E shtunë, 17.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Për shumë romanë, Ostia është një qytet bregdetar që për ta ka qenë një nga pikat rituale turistike për vite të tëra. Një vendqëndrim pushimesh në ditët e nxehta të verës. Fëmijët ndërtonin kështjella rëre në bregdet, çadrat ishin të mbushura me njerëz dhe turistët bënin shëtitje mbrëmjeve në bregdet. Por kjo tablo nuk është përsëritur këtë vit.
Italianët qëndrojnë në “shtëpi” për pushime






Për shumë romanë, Ostia është një qytet bregdetar që për ta ka qenë një nga pikat rituale turistike për vite të tëra. Një vendqëndrim pushimesh në ditët e nxehta të verës. Fëmijët ndërtonin kështjella rëre në bregdet, çadrat ishin të mbushura me njerëz dhe turistët bënin shëtitje mbrëmjeve në bregdet. Por kjo tablo nuk është përsëritur këtë vit. Edhe tani, në pikun e verës, plazhi është bosh, i braktisur, me karriget e zbrazura. Vendasit do ta ndjejnë këtë verë mungesën e turistëve, që përbën për ta një pjesë të mirë të të ardhurave vjetore. Arsyeja është se shumë romanë, me xhepat e “holluar” nga mungesa e parave, me rripin shtrënguar për shkak të reformave të shumta të kursimeve të ndërmarra nga qeveria, kanë pasur frikë që të shkojnë me pushime dhe të harxhojnë për një verë që mund t’i paraprijë një dimri të vështirë dhe mbi të gjitha, pa para. Dhe kjo për një vend që ndodhet 25 kilometra larg Romës dhe në të cilin mund të shkohet edhe me një autobus të zakonshëm dhe me fare pak shpenzime. Roma mund të jetë afër, por gjithsesi nafta dhe benzina janë shtrenjtuar shumë. Çmimet e biletave të trenit dhe autobusit janë rritur dhe njerëzit, më shumë se kurrë, po e ndjejnë peshën e krizës. Ky qytet bregdetar, që ka qenë një “mekë” për turistët në çdo stinë të vitit, mund të përbëjë dhe një shembull të qartë për situatën në të cilën është Italia dhe italianët sot. Rënia e numrit të turistëve dhe të të ardhurave, sigurisht që nuk është një fenomen që ka prekur vetëm këtë lokalitet turistik. Sipas Shoqatës Italiane të Hotelerisë, këtë verë, pesë në dhjetë italianë nuk kanë shkuar dhe nuk do të bëjnë pushime. Një shifër kjo tepër e lartë dhe që për hir të së vërtetës nuk është vetëm italiane. Gjysma e të pyeturve në sondazhet e bëra thonë se arsyet për të cilat nuk do të bëjnë pushime këtë vit janë ato financiare. Pra është një shifër që flet për një tendencë të dukshme.

Edhe në Sardenjë, turizmi ka pësuar një rënie prej 30% këtë vit krahasuar me 2010-n. Vihet re ulje e ndjeshme e çmimeve të kabinave dhe hoteleve, por edhe me këto oferta shumë të mira dhe të leverdisshme krahasuar me vite më parë është shumë e ulët. Tashmë në Ostia dhe në plazhe të tëra të vendit preferohen rëndom jo resortet në të cilat paguan sapo futesh, por plazhet e lira në të cilat mund të vendosësh një peshqir dhe të kënaqesh në rrezet diellit, pa paguar asgjë. Për momentin romanët janë tërhequr nga plazhi i tyre i preferuar dhe nuk e kanë bërë me keqardhje. Por ky është realiteti. Çmimet e gjithçkaje janë rritur, ndërkohë që rrogat mbeten të njëjta. Zakonisht njerëzit zgjedhin pushime ditore në plazhet dhe zonat turistike të cilat janë pranë banesave të tyre. Kanë hequr dorë nga pushimet në zonat turistike jashtë vendit, të cilat janë të shtrenjtua dhe të pakapshme. Një nga arsyet që njerëzit janë tkurrur këtë vit është edhe publikimi në media i lajmeve për përkeqësimin e gjendjes financiare. Ndaj pasi shohin lajmet, njerëzit mendohen dy herë para se të prenotojnë pushime të shtrenjta, duke menduar se ndoshta me ato para mund të jetojnë në një periudhë kur të mos ta kenë vendin e sigurt të punës. Kjo sepse askush nuk e di se kur do të marrë fund kriza ekonomike. Kriza vihet re edhe nëpër restorantet dhe diskotekat e vendet në të cilat zakonisht shpenzohet shumë gjatë pushimeve. Tani, njerëzit preferojnë që ushqimin ta marrin me vete ose në disa raste të blejnë ushqim në supermarkete apo të shkojnë në vende ku ushqimi serviret me vetëshërbim. Diferenca vihet re edhe te kohëzgjatja e pushimeve. Nëse vitet e shkuara shkonin nga tri javë, zakonisht këtë vit gjithçka është reduktuar me një javë maksimumi dhe pjesa tjetër bëhet vajtje-ardhje në pikat turistike më të afërta të qyteteve. Kjo tendencë e të qëndruarit në shtëpi po bëhet një rregull dhe madje, në Itali ka dalë edhe një videoklip me titullin: “Resto a Roma” (“Po qëndroj në Romë”). Ky mund të quhet edhe lajtmotivi i italianëve këtë verë të gjatë e të nxehtë dhe me pak para dhe pushime.

Publikuar: 17.08.2012 | 09:28
Lexuar: 1662 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime