E diel, 16.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Aktorë, ambasadorë, politikanë dhe kineastë kanë defiluar mbrëmë në natën e parë të festivali ndërkombëtar “Pri Film Fest”. Aktorja britanike Vanessa Redgrave pret që ky festival të jetë një festival i njohur në të gjithë botën. Në të njëjtën kohë, Valton Beqiri i ka dhënë mirënjohje aktores për ndihmën e dhënë për popullin e Kosovë gjatë ditëve të vështira, por fatkeqësisht nuk i kujtohej asnjë film në të cilin luan kjo aktore
Redgrave tek ne













Të veshur si më së miri dhe me një kompozicion të ndryshëm kanë defiluar në tepihun e kuq të vënë para Teatrit Kombëtar të Kosovë aktorë, politikanë, ambasadorë dhe kineastë në ditën e parë të festivalit Pri Film Fest.

Aty kanë defiluar ambasadori amerikan Christopher Dell, ambasadori britanik, Andy Sparks, aktorja e njohur britanike, Vanessa Redgrave, aktorë të ndryshëm kosovarë dhe politikanë vendorë.

Ambasadori i Britanisë se Madhe në Kosovë, Andy Sparks, ka thënë se festivali është i mirë edhe për Kosovën, pasi që ai do të bëhet edhe më i madh, aq më shumë kur në të merr pjesë edhe aktorja britanike Vanessa Redgrave.

“Pra, festivali do të rritet edhe në të ardhmen”.

Ndërkaq, ambasadori amerikan, Chritopher Dell, i shoqëruar me gruan e tij, ka thënë se kjo është një ngjarje e mrekullueshme për Kosovën.

“Është një ngjarje e mrekullueshme jo vetëm për Kosovën, sepse do të këtë shumë pjesëmarrës nga Kosova, por edhe shumë vende të tjera. Ne të gjithë kemi parë filma të Vannesa Redgrave, edhe pse nuk kam parë kohëve të fundi”, ka thënë për Express ambasadori Dell.

Ndërkaq, aktorja e njohur e Hollywood-it dhe e teatrit, Vanessa Redgrave, e cila ka në vitrinën e saj edhe një çmim Oskar, ka thënë se festivali “Pri Film Fest” do të jetë një festival i njohur në të gjithë botën.

“Pse të mos jetë një festival i njohur në të gjithë botën, pra jo vetëm në Ballkan? Kosova është pjesë e botës, kështu që edhe festivali mund të bëhet i tillë! Ky është qëndrimi i im”, ka thënë Redgrave për Express.

Ajo ka thënë se nuk ka parë ende ndonjërin prej filmave konkurrues, ndërkaq filmin e parë do ta sheh sonte dhe mandej mund të jep edhe vlerësimet e saj të para për filmat.
Ndërkaq, aktori dhe regjisori Synaj Raça ka thënë se festivali nuk ndryshon shumë prej festivaleve të njohura botërore.

“Është festival i një niveli ndërkombëtar. Shihet që organizatorët kanë punuar në një kohë të gjatë dhe i përgëzoj për këtë punë shumë të madhe që e kanë bërë. Besoj që ky festival do të këtë jetë të gjatë dhe në të do të promovohen vlerat tona artistike”, ka thënë ai.

Festivali ka filluar me filmin e regjisorit shqiptar Gjergj Xhuvani, “Lindje, Perëndim, Lindje” të martën në mbrëmje, ndërkaq do të përfundojë të mërkurën e ardhshme, kur do të bëhet edhe dhënia e Hyjneshës në Fron për filmin më të mirë të festivalit.

Beqiri s’e njeh karrierën e Redgrave

E qetë, por e hapur për të gjithë. Ndonëse në moshë, ajo është fine në çdo aspekt.
Është fjala për aktoren e njohur në botën e filmit, Vanessa Redgrave.

Ajo i kthehet Kosovës pas një periudhe 10 vjeçare, tashmë si presidente e bordit të “PriFilmFest”.

Në 24 orët e para të ardhjes, Radgrave u takua me ministrin e Kulturës, Valton Beqiri, dhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.

Beqiri i dha Redgarve një mirënjohje dhe e falënderoi për sensibilizimin e çështjes së Kosovës në opinionin botëror për humanizmin ndaj fëmijëve dhe refugjatëve kosovar, për mbështetjen dhe inkurajimin e vazhdueshëm të artistëve kosovar.

Por, Beqiri u shtang kur në drejtim të tij erdhi pyetja se cili ka qenë filmi i fundit që ai e ka parë, e ku luan aktorja Vanessa Redgrave.

“S’po m’ kujtohet çfarë filmi kom pa së fundi sepse ka qenë shumë kohë më parë”, tha Beqiri pas pyetjes.

Redgrave është fituese e një çmimi Golden Globe dhe një çmimi Oscar, ndërsa e nominuar edhe për dhjeta herë në disa festivale. Ajo ka luajtur në më shumë se 50 filma e shfaqje teatrale.

Por, Beqiri ka falënderuar Redgrave për riardhjen e saj pas vizitës që kishte bërë në vitin 1999 Kosovës, ku edhe kishte organizuar festivalin “The Returns”.

Beqiri madje i ka bërë Redgravit edhe një prezantim të flamurit të Kosovës.

“Shpresoj se tash pas sa vitesh të ardhjes suaj në Kosovë po e shihni që në Kosovë po fillon edhe një festival i ri, të cilin ne e kemi parë të arsyeshme ta përkrahim dhe duke shpresuar se aktivitetet e tilla të ngjashme me njerëz të mëdhenj do të jenë në favor të zhvillimit të kinematografisë”, tha ministri Beqiri.

Radgrave ka potencuar se ka kohë që mendon të vjen në Kosovë, por që angazhimet e saj në vende të ndryshme të botës kanë bërë të pamundur ardhjen për disa vjet.

“Ka pasur shumë ngjarje për mua që kanë ndodhur këto vite dhe jam munduar të bëj atë që kam mundur në pjesë tjera të botës”, tha Redgrave.

Redgrave iu është përgjigjur pyetjes pse ka vendosur që në vitin 1999 t’i ndihmojë refugjatët e Kosovës. “Ka qenë një e padrejtë e madhe internacionale që është bërë ndaj Kosovës në atë kohë dhe thjesht si një qytetar i thjeshtë që jam rritur të mendoj drejt, ka qenë detyra ime për të bërë diçka të vogël për dikë dhe të bëj drejtësi për dikë”, tha Redgrave./Gazeta Express/


Publikuar: 23.09.2009 | 10:38
Lexuar: 2086 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime