E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Vitin e kaluar pati 5 milionë të infektuar të rinj me virusin HIV, shifër kjo më e madhe se numri i të infektuarve një vit më parë. Numri i të infektuarve ka arritur në 38 milionë vetë. Gati 3 milionë vetë vdiqën nga SIDA (AIDS) vitin e kaluar dhe virusi vazhdon të përhapet me shpejtësi.
HIV/SIDA, sfidë e pamposhtur










Mbi 40 milion njerëz në të gjithë botën jetojnë me virusin HIV. Në raportin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara të vitit 2004 thuhet se është bërë përparim i rëndësishëm përsa i përket sigurimit të mjekimeve për një numër më të madh viktimash të SIDA-s dhe përsa i përket arritjes së përkushtimit më të madh politik dhe financiar në luftën kundër sëmundjes fatale. Megjithë këtë, në raport thuhet se nuk janë bërë përpjekje të mjaftueshme për parandalimin e përhapjes së virusit HIV dhe SIDA-s.

Vitin e kaluar pati 5 milionë të infektuar të rinj me virusin HIV, shifër kjo më e madhe se numri i të infektuarve një vit më parë. Numri i të infektuarve ka arritur në 38 milionë vetë. Gati 3 milionë vetë vdiqën nga SIDA (AIDS) vitin e kaluar dhe virusi vazhdon të përhapet me shpejtësi.

Epidemia filloi të përhapej në fund të viteve ‘70s dhe në fillim të viteve 80, duke filluar nga Afrika Perëndimore deri në dalje të Oqeanit Indian, përpara se të kalonte në vendet në jug të kontinentit ku tani virusi po bën kërdinë. Afrika e Jugut rregjistron numrin më të madh të rasteve me HIV në botë, me 5 milion të prekur. Botsvana dhe Svazilend kanë përqindjen më të madhe të njerëzve që janë me HIV kur gati 40 % e të rriturve janë të infektuar. Në shumicën e vendeve, epidemia është përhapur që nga grupet me rrezikshmëri të lartë si përdoruesit e drogës dhe punëtorët e seksit dhe është stabilizuar fuqishëm në popullatën e gjerë. Ekziston shqetësimi se virusi HIV do të përpijë edhe Azinë.

HIV po përhapet me shpejtësi në Azinë Qendrore dhe Evropën Lindore. Numri i personave të infektuar është rritur trefish në periudhën 1999-2002. Në rajonet që dukeshin se i kishin shpëtuar epidemisë deri në fund të viteve ‘90 rastet filluan të rriteshin ndjeshëm falë përdorimit të drogës nëpërmjet shiringave të përdorura. Numri i personave të prekur, megjithatë është i vogël krahasur me Afrikën.

Asnjë rajon në botë nuk i ka shpëtuar prekjes nga virusi HIV, i cili është përhapur në grupet me rrezikshmëri të lartë, që variojnë nga minoritetet etnike në Amerikën Veriut e deri tek përdoruresit e drogës në Indi. Shifrat që flasin për infeksionet vazhdojnë të rriten në vendet e zhvilluara, ndërsa vendet me popullsi të madhe, megjithëse në fazat e hershme po e rrisin në mënyrë domethënëse numrin e përgjithshëm të të infektuarve në botë.

Afrika Sub-Sahariane

Më shumë se dy të tretat e njerëzve që vdesin nga Aids jetojnë në Afrikën Sub-Sahariane. Shifrat e vdekshmërisë vazhdojnë të rriten, ndërkohë që pasojat më të mëdha pritet të ndihen dekadën e ardhshme dhe më tej. Shumë vende po fillojnë të përmirësojnë përpjekjet për parandalimin, ndërkohë që përhapja e virusit ka treguar se edhe një fushatë e suksesshme mundet vetëm që të reduktojë gradualisht numrin e vdekjeve.

Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme

Infeksionet e virusit HIV në Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme po rriten, por prej një kufiri gati zero. Sëmundja është më përhapur në Somali dhe Sudan, por në Iran dhe Libi po shikohet një rritje. Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se mospranimi i realitetit nga udhëheqësit politikë po krijon një terren ideal për përhapjen e vazhdueshme të epidemisë.

Karaibet

Karaibet janë rajoni me përhapjen më të madhe të virusit HIV jashtë Afrikës. Në disa vende, ku përfshihen Haiti dhe Bahamas, Aids është tani shkaktarja kryesore e vdekjeve. Kombet e Bashkuara thonë se vdekshmëria e lartë i detyrohet kombinimit të jetës seksuale në moshat e hershme dhe numrit të madh të partnerëve seksualë mes të rinjve.

Evropa Perëndimore

E ndërsa terapia e përmirësuar u ka mundësuar njerëzve të infektuar me HIV të bëjnë një jetë normale, masat parandaluese duket se janë ulur së tepërmi. Ka shenja se marrëdhëniet e mbrojtura seksuale brenda komunitetit homoseksual janë stabilizuar, niveli i i përdoruesve të drogës nëpërmjet shiringave vazhdon të mbetet i lartë. Një tjetër çështje shqetësuese është se të rinjtë në disa vende nuk e kanë kulturën e përdorimit të prezervativëve dhe ka një rritje të infeksioneve të transmetuara seksualisht.

Evropa Lindore dhe Azia Qendore

Ky rajon - sidomos Rusia - ka njohur edhe rritjen më të madhe të epidemisë së HIV-it në botë. Kriza është ushqyer sidomos nga përdorimi i drogës nëpërmjet shiringave në moshat e reja. Duke qënë se përphapja nëpërmjet shiringave të përdorura dhe faktit që të rinjtë janë seksualisht aktivë, Kombet e Bashkuara tani paralajmërojnë se epidemia mund të jetë e menjëhershme. Vende të tjerë me një numër të madh të infektuarish janë Estonia, Letonia dhe Ukraina. Virusi po shtrihet ndërkohë edhe në Bjellorusi, Kazakistan dhe Moldavi.

Azia

Në Azi, ku jeton 60 për qind e popullsisë së botës, epidemia ka mbërritur vonë, por tani rajoni ka afërsisht 15% të rasteve të rregjistruara në shkallë botërore - me 3.9 milionë - më shumë se çdo vend tjetër me përjashtim të Afrikës së Jugut. Vetëm në vitin 2003 u infektuan më tepër se një milion njerëz me virusin HIV.

Kamboxhia dhe Tailanda kanë numrin më të madh të rasteve për numër popullsie. Rrugët më të zakonshme të përhapjes së infeksionit janë nëpërmjet praktikave të pasigurta të injektimit të drogës dhe marrëdhënieve heteroseksuale.

Në Indi ka 5 milionë të infektuar. Pas disa vjetësh India mund të zëvendësojë Afrikën Jugore si vendi me numrin më të lartë të sëmurëve me SIDA.

Rreth 1 milion njerëz të infektuar me virusin HIV jetojnë në Kinë. Ndërsa 10 milionë kinezë mund të infektohen me SIDA deri në vitin 2010.
Virusi HIV


Australia dhe Zelanda e Re

Australia është një prej vendeve të para që ka njoftuar rastet me Aids, por përpahpja e virusit është ulur së tepërmi që prej vitit 1984. Numri i vdekjeve që lidhen me Aids ka mbetur në vend, pjesërisht sepse pacientët janë duke mbijetuar prej terapisë me medikamentet antiretrovirale. Skema për shpërndarjen e shiringave dhe ageve në komunitetin e përdoruesve të drogës ka dhënë suksese të përdorura.

Amerika e Veriut

E ndërsa terapia me medikamentet antiretrovirale u ka mundësuar njerëzve të infektuar të jetojnë një jetë cilësore, Kombet e Bashkuara thonë se përpjekjet për parandalimin e virusit në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada kanë mbetur në vend. HIV është përqëndruar së tepërmi në komunitetet e varfëra dhe më të privuara, ku gratë janë më të rrezikuarat. Në Shtetet e Bashkuara, të rinjtë që vijnë nga komunitetet minoritare përballen me një rrezik më të madh nga infeksionet sesa ishin 5 vjet më parë.

Amerika Latine

Shifrat e infeksioneve janë më të lartat në Amerikën Qendrore dhe në Brazil, ku sëmundja është përhapur nëpërmjet marrëdhënieve heteroseksuale. Përhapja e virusit HIV nëpërmjet shiringave të përdorura është një shqetësim në rritje në vendet e tjera si Argjentina, Brazili, Kili, Paraguaji dhe Uruguaji.

Parashikime

Parashikimi i të ardhmes së përhapjes globale të virusit HIV është shumë i vështirë dhe disa projekte janë përpjekur ta bëjnë këtë. Studimet nga komuniteti i Shteteve të Bashkuara për Sigurinë, janë përqëndruar në disa vende që kanë predispozitë të shohin një rritje të numrit të të infektuarve. Ato vlerësuan se cili do të jetë ky numër deri në 2010. Kombet e Bashkuara kanë bërë parashikimet e tyre, sipas të cilave Kina do të ketë 10 milionë raste, kurse India 20-25 milion raste.

Parandalimi

Nga ky studim rezultoi se nga 45 milion rastet që priten deri në 2010, 29 million mund të parandalohen nëpërmjet zbatimit në shkallë botërore të paketës së masave parandaluese që kanë rezultuar të suksesshme në disa vende. Studimi, i cili është bërë vetëm në vendet e varfra dhe në ato me nivel mesatar , thotë se koha e kundërpërgjigjes është shumë e rëndësishme. Vetëm gjysma e infeksioneve mund të parandalohen nëse do të ketë një vonesë 3-vjeçare në zbatimin e masave për parandalimin e virusit HIV.

Nga programet për prandalimin e sëmundjes po përfitojnë më pak se një në pesë persona në të gjithë botën. Megjithatë veprimtaritë për parandalimin e sëmundjes në radhët e të rinjve, si dhe disa suksese të tjera, janë shtuar së tepërmi.

Janë shtuar së tepërmi shpenzimet për SIDË-n, por nevojiten më tepër. Kombet e Bashkuara thonë se financimet për SIDË-n janë rritur së tepërmi gjatë viteve të fundit, pjesërisht për shkak të nismës së qeverisë amerikane për SIDË-n. Por ende janë siguruar më pak se gjysma e parave të nevojshme. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhuruar sasinë e të hollave të pritur, por se ato shpenzojnë miliarda dollarë në luftën kundër terrorizmit.

Publikuar: 30.11.2009 | 16:15
Lexuar: 5333 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime