E shtunë, 17.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Tablotë e Shukries janë dhe një përshkrim i kësaj bote, si një artiste shqiptare, e cila nuk mund të qëndrojë e shkëputur nga historia e familjes dhe e vendit të saj. Një artist është më i ndjeshëm ndaj fatit të vendit të vet.
Burrat e trishtuar të Shukries
“Kokat” e artistes së re nga Tetova, Shukrie Neziri, vijnë në një ekspozitë jo vetëm si një kërkim individual në gjuhën e artit, por dhe si një nevojë për komunikim… mes artit në hapësirat shqiptare.

Burri në tablo i ka sytë mbyllur. Përtej ballit të lartë shtrihen flokët e tij të drejtë, ndërsa në buzë duket se fsheh diçka. Në portretin e njeriut dhe me sytë mbyllur, mund të kuptosh gjendjen e tij. Lumturia dallon nga larg dhe në një fije floku, ashtu siç dallon dhembja e thellë në ca buzë të mbyllura.

Shukrie Neziri, artiste e re nga Tetova, ka zgjedhur portretin e njeriut si një formë e hulumtimit të saj artistik. Koka njerëzish, të ndara nga trupi, të endur midis frikës dhe dëshirës për të ndryshuar, janë pamjet që të ofron ekspozita e saj e hapur prej një jave në Galerinë “Tirana ekspres”.

Duke e ndarë trupin nga koka, Neziri kërkon t’i japë jetë gjendjes, e cila vë në jetë ekzistencën tonë. “Koka, portreti ndoshta paraqet unin tonë, vetveten në këndvështrim nga jashtë apo nga brenda. Në rastin e punëve të mia kjo lidhet më së miri dhe me konceptin e shfaqjes së veprës para të tjerëve.

Kështu, kjo vepër mund të shfaqet e trishtuar, e ftohtë, e ngrohtë, e fortë apo energjike. Raporte të cilat mund të jenë dhe relative, pasi s’mund të jemi në një sens të gjithë të njëjtë në përjetim, apo këndvështrimi”, thotë artistja.
Burrat e trishtuar të Shukries

E kokat në tablotë e saj janë të ndryshme në dhembjen që mbartin, pasi çdo gjendje vjen nga një histori. Të gjithë ne kemi historinë tonë, e cila na lexohet shpesh në fytyrë. Ky është edhe koncepti i kokave të Nezirit, të sjellë përmes tyre historinë e njerëzve që ka pasur në mendje, ndërsa i ka pikturuar ato.

Njerëzve që mund t’i ketë parë diku në rrugën e lagjes së saj në Tetovë, apo ndërsa udhëton, mund të jenë të afërm të saj, apo njerëz që i ka parë veç me mendje… Fuqia e artit është interpretimi i mendimit, dhe piktura shpeshherë nuk është gjë tjetër veçse një inspirim prej asaj që ndodh brenda teje.

Gruaja së cilës artistja i ka veshur një fustan të lehtë të kuq, duket e shqetësuar, dhe pse ngjyra e saj mbi trup i ngjan dashurisë.

Flokët e gjatë që i kanë rënë shkujdesur mbi trup, dhe koka e përkulur tej me sytë e mbyllur fort, tregojnë se kjo grua është tepër e lodhur. Ajo ka nevojë të harrojë diçka.

Një kujtim apo një situatë në të cilën ndodhet. As ngjyrat e buta, të cilat artistja ka vendosur në portretin e saj, si e kuqja, e blerta, e kaltra, nuk mund t’ia fshehin shqetësimin. Mendimi e merr vetë formën e tij në tablo, mjafton që ti ta lësh të lirë veten. Dhe Shukria nuk mund ta ndryshojë atë që vjen natyrshëm brenda saj, dhe shkrihet në personazhe që duhet t’i ketë parë diku…

Ajo e ka të vështirë të shprehë se cila është gjendja që e shtyn shpesh drejt studios për të pikturuar, apo cilët janë artistët që e frymëzojnë. Që në kohën kur ishte studente në Universitetin e Arteve në Tetovë, në degën e Pikturës (klasën e profesor Luan Zengut), por dhe tashmë pas përfundimit të studimeve, marrëdhënia e saj me pikturën është diçka tepër individuale.

Një ngjizje që ndodh veç me të dhe telajon dhe një gjendje e pashpjegueshme me fjalë, por ndoshta me ngjyra, e cila sjell krijimin artistik. Për Shukrien, momenti i krijimit është diçka magjike, pasi përmes këtij momenti mund t’u japësh jetë gjendjeve të caktuara. Kështu kanë lindur me kokat e femrave dhe burrave që tashmë mund të shihen në “Ekspres”.

“S’më pëlqen kur gjendem përpara momentit të krijimit dhe t’i them vetes se motivi është dikush tjetër e jo unë. Më pëlqen depërtimi përmes ngjyrës në të brendshmen e të cilit për ta shfaqur atë jashtë…”, thotë ajo. E brendshmja është ajo që të gjithë i frikësohen ta shohin, ajo që Shukria e nxjerr prej thellësisë dhe e sjell në telajo me ngjyrat që i shfaqet.
Shukrie Neziri

Ka një komunikim në të gjitha tablotë e saj, një komunikim që duket se është vazhdim i një koncepti që artistja e ka pasur që në krijimin e tablosë së parë. Një mendim i nisur në fytyrën e një burri, duket sikur përfundon në një tablo tjetër disa metra larg tij, ku një kokë gruaje të trishton dhe pse i ka sytë e hapur. Është interesante ta zbërthesh këtë personazh.

Për një artiste të re, e cila vjen nga një vend si Maqedonia, ku për shumë arsye arti ka qenë gjithnjë në periferi, këto tablo shkojnë përtej një rrëfimi individual.

Tablotë e Shukries janë dhe një përshkrim i kësaj bote, si një artiste shqiptare, e cila nuk mund të qëndrojë e shkëputur nga historia e familjes dhe e vendit të saj. Një artist është më i ndjeshëm ndaj fatit të vendit të vet.

E rritur në një filozofi të tillë arti, dhe brezi i ri i artistëve shqiptarë në Maqedoni apo Kosovë, nuk e kanë shmangur këtë fakt nga punët e tyre, ku ndihet dhe fati i atdheut. “Ardhja më vonë e shumë gjërave te ne, ka krijuar dhe situata të pakëndshme, të cilat reflektohen në botën e artit.

Por komunikimi me artistët në të gjitha hapësirat tona, e veçanërisht në mesin e artistëve të rinj, besoj do të na kishte krijuar situata më të avancuara nga kjo që gjendemi tani”, thotë Shukria. Komunikimi, ato çfarë këto “koka” kërkojnë me ngulm, është ajo që jo vetëm Shukria, por gjithë artistët e brezit të saj kërkojnë.
Burrat e trishtuar të Shukries

Ekspozita, e cila qëndron e hapur në “Tirana ekspres”, është ekspozita e dytë personale pas asaj të hapur në vitin 2005 në Tetovë. Ajo zgjodhi Tiranën si stacionin e saj të dytë artistik, duke besuar se Tirana duhet të jetë kryeqyteti i artit për shqiptarët.

Ka një forcë në punët e Shukrie Nezirit, një forcë e cila ndihet që teksa i sheh këto piktura nga larg, që të shtyjnë t’i shohësh me kujdes për të kuptuar se e brendshmja jonë del në sipërfaqe, dhe pse na duket ndonjëherë se e kemi fshehur thellë.

Një rrudhë, ca fije flokësh të shkujdesur, apo një shtrëngim buzësh gjithmonë do të na tradhtojnë… (Shqip)
Burrat e trishtuar të Shukries
Burrat e trishtuar të Shukries

Publikuar: 04.05.2013 | 16:56
Lexuar: 1464 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime