E martë, 11.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Botimi i ri poetik i Mustafajt u paraqit për lexuesin italian në panairin e fundit të librit të Romës, i cili përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën kulturore italiane. Tema qendrore e këtij panairi sivjet ishte “Piú libri Piú liberi”.
Territori poetik i Mustafajt!








Përmbledhja me poezi të zgjedhura e Besnik Mustafajt “Legjenda e lindjes time”, botuar në shqip nga “Toena”, doli edhe në italisht nga shtëpia botuese “Ensemble”, me qendër në Romë. Ky është libri i dytë i Besnik Mustafajt që botohet në italisht, pas esesë “Midis krimeve dhe mirazheve”, botuar nga “Garzanti”, po ashtu në shqip nga “Toena”, e cila ka tashmë ekskluzivitetin e botimit në origjinal të të gjithë veprës letrarë të Mustafajt. “Legjenda e lindjes time” është përkthyer në italisht dhe shoqëruar me një parathënie nga poeti i mirënjohur shqiptar Gëzim Hajdari, i cili jeton dhe krijon prej shumë vitesh në Itali.

Botimi i ri poetik i Mustafajt u paraqit për lexuesin italian në panairin e fundit të librit të Romës, i cili përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën kulturore italiane. Tema qendrore e këtij panairi sivjet ishte “Piú libri Piú liberi”.

Në njoftimin për shtyp të organizatorëve të konferencës, ku do të paraqitej “Legjenda e lindjes time”, shkruhej: “Vargu i Mustafajt është i vërtetë dhe thellësisht i jetuar, i mbushur me humanizëm dhe universalitet. E vrullshme dhe e mbushur me shqetësim të përditshëm, poezia e tij mbart dhembjen dhe vuajtjen njerëzore, në pritje të një rrezeje drite gjatë netëve të errëta, të cilat dukeshin sikur nuk do të kishin fund… Territori poetik i Mustafajt është një territor i rrezikuar, i banuar nga shtriga, net të verbra, pyje të errët, ujqër, gjak. Janë simbole negative, të cilat, si parandjenja, ndjellin një fat të kobshëm për poetin dhe vetë poezinë. Dashuria si shpirt i botës. Poezia vetë mbijeton, duke sfiduar çdo lloj shtypjeje. Prekëse janë vargjet kushtuar gruas së poetit dhe nënës së tij, e cila, edhe pse e munguar, është gjithnjë e pranishme brenda të birit, e gatshme ta mbrojë e t’i mësojë atij ligjet e lashta të mbijetesës”.

Fjalën e hapjes në konferencën promovuese në panairin e librit të Romës e mbajti Matteo Chiavarone, drejtor i shtëpisë botuese. Ndërsa kritiku dhe studiuesi Ugo Fracassa, profesor i letërsisë në Universitetin Roma Tre, i cili e mori fjalën posaçërisht, tha ndër të tjera se poezitë e përmbledhura në këtë libër janë shkruar gjatë një periudhe që përkon me gulçimat e mbrame të dimrit të gjatë të diktaturës. Autori ka mundur të mbijetojë në ngricën kulturore të atyre viteve para së gjithash në sajë të rrënjëzimit në një gjeografi ndjenjash, e cila përputhet me territorin e painfektuar të fëmijërisë: Atje ku jam lindur unë/ dimri borën e ngrirë/ e fsheh në të çara shkëmbinjsh/t’i jap verës njomështinë/. Nëpër ujërat e kthjellëta përkunden gurët/përkunden pyjet dhe fytyrat e njerëzve/Jo majëmalet, sytë e pëllumbave të egër/në të katër skajet qiellin e mbajnë nderur. Kjo fëmijëri megjithatë është e pakthyeshme, e murosur si Rozafa “në themelet e qytetit të ri.” Gardiane e këtij territori është një nënë e lashtë, e cila njësohet me “ligjet e lashta” të trungut, ndërkohë që djalosh, poeti (ai e botoi përmbledhjen e parë me poezi më 1977) gjendet “i përhumbur” në qytetin e madh, qyteti i pushtetit, por edhe i asaj kulture, e cila do e udhëhiqte, pas rënies së Murit të Berlinit, tranzicionin drejt institucioneve demokratike.

Në tjerrjen alegorike të vargjeve të tij, në të vërtetë, është ende e mundur të merret një jehonë e asaj fjalës “me vend”, e aftë të provokojë reagimin e menjëhershëm censurues të pushtetit, për të cilin ka shkruar së fundmi filozofi Giorgio Agamben. Shumë pikëpyetje që shtrohen në këto poezi duket se nuk kanë marrë ende sot e kësaj dite përgjigje përfundimtare, siç e shohim, për shembull, tek të rinjtë e sheshin Tahrir, të cilët duhet të pyesin “Ç’është mbreti?”, po ajo pyetje që, ende fëmijë, poeti i shtronte nënës, dhe merrte prej saj këshillën për të mbajtur sytë hapur mbi ata që, “ulur në një karrige si tënden/kërkojnë të mbretërojnë.” Legjenda e Mustafajt do të ndihmojë në ndërtimin në Itali të një peizazhi letrar, ku kanë mbirë këto vargje si një panoramë homogjene dhe koherente.” Gjuhëtari dhe poeti Andrea Viviani zhvilloi me poetin Mustafaj një dialog mbi lidhjet midis letërsisë dhe politikës, temë kjo e parapëlqyer nga publiku i shumtë, i cili i shtroi po ashtu poetit mjaft pyetje. “Legjenda e lindjes sime” është një përzgjedhje e krijimtarisë poetike të Mustafajt, shkruar në dhjetëvjeçarin 1976-1986 dhe botuar në librat “Motive të gëzuara” (1978), “Pragu i verës” (1985), “Fytyrë burri” (1987), si dhe nëpër revista e gazeta letrare më parë e më pas. Janë përfshirë këtu dhe një numër i vogël poezish, mbetur nëpër fletoret e autorit për arsye që lidhen me qëndrimin e poetit ndaj tyre në një periudhë të caktuar ose me hapësirat e lirisë së botimit, që jepte koha kur janë shkruar.

E. P., Standard

Publikuar: 19.01.2013 | 21:58
Lexuar: 1369 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime