kohë nëse vërtet do t’i drejtohesh menjëherë qendrës historike të Firences, pronë e UNESCO-së që nga viti 1982. Kushdo që shkon në fillim, këmbët instinktivisht, ose edhe duke pyetur, e përcjellin në Piaca dela Sinjora, ku kopja e veprës së Davidit të Mikelanxhelos ngrihet krenare përballë veprës tjetër të Donatelos. Duhet të hapësh në një fraksion minute pak vend, sepse turistët e shumtë nuk të lënë të bësh qoftë edhe një hap të vogël më tej. Dhe, nëse je në Firence, do kuptosh se çdo të thotë për qytetin dhe gjithë Italinë të ketë këtë trashëgimi të pamatë. Dy miqtë e mi shqiptarë u mjafton e gjithë kjo që shikojnë dhe kur u them se pak metra më tej është Galeria Ufiçi dhe ku na duhet të presim vetëm pak orë që të shikojmë disa mrekulli nuk pranojnë. Hallakaten disi të tronditur andej-këndej. Nuk e di nga saktësia e detajeve apo nga i gjithë ky ansambël që mbledh sheshet elegante, akademitë, parqet, miniaturat, muzeumet, atelietë, pallatet, interierët, kishat, buron madhështia e qytetit. Ka të ngjarë të jetë harmonizimi me sukses i tyre dhe puna e brezave në respekt të njëri-tjetrit.

Nëse vendos këmbët mirë në tokë dhe shikon përreth do të ndjesh imazhin që të agreson pandalim. Pranë punës së Donatelos një çift shqiptarësh, të veshur mrekullisht bukur, po zihen për një pozë. Pastaj, ai nuk e bind dot atë që të presin në Galerinë Ufiçi. “A je i çmen, a”. A’spo t’mjaftojnë kto të gjitha...”. Bashkëbisedimi me ton më zgjon nga letargjia dhe më fut në rrjedhën e vendit nga vi dhe ku një mori kandidatësh politikë-komunalë bëjnë propagandë për qytetet e tyre. E qytetet e Shqipërisë janë një mjerim në konceptimet e tyre, sepse të tillë kanë qenë përgjatë historisë tonë të gjithë kryebashkiakët e vendit tim. Kjo është një temë tjetër, që e shtjelluar këtu duket absurde. Firence me impaktin historik në muzikë, arkitekturë, modë, kuzhinë, filozofi, shkencë, aktrim, religjion është e pashembullt. Është ndoshta një nga vendet më të kërkuara dhe më të ëndërruara për njerëzit në botë...

Firence

Një ditë më vonë, qytetin e përshkojmë me autobusin e zakonshëm, udhëtimi i të cilit fillon nga periferia ku rri dhe përshkon të gjithë qytetin mbi lumin Arno. Në fund, ai i drejtohet Piacës Stacione, ku fillojnë të gjithë linjat e qytetit. Nga aty futesh në një nënkalim nëntokësor, mbushur me dyqane modeste dhe del në pjacat kryesore të qytetit historik. Nëse ke ndonjë pretendim për modën, atëherë prit se këtu do ndeshësh inferioritetin para Ferre, Dolce&Gabana të vërtetë dhe një mori të tërë dyqanesh, ku vërtet është frikë të futesh. Ndaj i besohesh udhëtimit në qytet. Si një nga më të pasurit e mesjetës, Firence duket se e shpalos këtë në të gjithë ndërtimet e realizuara përgjatë qindra viteve.

Vendlindja e Renesancës ka një impakt që edhe sot e kësaj dite është e pamatë. Dy janë vendet që nuk duhet të humbasësh, Ufiçi, që mbledh rreth 1.6 milion turistë dhe Piti. Të mendosh se ecën në një vend ku kanë lindur dhe jetuar Dante, Bokaçio, Leonardo da Vinçi, Botiçelli, Nikolò Makiaveli, Bruneleski, Mikelanxhelo, Donatelo, Galileo Galilei, Katherin de’ Mediçi, Luixhi Cherubini, Franko Zefireli, Salvatore Ferragamo, Roberto Cavalli, atëherë e ndjen se të kalon një si i ftohtë. E mbledh shpejt veten...

Ndryshe në radhë

Dhe bëhem esëll kur i afrohem derës kryesore të Ufiçit, ku tre radha të mëdha njerëzish prej orësh presin të futen brenda. Vjen koha kur një shënjues elektronik shënon anglisht: Koha e pritjes 3 orë. Gjatë kësaj kohe kam pasur një çift skandinavësh përpara; një aziatik pas, që jep gromësima të frikshme, që nuk i shkojnë elegancës së sjelljes të tyre kontinentale; dhe tre ruse simpatike, që ‘e vrasin’ kohën mes cirilikeve të disa shkrimtarëve të tyre. Dhe, radhë që shkon e rritet pas dhe që mua më duket se do mbytet tutje në Ponte Vekio, Urën historike e ndërtuar dhe si banesë mbi të. Dy-tre policë qarkullojnë para radhës, kurse arabë dhe nuk e di se çfarë fshihen pas kolonatave të Ufiçit, që t’u ruhen. Policët italianë me veshjen e zezë dhe me rripat e kuq nuk ia dalin. Tek-tuk shkëmbejnë ndonjë parje me manekinët, që imitojnë pa lëvizur figurat ikonike të Rilindjes Italiane.

Të gjithë turistët, në pritjen e gjatë, e kanë mundësinë që ta ndjekin live këtë lojë kukamëçefti, si argëtim për kohën e kaluar. Veç aziatikut, pas meje, që nuk reagon, një buzëqeshje lodron në fytyrat e turistëve që presin në radhë të panumërt. Ndërkohë, vajza te reja me tabela të mëdha të grishin se po t’u paguash 33 USD ato mund të ndihmojnë të futesh ndryshe në radhë. Pak njerëz lëvizin nga radha. Më qeshet kur kujtoj dhe ndaj me skandinavët përpara ndjesinë e njëjtë: Italianët e kanë namin disi që ta hedhin dhe më mirë ia vlen që pas kësaj radhe të futesh brenda. Skandinavi ikën dhe vjen. Në krye të 30 minutash më thotë. “We need just to pass and some more windows”1. E ka fjalën për disa dritare që janë përbri. Kur arrin e futesh më vonë në Ufiçi je i stërlodhur. Megjithatë një forcë të vjen nga brenda dhe kur paguan 11 eurot që të kushton hyrja, ka ende forcë. Galeria, në paretet sipër, ka edhe figurat më të mëdha të pikturuara të Lashtësisë, Mesjetës dhe personazhe të njohura të Papatit, ka një vend që i është dedikuar edhe Skënderbeut.

Firencë, ose 'qyteti qe të sëmurë' prej artit...
Nuk ia dal dot që ta gjej. Do të jetë mbase në restaurim, ngushëlloj veten. Ufiçi të ngjit në katin e dytë dhe pastaj të tretë, ku dy hapësira të stërmëdha, njëra nga të cilat në cep shikon dhe lidhet me Ponte Vekion, të hapin udhë në holle seksione të mëdha ndarë nga hapësira. Ka koleksione sipas shkollave dhe aty mund të shikosh Italinë e ëndrrave të artistëve të gjithë botës: Xhoto, Çimabue, Botiçelli (ky ka koleksionin më të madh këtu), Leonardo da Vinçi, Donatelo, Mikelanxhelo, Rafaello, Ticiano, Karavaxhio, Bernini, Rembrandt, Peter Paul Rubens, Françisko Goja, Tintoreto, Masaçio, Xhorxhio Vasari, Kanaleto, El Greko, Dyhrer, Kranah. Nëse do kesh fatin të kalosh Korridorin e famshëm Vasari, një galeri që lidh Palaco Vekio me Pallatin Piti kalohet nga këtu mbi Ponte Vekio. E përshkoj shpejt, por punët e mjeshtrave, si kudo, janë të fortifikuar me xhama të trashë. Dua të gjej kohë për një tjetër vend. Kur dal është pak shi dhe koha është errësuar. Pak qindra metra më tutje, pas Katedrales në sheshin Duomo është Galeria e Akademisë, ku është koleksioni i madh i Mikelanxhelos, me Davidin origjinal, ikonat ruse dhe punë nga mjeshtërat e tjetër italianë. Arrij në fund.

“Nëse do vish në orën 08,30 të mëngjesit, nuk do presësh më shumë se një orë e gjysmë”, më thotë një nga punonjësit. Pak orë më vonë jam sërish në udhëtim. Ka ngushëllim gjithsesi. Kthehem nga Via Roma. Nuk ka qoftë dhe një cep të vogël në këtë qytet, që të mos ketë pak art. Simboli i qytetit ka mbetur Kubeja e famshme, në mos gaboj prej leximeve, realizuar nga Arnolfo di Kambio, që i dha nëj drejtim ndryshe arkitekturës së qytetit dhe pa asnjë dyshim Filipo Bruneleski, shemri në art i madhështisë ndërtimore të Mikelanxhelos. “Paradoksalisht”, gishti i këtij të fundit, bashkë me atë të Verrokios, Bronzinos është në San Lorenco, në kishën e bërë nga Bruneleski. Por, qyteti të grish pafund. Pak më tej, Arnolfo di Cambio ndërtoi Bazilikën e Santa Kroçe, tempullin e lavdisë italiane me afresket e Xhotos dhe vendin ku janë varrosur Mikelanxhelo, Galileo Galilei, Nikolò Makiaveli, Ugo Foskolo, Rosini. Harta shumë herë është e tepërt në këtë vend, kurse njerëzimi i duhet t’i jetë mirënjohës, atyre që e realizuan këtë mrekulli.

Sindroma

Mbi të gjitha, ky qytet i duhet të jetë mirënjohës Mediçëve, bankierëve të papës që kontribuuan direkt. Në një linjë trashëgimie që vjen nga Kosimo vazhdon te Piero dhe mbaron te Lorenzo, që do meritonte emrin “I madhërishmi”, ata i dhanë qytetit pa fund. Ky i fundit, mecenati i Mikelanxhelos, Leonardo da Vinçit dhe Botiçellit, arriti që ta fuste veten dhe njerëzit e tij në përjetësi. Për Firencen është e pakët të shkruash ose mbase duhet të kesh përmasat e personazheve të tij. Të kesh gojën e ‘prapët” të beninit, që e kam dëgjuar duke recituar Danten, që fiorentinët e përzunë, apo të jesh një mjeshtër si Zefirelli. Vetëm atëherë mund t’ia dalësh. Kështu hesht.

Më mirë. Pas një udhe që vazhdimisht me nxjerr te Piaca Republika para harkadës së madhe ku një grup arabësh, në mos gaboj performojnë, kthehem sërish tek Duomo. Katedralja e famshme, nga më të mëdhatë në kontinent me kupolën e Bruneleskit, të grish për pushim. Është koha që pas një endje shumë orëshe të ulem. Duhet të jetë e vërtetë sindroma e Stendalit. Në kaq pak metra katror të marrësh këtë ngarkesë estetike, është e pamundur. Por është e vërtetë. Firence të godet dhe të bën të mendosh por edhe të sqarosh me veten se njëherë në jetë ke ardhur në Mekën e artit, krijuar nga njerëzit mbinjerëz të Rilindjes...
...
Një nga të huajt që shikoj ekspozitën e Miro, Dali dhe Pikaso, më ngacmon vazhdimisht. Do të më shpjegojë me zor se këta amerikanët ta shpifin. Janë pafund studentë dhe vinë e stërhallen këtu, më thotë. Janë si të paparë, më thotë burri që ka një mani që do të flasë. E aprovoj. I largohem. Duhet të kthehem pas në Shqipëri në përpjekje për tu çliruar nga simptomat e Sindromës së Stendalit. Kjo më duhet. Pak orë më vonë bëhem esëll. Jam në një radhë absurde me shqiptarë që rrinë ngjitur në aeroport të check-ojnë biletat. Konfuzojnë dhe nuk e di se çfarë.

Publikuar: 08.08.2012 | 12:26
Lexuar: 2308 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime