E diel, 9.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Qeveria e asaj kohe e drejtuar nga Aleksandër Meksi u detyrua të japë dorëheqjen dhe vendi të kalojë në zgjedhje parlamentare të parakohshme, për shkak pas shpërthimit të revoltave popullore që filluan për shkak të rënies së firmave piramidale.
50 dorëheqjet më të bujshme të politikanëve në botë










Sali Berisha ka dhënë dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 23 qershorit. Duke qenë se Berisha ka qenë lideri historik i PD-së që nga themelimi, dorëheqja e tij ishte e bujshme për skenën politike shqiptare. Por kjo nuk është hera e parë që kryeministri Berisha jep dorëheqjen. Ai ka dhënë dorëheqjen edhe nga posti i presidentit në vitin 1997. Qeveria e asaj kohe e drejtuar nga Aleksandër Meksi u detyrua të japë dorëheqjen dhe vendi të kalojë në zgjedhje parlamentare të parakohshme, për shkak pas shpërthimit të revoltave popullore që filluan për shkak të rënies së firmave piramidale.

President i Shqipërisë që nga viti 1992, Sali Berisha detyrohet të japë dorëheqjen në vitin 1997, pas fitimit të zgjedhjeve nga ana e opozitës. Por në vitin 2005, Sali Berisha, arrin të fitojë zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut. Kjo bëri që ai të kthehet edhe njëherë në qeverisje, por kësaj here jo si president, por si kreu i qeverisë së krijuar prej tij. Dhe pas tetë vitesh Berisha jep sërish dorëheqjen, këtë herë nga kreu i partisë. E duke marrë shkas nga dorëheqja e Berishës, gazeta “Tirana Observer” boton 50 dorëheqjet më të bujshme në botë të politikanëve.

Në këtë speciale ka raste dorëheqjesh të rralla si Sydner Ridi në Ishujt Solomon që qëndroi në pushtet vetëm tetë ditë, por kanë ikur nga qeveria edhe vetëm pse s’kanë ndjekur lajmet kur ishin jashtë pune, si në rastin e ministres së jashtme suedeze, Laila Freivalds që rastisi në teatër kur ndodhi cunami aziatik. Kanë dhënë dorëheqjen megjithëse ishin më të vlerësuarit në qeveritë e tyre, për të protestuar ndaj vendimeve për të cilat s’ishin dakord, si Robin Kuk në lidhje me ndërhyrjen në Irak, e si Xhefri Hau për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Por disa, me dhënien e dorëheqjes, kanë shënuar edhe rastin e parë të një veprimi të tillë në historinë e vendit të tyre, si Fred Matungulu, në Kongo. Në këtë listë përfshihen vetëm dorëheqjet e politikanëve dhe të strukturave të lidhura me to, si krerët e CIA-s. Në këtë listë nuk përfshihet dorëheqja e Papa Benediktit, një ngjarje kjo që tronditi botën dhe që kishte shekuj që një Papë nuk jepte dorëheqjen.

Petër Nekas, Çeki[/b]
Skandali i korrupsionit dhe përgjimeve sekrete detyruan Kryeministrin e Çekisë Petër Nekas të jepte dorëheqjen. Dorëheqja e tij erdhi pas arrestimin të Jana Nagiova-s, shefes se stafit të kryeministrit dhe njëherësh të dashurës së tij si dhe të shtatë deputetëve apo ish-ministrave për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Madje sipas mediave e dashura e tij kishte arritur aty sa të përgjonte jo vetëm ministrat, por edhe bashkëshorten e kryeministrit.

Gulio Terzi, Itali[/b]
Ministri i Jashtëm i Italisë, Giulio Terzi, dha dorëheqjen, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë për të dërguar në Delhi, dy marinsë italianë të akuzuar për vrasjen e dy peshkatarëve indianë. Vendimi i Terzit bëri bujë për shkak të veprimit të tij, veprim i cili pushtoi faqet e para të shtypit të gjitha gjithë botës.

Karl-Theodor zu Guttenberg, Gjermani[/b]
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg ka dhënë dorëheqjen pasi u zbulua se kishte kopjuar pjesë në punënimin e doktoraturës. Guttenberg, i cili konsiderohej si një kandidat i mundshëm për kancelar ka kërkuar gjithashtu që t’i tërhiqet titulli doktor nga universiteti.

David Petraus, SHBA
David Petraus dha dorëheqjen si shef i CIA-s pas një skandali seksual. Petraus dha dorëheqjen pasi u zbulua se ai kishte një lidhje jashtëmartesore me Paula Broadëell, autore e biografisë së drejtorit të CIA-s. Mediat megjithatë hodhën dyshime mbi arsyen e vërtetë të dorëheqjes ndërsa sollën në vëmendjen e publikut një hetim të FBI-së mbi Broadëell të dyshuar për përpjekje për të pasur akses në e mailin e gjeneralit nga ku do të nxirrte materiale të rezervuara, i cili venë në rrezik sigurinë kombëtare, citohen burimet.

Schmitt, Hungari
Një tjetër skandal me doktoraturën i ka kushtuar dorëheqjen një politikani tjetër. E kemi fjalën për ish presidentin hungarez Pal Schmitt, i cili dha dorëheqjen pas përfshirjes në një skandal ku u zbulua se kishte kopjuar tezën e tij të doktoraturës 20 vjet më parë.

Annette Schavan, Gjermani
Një tjetër “viktimë” e plagjiaturës ishte edhe ministrja gjermane e Arsimit, Annette Schavan, e cila ka dhënë dorëheqjen pasi universiteti i hoqi asaj doktoratën për shkak të plagjiaturës.

Dominique Strauss-Kahn, Francë
Drejtori i FMN-së Dominique Strauss-Kahn dha dorëeheqjen nga ky post pas një skandali seksual. Ai fillimisht u arrestua në SHBA, sepse mendohet të ketë përdhunuar një punonjëse hoteli. Më pas kahn doli i pafajshmë për përdhunim. Por ngjarja bëri që mediat të hetonin më shumë për të, ku dilte që ish kreu i FMN-së ishte shumë dhënë pas orgjive seksuale.

Fidel Kastro
Udhëheqësi i moshuar i Kubës, Fidel Kastro, prej sëmundjes dha dorëheqjen (në 2010) nga posti i Presidentit dhe Shefit të Përgjithshëm të Ushtrisë, pas mbi 49 vjetësh, kur ai erdhi në pushtet përmes një revolucioni të armatosur. Udhëheqësi e shpalli vendimin e tij nëpërmjet një letre, të botuar në gazetën e Partisë Komuniste kubane, Granma. Ai thoshtete në letër se do të kishte qenë një tradhëti ndaj ndërgjegjes së tij, po të pranonte më tepër përgjegjësi, nga sa ai mund të ishte i aftë t’i përmbushte fizikisht. Katro tha se vendimi i tij nuk është një lamtumirë për popullin kuban dhe se ai do të vazhdojë të shkruajë libra. Pushteti i kaloi vëllait të Fideli, Raul Kastros.

Willy Brandt, Gjermani
Willi Brandt ishte një politikan gjerman, kancelar i Gjermanisë Perëndimore në vitet 1969–1974. Fitoi çmimin Nobel për Paqen në vitin 1971 për përpjekjet që bëri për të përmirësuar marrëdhëniet me Gjermaninë Lindore, Poloninë dhe Bashkimin Sovjetik. Brandt u detyrua të jepte dorëheqjen si kancelar në vitin 1974, pas një skandali ku u përfshi asistenti i tij personal, Gunter Guillaume. Rreth vitit 1973, organizata e Sigurisë e Gjermanisë Perëndimore mori informacion se Guillaume ishte një spiun i Gjermanisë Lindore. Ky i fundit u arrestua më 24 prill të vitit 1974 dhe Gjermania Perëndimore fajësoi Brandt se kishte një spiun në partinë e tij. Në të njëjtën kohë, disa zbulime për jetën private të Brandt u shfaqën në për gazeta. Ai kishte pasur disa histori të shkurtra me prostituta. Brandt kishte menduar të kryente vetëvrasje, madje kishte shkruar edhe shënimin që do ta linte më pas, por ndryshoi mendje.

Tom DeLay, SHBA
Një nga skandalet më të mëdha që përfshiu SHBA në vitin 2005, ishte ai i Tom DeLay, kreut të grupit të Republikanëve në senatin amerikan. Politikani i njohur republikan, dhe një nga miqtë më të ngushtë të presidentit Bush, Tom DeLay u akuzua nga prokurori i Kontes Travis, Ronnie Earle, për financim të paligjshëm gjatë fushatës së tij elektorale. Kjo, sipas prokurorit, binte ndesh me ligjin amerikan të shtetasit të Teksasit mbi financimet elektorale, sipas të cilit, donacionet nga korporatat e ndryshme nuk mund të përdoren për fushatë kundër kundërshtarëve politikë. Menjëherë pas këtij skandali, Tom DeLay detyrohet të japë dorëheqjen nga të gjitha funksionet e tij dhe më pas reagoi, duke thënë që akuzat e prokurorit ishin thjesht politike, por që u hodhën më vonë poshtë.

Stanislav Gross, Çeki
Kryeministër i Çekisë në vitin 2004, Stanislav Gross u detyrua të japë dorëheqjen vetëm një vit më vonë. Shkak për dorëheqjen e tij shërbyen akuzat e shumta për korrupsion, skandali për origjinën e parave të tij, si dhe ndërmarrjet e mëdha që ishin në pronësi të gruas së tij. Pas këtij skandali, 38 vjeçari Gros u detyrua të japë dorëheqjen vetëm një vit pas marrjes së postit të kryeministrit. 38- vjeçari Gros u zgjodh kryeministër pas dorëheqjes në vitin 2004 të qeverisë së Vladimír Špidlas, ku edhe ai bënte pjesë si ministër Rendi, post të cilin e mbante që nga viti 2000, kur në krye të qeverisë ishte Miloš Zeman. Aktualisht Gros pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit është kryetar i Partisë Socialdemokrate të Çekisë.

Spiro Theodore Agnew, SHBA
Agnew ishte zëvendëspresidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, i cili punoi në Presidencën e Richard Nixon-it, si dhe guvernatori i 55-të i shtetit të Maryland-it. Ai është bërë i famshëm për dorëheqjen e tij në vitin 1973, pasi u akuzua për evazion fiskal dhe për marrje ryshfetesh. Ai deri në atë kohë kishte investuar në karrierën e tij për t’u bërë president i Amerikës, dhe ishte parë si pasardhësi natyral i Nixon-it, por skandali me akuzat e dëmtuan shumë reputacionin e tij. Këto akuza i bëheshin për kohën që ishte guvernator i Maryland-it. Agnew qëndroi tre vjet lirim me kusht. Privatisht, Agnew fajësoi Nixon-in për lëshimin e akuzave. Sipas tij, Nixon-i e hapi këtë mesele, për të transferuar vëmendjen nga skandali i Watergate-it që po rritej dita-ditës.

Snyder Rini, Ishujt Solomon, Malajzi
Mund të jetë një nga kryeministrat më jetëshkurtër në botë. Vetëm tetë ditë zgjati detyra e tij në prill të vitit 2006. Më parë se të merrte këtë post, ai kishte qenë dy herë zëvendëskryeministër. Që ditën kur u zgjodh, protesta të fuqishme u zhvilluan kundër tij, pasi pretendohej se zgjedhja e tij ishte fiksuar që më parë dhe se qeveria e Rinit do të influencohej padrejtësisht nga biznesmenë kinezë apo nga qeveritë e Kinës dhe Tajvanit. Edhe dita e betimit të tij si kryeministër u shty për të nesërmen, për shkak të demonstratave masive dhe për shmangur përdorimin e dhunës. Më 26 prill të vitit 2006, Rini dha dorëheqjen, menjëherë para se përballej me një mocion mosbesimi në Parlament.

Romano Prodi, Itali
Dorëheqja më e fundit në histori është ajo e kryeministrit italian. Kryeministër i Italisë që nga maji 2006, kur koalicioni ku ai bënte pjesë fitoi zgjedhjet parlamentare përballë ish-kryeministrit Silvio Berluskoni, qeveria Prodi do zgjaste vetëm 9 muaj, kjo pasi disa vendime të saj nuk u miratuan në Parlament. Qeveria italiane e humbi votën në Senat, megjithë paralajmërimet e ministrit të Jashtëm, Massimo d’Alema, se humbja do të thoshte dorëheqje për qeverinë. Disa parti në koalicionin qeverisës, kundërshtuan dislokimin e 2000 trupave në Afganistan, si edhe planin për zgjerimin e bazës ajrore amerikane në Vicenza. Menjëherë pas mosmiratimit të vendimeve, Romano Prodi i paraqiti menjëherë dorëheqjen e tij presidentit të vendit, Giorgio Napolitano.

Robert Cook, Britani
Robert Cook i njohur me emrin Robin Cook, ishte Sekretari i Shtetit për Punët e Jashtme të Britanisë së Madhe nga viti 1997 deri në vitin 2001. Diplomati i suksesshëm bëri bujë me dorëheqjen e tij, duke qenë një nga figurat më të shquara të politikës britanike. Ai hoqi dorë nga posti i tij si lideri i Dhomës së Komunave dhe si President i Këshillit të Lordëve në 17 mars 2003, në shenjë proteste ndaj ndërhyrjes në Irak të vitit 2003. Fjalimi i tij i dorëheqjes në Dhomën e Komunave është cilësuar nga gazetari i “BBC”-së Andrew Marr, “pa dyshim si një nga fjalimet për dorëheqje më efektive dhe më brilante në politikën moderne britanike”. Fjalimi i Robin Cook u duartrokit nga të gjitha anët e Dhomës, gjë që sipas “The Economist”, nuk kishte ndodhur asnjëherë në historinë e Dhomës.

Richard Nixon, SHBA
Nixon-i është Presidenti i 37-të i SHBA-së dhe ka qëndruar në këtë post që nga viti 1969 deri në 1974-n. Ai është i vetmi President i Amerikës që ka dhënë dorëheqjen. Është i njohur skandali i “Watergate”-it, i cili rrëzoi Nixon-in nga posti i Presidentit dhe ngriti lart famën e gazetarisë amerikane. Ishte viti 1972 kur disa hajdutë thyejnë zyrat e Partisë Demokratike në hotelin “Watergate” në Uashington, ngjarje që fillimisht u komentuan si vjedhje ordinere. Por në fakt, dy gazetarë zbuluan se këta njerëz kishin hyrë në zyrat e Partisë Demokratike për të vënë përgjues, sipas porosive të ndihmësve të Nixon-it. Kështu Nixon-i do të përgjonte gjithçka thoshin kundërshtarët e tij politikë. Pasi ngjarja doli në dritë, ai fillimisht e mohoi atë duke e quajtur skandalin si politikë të ulët, por kur ndihmësit e tij u dorëzuan, roli i Nixon-it u bë subjekt i investigimeve të gazetarëve, gjykatës dhe Kongresit.

Geoffrey Howe, Britani
Baroni Howe është një politikan konservator britanik. Ai ka qenë ministri më jetëgjatë i kabinetit të Margaret Thatcher. Ka mbajtur postet e Kancelarit të Thesarit, Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Jashtme dhe më së fundmi, kryetar i Dhomës së Komunave dhe zëvendëskryeministër. Për të treguar se sa e bujshme ishte dorëheqja e tij në 1 nëntor të vitit 1990, në media thuhet se ajo e përshpejtoi rrëzimin e “Zonjës së Hekurt” tri javë më vonë. Me një karrierë të shkëlqyer, Howe ishte konsideruar si një ndër politikanët më të suksesshëm. Gjithsesi, në prapaskena ishte rritur tensioni mes tij dhe kryeministres për një sërë çështjesh, fillimisht mbi Afrikën e Jugut e më pas për marrëdhëniet e Britanisë me BE-në. Më 1 nëntor 1990 jep dorëheqjen si pasojë e fjalimit të kryeministres në Këshillin Evropian, ku ajo deklaron për herë të parë se Britania kurrë nuk do të fusë qoftë edhe një monedhë të vetme në sistemin monetar evropian.

Raúl Cubas Grau, Paraguaj
Grau ishte president i Paraguajt që nga viti 1998 deri në vitin 1999. Ai ishte anëtar i Parisë Colorado. Kur filloi fushata në ’98-ën, gjenerali i ushtrisë Lino Oviedo, i cili aspironte për president e shpalli Cubas si zëvendësin e tij të ardhshëm. Por disa muaj para zgjedhjeve, Oviedo u dënua me 10 vjet burg për përfshirjen në një grusht shteti dhe u skualifikua. Cubas zuri vendin e tij në garë dhe fitoi. Sapo bëri aktin e betimit, ai liroi gjeneralin Oviedo. Gjykata e Lartë e cilësoi si të padrejtë lirimin e tij dhe filloi procedurat kundër presidentit Cubas, dhe urdhëroi më vonë kthimin në burg të Oviedos. Cubas ishte i implikuar dhe protestat filluan. Dhoma e deputetëve e gjykoi Cuban në mënyrë dërrmuese dhe duke u përballur me dënimet dhe me lëvizjen nga zyra nga Senati, Cubas dha dorëheqjen në mars të vitit 1999.

Princi Aho’eitu Unuakiotonga, Togo
Princi i Tongos, Aho’eutu Unuakiotonga Tukuaho është vëllai më i vogël i mbretit George Tupou V i Tongos, dhe ish-kryeministër, përfaqësues i fronit të Tongos. Me një karrierë të shkëlqyer ushtarake, ai në vitin 1998 e mbyll këtë karrierë për t’u bërë pjesë e qeverisë, fillimisht si ministër i Mbrojtjes dhe njëkohësisht ministër i Jashtëm nga tetori ’98 deri në gusht të 2004-ës. Ai i trashëgoi këto poste nga vëllai i tij më i madh, i cili në atë kohë u kurorëzua si princ. Vetëm pas pak kohe që u emërua, më 3 janar të vitit 2000, si kryeministër, papritur ai jep dorëheqjen më 11 shkurt 2006, për arsye të cilat nuk u qartësuan asnjëherë. Dorëheqja e princit bëri jehonë, pasi bëri kthesë në historinë e vendit.

Porter Gross, SHBA
Vetëm një vit do qëndronte në postin e drejtorit të CIA-s Porter Gross. Ai u emërua në krye të CIA-s nga presidenti Bush në gusht të vitit 2005 dhe dha dorëheqjen në vitin 2006. Zgjedhja e tij në krye të CIA-s solli përplasje të mëdha në kongresin amerikan, kjo pasi demokratët nuk ishin dakord me emërimin e tij në atë post dhe sipas ligjit amerikan, drejtori i CIA-s zgjidhej me konsesusin e të dyja partive. Para se të emërohej në postin e drejtorit të CIA-s, Poter Gross ishte president i Komisionit Hetimor të Kongresit për ngjarjen 11 Shtatorit 2001, post të cilin e kishte marrë që nga viti 2001. Dorëheqja e tij është dhënë pas zbulimit të një raporti të CIA-s në lidhje me informacionet e saj për luftën në Irak.

Peter Hollingworth, Australi
Hollingworth ka qenë në vitet 2001-2003, Guvernatori i Përgjithshëm i Australisë, një pozicion i njëjtë me atë të kreut të shtetit, por që përfaqëson Mbretëreshën e Australisë, që është Elisabeta II. Hollingworth dha dorëheqjen nga zyra e tij më 28 maj 2003, si rezultat i kritikave të bëra ndaj veprimeve të tij në një kishë. Sipas këtyre kritikave, Hollingworth nuk i kishte dhënë vëmendjen e duhur dhe nuk kishte vepruar me dhembshuri ndaj disa rasteve të abuzimit seksual të fëmijëve në një shkollë protestante gjatë kohës që Hollingworth ishte arqipeshkv i Brisbane. Pas një situate të tillë dhe një akuze që u ngrit edhe ndaj tij për përdhunim, por që nuk u vërtetua, Hollingworth la zyrën e tij më 28 mars të vitit 2003.

Omar Karami, Liban
Vrasja e ish-kryeministrit si dhe kreut të opozitës në Liban, Rafik Haririt, në vitin 2005, do të shërbente edhe si shkak për dorëheqjen e kryeministrit të vendit, Omar Karamit. Kjo pasi për vrasjen e Rafik Haririt u akuzuan shërbimet sekrete siriane dhe kryeministri u cilësua fajtor, pasi njihej si përkrahës i Sirisë. Omar Karami ka qenë kryeministër i Libisë në dy momente. Herën e parë, ai është zgjedhur kryeministër nga 24 dhjetori 1990 deri në 13 maj 1992, kur u detyrua të lërë postin për shkak të protestave popullore. Për herë të dytë, ai është zgjedhur kryeministër në tetor të vitit 2004 dhe ka qëndruar në këtë post vetëm 5 muaj, pasi u detyrua të japë dorëheqjen pas vrasjes së Rafik Haririt.

Morihiro Hosokawa, Japoni
Hosokawa është një politikan japonez, i cili qëndroi në krye të qeverisë japoneze vetëm 8 muaj, nga gushti 1993 deri në prill të vitit 1994. Në historinë botërore ai mbahet mend, pasi tha atë që asnjë lider tjetër japonez, përfshirë edhe perandorin, nuk kishte thënë për 48 vjet. Në fjalimin e tij përkujtimor për Luftën e Dytë Botërore, ai tha se kjo luftë ishte “një luftë e gabuar, një luftë e agresionit”, dhe shfaqi përgjegjësinë dhe ngushëllimet për viktimat e luftës dhe të mbijetuarit. Gjithashtu ai përmirësoi marrëdhëniet me Kinën. Por karriera e tij kryeministrore nuk zgjati gjatë. Pas tetë muajsh, Hosokawa jep dorëheqjen pas akuzave se kishte keqpërdorur fonde në vitet ’80.

Mikheil Shakašvili, Gjeorgji
Mikheil Shakašvili është cilësuar si një nga politikanët më të mirë dhe më popullorë të Gjeorgjisë. Ai është cilësuar edhe si njeriu që rrëzoi nga posti i presidentit të Gjeorgjisë Eduart Shervanazen. Në vitin 2000 ai zgjidhet ministër i Drejtësisë, post të cilin e mban vetëm një vit. Pasi në vitin 2001 jep dorëheqjen, duke deklaruar se ishte e pamoralshme për të të punonte në një qeveri aq të korruptuar dhe më pas akuzonte të gjithë ministrat e qeverisë, madje edhe vetë presidentin e asaj kohe, Eduart Shervanazen. Në 4 janar 2004, Mikheil Shakašvili, pas “revolucionit të trëndafilave” dhe dorëheqjes së Eduart Shervanazes, emërohet president i Gjeorgjisë.

Michael DeWayne Brown, SHBA
Brown ishte nënsekretar i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, një sektor i Departamentit të Sigurisë në SHBA. Ai ishte emëruar në këtë post në janar të vitit 2003 nga presidenti Xhorxh Bush dhe dha dorëheqjen në shtator të vitit 2005, pas uraganit “Katrina”. Pas një tragjedie të tillë, shumë komentatorë si dhe politikanë kërkuan dorëheqjen e Brown-it, duke pretenduar se ai nuk e kishte menaxhuar mirë këtë emergjencë dhe se reagimet e agjencisë që drejtonte ishin shumë të ngadalta në përgjigje të uraganit “Katrina”. Brown u akuzua si jo kompetent dhe se ishte vënë në krye të institucionit që drejtonte pa asnjë eksperiencë mbi fatkeqësitë natyrore si dhe se shpërdoroi 31 milionë dollarë për uraganin në ndihmë të vendeve që s’ishin prekur nga uragani.

Margaret Thatcher, Britani
Baronesha Thatcher është kryeministrja më jetëgjatë e Britanisë së Madhe, duke mbajtur këtë post që nga viti 1979 deri në 1990-n. “Zonja e Hekurt”, është një nga politikanet britanike më të shquara në historinë e politikës së Anglisë. Pas 11 vitesh në krye të qeverisë dhe Partisë Konservatore, Thatcher sfidohet nga ish-kolegu i saj, Michael Heseltine, për lidershipin e partisë, duke tërhequr mbështetje të mjaftueshme në raundin e parë të votimeve për të bërë një votim të dytë. Megjithëse fillimisht Thatcher tha se do ta kontestonte votimin e dytë, pasi u konsultua me ministrat e saj, ajo vendosi të tërhiqej nga kontestimi. Më 22 nëntor ajo njoftoi se nuk do të ishte kandidate për kreun e partisë në votimin e dytë.

Laila Freivalds, Suedi
Laila Freivalds u emërua si ministre e Jashtme e Suedisë pas vrasjes së paraardhëses së saj, Anna Lindh, në vitin 2003. Dorëheqja e saj erdhi pas kritikave të vazhdueshme të medias dhe të opozitës. Fillimisht ajo u akuza rëndë në shtyp për mënyrën se si ministra e saj menaxhoi cunamin aziatik në 2004-ën. Përveç kësaj, ajo u kritikua se kishte shkuar në teatër më 26 dhjetor 2004, ditën e Cunamit, duke konstatuar se ajo nuk i dëgjon lajmet kur nuk është në punë. Më 21 mars të vitit 2006, ajo dha dorëheqjen nga posti i ministres së Jashtme pas akuzave se kishte gënjyer median për përfshirjen e saj në mbylljen e një faqeje interneti të Partisë Demokrate suedeze gjatë debatit për kartonat e Muhamedit.

John Dennis Profumo, Britani
I njohur më shumë me emrin Jack Profumo, dorëheqja e politikanit britanik i cili mbante edhe titullin Baron, shënohet si një nga më të bujshmet në vitet ’60. Politikani kishte pasur një lidhje disa javore me një prostitutë të quajtur Keeler, e cila kishte pasur më parë marrëdhënie me Yevgeny Ivanov, atashe në Ambasadën Sovjetike, duke i dhënë skandalit përmasa të sigurisë kombëtare. Më pas, një incident me armë në Londër që përfshinte edhe dy burra të tjerë, bëri që shtypi të investigonte dhe të zbulonte lidhjen e saj me Profumon dhe Ivanov. Profumo-s iu kërkuan shpjegime në Parlament, por ai mohoi të kishte pasur lidhje me vajzën. Më vonë, shtypi zbuloi fakte të tjera dhe Profumo u detyrua të pranonte se kishte gënjyer, gjë e cila ishte e pafalshme dhe një ofendim për politikën britanike.

Jean-Pierre Raffarin, Francë
Jean-Pierre Raffarin, ka qenë kryeministër i Francës nga 6 maj 2002 deri më 31 maj 2005, kur u detyrua të japë dorëheqjen nga ai post. Shkak për dorëheqjen e tij shërbeu mos miratimi nga francezët i referendumit popullor për ratifikimin e Kushtetutës evropiane në vitin 2005. Gjatë periudhës së tij si kryeministër, Jean-Pierre Raffarin është cilësuar si një nga kryeministrat jo shumë popullorë të Francës. Zgjedhja e tij si kryeministër nga presidenti Zhak Shirak, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2002, i habiti të gjithë, pasi kandidat të mundshëm për postin e kryeministrit ishin Nicolas Sarkozy dhe Philippe Douste-Blazy.

Henry McLeish, Skoci
McLeish ka qenë kryeministër i Skocisë nga viti 2000 deri në 2001. Dorëheqja e tij ka qenë një nga më të bujshmet në Skoci e më gjerë. Skandali “Officegate”, i cili e bëri të largohej nga posti i kryeministrit pas 1 viti në krye të tij, kishte të bënte me zyrën e tij në Glenrothes, që e mbante në kohën kur ai ishte deputet në vitet 1987-1988. Këtë zyrë ai e kishte dhënë me qira, por nuk e kishte regjistruar në emër të Dhomës së Komunave, kështu të ardhurat përfundonin në xhepin e tij. Në këtë kohë, Mcleish i pagoi të gjitha paratë në administratë, por ishte nën presionin për të dhënë dorëheqjen nga Partia Kombëtare skoceze, e cila pretendonte se çështja prekte fatalisht integritetin e Mcleish.

Gonzalo Sánchez de Lozada, Bolivi
President i Bolivisë në vitet 1993-1997 si dhe në 2002-2003, Gonzalo Sánchez de Lozada u detyrua të japë dorëheqjen nga posti i tij në vitin 2003. Shkak për dorëheqjen e tij shërbyen protestat masive, grevat që shpërthyen për shkak të politikës së tij si dhe skandaleve korruptive të qeverisë të drejtuar nga ai. Gjithashtu një nga shkaqet e protestave popullore që çuan në dorëheqjen e tij, ishte edhe leja që ai u dha kompanive amerikane për shfrytëzimin e gazit natyror në vend si dhe për kontratën e transportit të hidrokarbureve që këto të fundit të mund të bëheshin nga portet e Kilit, që për Bolivinë ishte një nga armiqtë e saj më të mëdhenj.

Gjenerali Suharto, Indonezi
Gjenerali indonezian Suharto është presidenti i dytë i Indonezisë që nga koha kur kjo e fundit fitoi pavarësinë. Ai arriti ta merrte postin e presidentit me anë të një grushti shteti në vitin 1965. Gjenerali Suharto mbahet mend si njeriu që eliminoi të gjithë kundërshtarët e tij politikë si dhe për çuarjen e vendit në një krizë të thellë ekonomike. Kjo pasi çdo të ardhur në vend e përfitonte familja dhe njerëzit e afërt me të. Në vitin 1998, pas protestave masive si dhe presione të ushtarakëve të lartë dhe politikanëve në vend, Suharto u detyrua të japë dorëheqjen, duke shënuar fundin e një nga regjimeve më egër në Indonezi.

George Tenet, SHBA
George Tenet është cilësuar si një nga drejtorët më jetëgjatë të shërbimit sekret amerikan, CIA-s. Ish-drejtori i CIA-s e ka mbajtur atë post nga 11 korriku 1997 deri në 11 korrik 2004, kur u detyrua të japë dorëheqjen. Sipas versionit zyrtar, ai e dha dorëheqjen për motive personale. Por sipas analistëve amerikanë, arsyeja e dorëheqjes ishin akuzat që iu bënë CIA-s në lidhje me informacionet e saj që bënë të mundur sulmin e SHBA-s për pushtimin e Irakut. Kjo pasi siç u vërtetuan më vonë, informacionet që Iraku posedonte armë nukleare dhe që mund të kërcënonin rëndë Amerikën nuk rezultuan të sakta.

Freddy Matungulu, Kongo
Freddy Matungulu është ministri i vetëm në krejt historinë e Kongos që ka dhënë dorëheqjen. Në vitet 1986 emërohet guvernator i Bankës Qendrore të Kongos dhe në vitin 1992 ai emërohet në stafin Fondit Monetar Ndërkombëtar si drejtor për Afrikën Qendrore. Nga viti 1992 deri në vitin 2001 ai qëndron larg Kongos, për shkak të regjimit të egër të vendosur nga Mobutu Sese Seiko. Në vitin 2001, pas rënies së regjimit të Seikos, ai kthehet në vendin e tij të lindjes dhe emërohet në postin e ministrit të Financave, post të cilin e mban deri në vitin 2003, ku, për shkak të politikës në vend, detyrohet të japë dorëheqjen dhe të largohet në SHBA.

Fernando de la Rúa, Argjentinë
De la Rua ka qenë President i Argjentinës nga 10 dhjetori i vitit 1999 deri në 21 dhjetor të vitit 2001. Në vitin 1996, De la Rua u zgjodh si kryetari më popullor i bashkisë së Buenos Aires, një detyrë që e mbajti para se të garonte për zgjedhjet presidenciale në vitin 1999. Ai fitoi zgjedhjet me më shumë se 50 për qind të votave. Qeveria De la Rua u karakterizua nga një krizë e vazhdueshme ekonomike, konflikte të vazhdueshme dhe rivalitet mes partnerëve të koalicionit, kriza të qeverisë dhe një imazh të përgjithshëm si një qeverisje e plogësht dhe e dështuar në luftën ndaj korrupsionit. Ai u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të demonstratave popullore në mes të dhjetorit të vitit 2001.

Eduart Shevarnaze, Gjeorgji
Eduart Shevarnaze ishte ministri i fundit i Jashtëm i Bashkimit Sovjetik. Ai bëhet Presidenti i Gjeorgjisë në tetor të vitit 1995 kur arrin të fitojë zgjedhjet presidenciale. Shervanaze e mbajti këtë post deri më 23 nëntor 2003 kur u detyrua të japë dorëheqjen për shkak të Revolucionit të Trëndafilave. Shkak për protestat në vend shërbyen skandalet korruptive të njëpasnjëshme në vend nga ana e Presidentit Shervanaze si dhe të afërmve të tij, të cilët kontrollonin gati 70 për qind të ekonomisë në vend. Në zgjedhjet parlamentare të 2 nëntorit 2003, ai akuzohet nga opozita për manipulim të tyre.

Donald Henry Rumsfeld, SHBA
Ish-sekretari i Shtetit për Mbrojtjen, Donald Rumsfeld dha dorëheqjen më 8 nëntor 2006, menjëherë pas humbjes të zgjedhjeve nga republikanët. Gjatë qëndrimit të tij në postin e sekretarit për Mbrojtjen ai u akuzua shumë për dështimin e amerikanëve në Irak si dhe për akuzat false që ai kishte ngritur në Irak, në lidhje me kërcënimin që mund t’u vinte Shteteve të Bashkuara nga armët bërthamore që posedonte Iraku, apo për regjimin diktatorial të Sadam Hyseinit. Këto, si dhe plasja e skandaleve për torturimin e të burgosurve iraken nga ana e ushtarëve amerikanë, bënë që pas 5 vitesh në postin e sekretarit të Shtetit për Mbrojtjen, Donald Rumsfeld të japë dorëheqjen

David Blunkett, Britani
Politikani i njohur anglez dhe ministri i Punës i qeverisë britanike të drejtuar nga Tony Blair, do jepte dorëheqjen më 2 nëntor 2005. David Blankett u detyrua të japë dorëheqjen e tij të dytë brenda një kohe të shkurtër, për shkak të skandalit të madh që e përfshiu atë në lidhje me pronësinë që kishte ai mbi ndërmarrje private, të cilën nuk e kishte deklaruar, dhe kjo binte në kundërshtim me ligjin britanik. Herën e parë David Blunkett u detyrua të japë dorëheqjen në vitin 2004, kur ishte sekretar i Punëve të Brendshëm të qeverisë. Si shkak për dorëheqjen e tij ishte zbulimi i lidhjes së tij jashtëmartesore me gazetaren e njohur amerikane, Kimberly Fortier.

Clare Short, Britani
Largimi i Clare Short në vitin 2003 nga posti i ministres së ndihmave ndërkombëtare të qeverisë britanike është cilësuar si një nga dorëheqjet më të rëndësishme. Anëtare e kabinetit të Toni Blair që nga viti 1997, ajo drejtoi për gati gjashtë vjet Ministrinë e Ndihmave Ndërkombëtare. Si shkak për largimin e saj nga kabineti qeveritar i Toni Blair, ajo ka bërë qëndrimin e këtij të fundit në lidhje me periudhën pas pushtimit të Irakut. Në një letër të hapur, drejtuar kryeministrit Toni Blair, ajo e tregonte se ishte e mendimit se lufta në Irak ishte përdorur keq.

Charles Taylor, Liberi
Charles Ghankay Taylor, i lindur më 20 janar 1948, ishte president i Liberisë nga viti 1997 deri në vitin 2003. Me një të kaluar si njeri i luftës dhe i egër Taylor u ngjit në pushtet në vitin 1997, duke instaluar në vend një sistem diktatorial më të egër se paraardhësi i tij. Në vitin 2003 ai detyrohet të japë dorëheqjen dhe të kërkojë strehim politik në Nigeri, për shkak të protestave në vend. Shkak tjetër për dorëheqjen e tij ishte edhe kërcënimi për një urdhër arresti që kishte nxjerrë gjykata supreme e Sierra Leone në lidhje me aktivitetin e tij të trafikut të armëve në favor të disa grupeve terroriste në këtë vend. Aktualisht ish-presidenti Charles Taylor është duke u gjykuar në mungesë edhe nga OKB për luftë dhe krime kundër njerëzimit.

Charles Kennedy, Britani
Politikani i shquar anglez dhe ish-kryetar i Partisë Liberal Demokrate të Anglisë do jepte dorëheqjen nga funksionet e tij politike në janar të vitit 2006. Shkak për dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të partisë u bënë presionet e shumta nga kundërshtarët e tij pas deklaratës se ai kishte probleme me alkoolin. Kryetar i Partisë Liberal Demokratike që nga viti 1990, Charles Kennedy arriti që në vitin 2003 të bëhej njeriu më popullor në Angli, kjo për shkak të kundërshtimit që ai bëri kundër dërgimit të trupave britanike në Irak. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2004, në sajë të tij, PLD arriti të merrte 23 % të votave, një rezultat që kjo forcë politike nuk e kishte marrë kurrë që në vitet ’20.

Charles de Gaulle, Francë
De Goli njihet si një nga gjeneralët më të shquar gjatë Luftës së II-të Botërore dhe si një nga udhëheqësit më të mëdhenj të Francës. Gjatë luftës, ai ishte lideri i qeverisë në ekzil të Francës së lirë dhe kryetar i guerrilasve antinazistë. Ai ka dhënë dy dorëheqje gjatë karrierës së tij. Pas Luftës, ai ishte kreu i qeverisë së përkohshme që nga shtatori i ’44-ës deri në 20 janar të 1946-ës, kur dha dorëheqjen pas konflikteve mes partive politike dhe pas mos aprovimit të draftit të kushtetutës për Republikën e Katërt. Ndërsa dorëheqja e tij e dytë ishte në vitin 1969. Që në vitin 1958 e deri në këtë vit, ai ishte presidenti i parë i Republikës së Pestë të Francës. De Goli dha dorëheqjen pas dështimit të referendumit të tij për të transformuar Senatin (Dhoma më e Lartë e Parlamentit frëng, që ka më pak fuqi se sa Asambleja Kombëtare), në një organ këshillues.

Cearbhall Ó Dálaigh, Irlandë
Dalaigh ishte president i Irlandës nga viti 1974 deri në vitin 1976. Dorëheqja e tij në vitin 1976 bëri bujë jo vetëm se ai ishte i pari president irlandez që bëri këtë veprim, por edhe për shkakun për të cilin e bëri. E gjithë historia lidhet me miratimin e një projektligji për Gjykatën e Lartë. Presidenti fillimisht e refuzoi miratimin e këtij projektligji e më pas vendosi që ta miratonte mesnatën e 15 tetorit. Gjatë kësaj kohe, organizata terroriste IRA kreu një sulm në Mountmellick, ku u vra një oficer. Veprimet e presidentit O Dalaigh, sipas ministrave kontribuuan në këtë akt. Ditën në vazhdim, ministri i Mbrojtjes, Paddy Donegan, një kundërshtar i hapur i presidentit, se veprimet e presidentit, ishin një “fatkeqësi gjëmuese”. Duke parë mënyrën se si u soll qeveria me O Dalaigh, ky i fundit vendosi të japë dorëheqjen.

Borys Tarasyuk, Ukrainë
Vetëm dy vjet do qëndronte në postin e ministrit të Jashtëm të Ukrainës Borys Tarasyuk. Përkrahësi dhe miku i presidentit Viktor Yushchenko, ai u bë pjesë e kabinetit të ri qeveritar ukrainas të drejtuar nga Yulia Tymoshenko, të krijuar pas “revolucionit portokalli” që solli rrëzimin e ish- presidentit Leonid Kuchman në vitin 2005. Më 30 janar 2007, Borys Tarasyuk detyrohet të jap dorëheqjen, pasi nuk arriti të fitojë votëbesimin në Parlament. Ai ishte i akuzuar nga disa parti pro ruse në vend se po përfaqësonte interesat e NATO-s dhe SHBA-s në vend dhe s’shikonte interesat e vendit.

Boris Jeltcin, Rusi
Largimi nga politika në vitin 1999 e presidentit të Rusisë, Boris Jelcin, është cilësuar pa dyshim si një nga dorëheqjet më të mëdha të historisë botërore. Boris Jeltcin, njeriu që drejtoi Rusinë pas rrëzimit të regjimit komunist në vend, nga viti 1991 deri në vitin 1999, dha dorëheqjen për shkak të problemeve të tij shëndetësore si dhe krizës që kishte pushtuar vendin. Ish-presidenti rus erdhi në pushtet në vitin 1991 në kohën kur vendi ishte i përfshirë nga revoltat kundër regjimit të egër komunist.

Ayaan Hirsi Ali, Holandë
Feministe holandeze dhe shkrimtare, Ayaan Hirsi Ali ka lindur në Somali dhe sipas revistës “Time” është një nga 100 njerëzit më me influencë në botë. Ajo fitoi azilin politik në Holandë në vitin 1992 në rrethana që më vonë u bënë qendër e një debati politik. Ajo është një autore, regjisore, ateiste dhe kritike e Islamit dhe Kristianizmit. Ajo ishte anëtare e Dhomës së Ulët të Holandës për Partinë Popullore për Liri dhe Demokraci nga 30 janari i vitit 2003 deri në 16 maj 2006 kur dha dorëheqjen, pasi pranoi se kishte gënjyer për aplikimin e azilit, që çoi në marrjen e nënshtetësisë holandeze. Pikërisht për famën e saj, dorëheqja ishte një nga më të bujshmet.

Askar Akayevich Akayev, Kirgistan
Akayev ishte president i Kirgistanit nga viti 1990 deri në mars të vitit 2005. Pas një udhëheqje 15-vjeçare, ai u rrëzua nga pushteti, duke u detyruar të jepte dorëheqjen pas të famshmit “Revolucion të Tulipanit”. Është një nga dorëheqjet më interesante në historinë botërore, pasi akti i nënshkrimit u bë në Rusi, pasi atje ishte arratisur presidenti me familjen e tij. Vala e parë e protestave popullore filloi që në vitin 2002. Por në mars të 2005-ës, protestuesit mësynë në kompleksin presidencial pas përleshjeve me policinë në një miting të opozitës. Akayev cilësohej si një drejtues i dobët, i cili kishte mbushur radhët e administratës me njerëz të paaftë.

Anneli Tuulikki Jäätteenmäki, Finlandë
Jaatenemaki është e para kryeministre e Finlandës nga prilli 2003 në qershor 2003. Ajo kishte hyrë në politikë pas një karriere të suksesshme si avokate. Ajo dha dorëheqjen më 18 qershor të vitit 2003, nën presionin e akuzave të kundërshtarëve politikë. Ata e akuzonin se Jaattenmaki kishte gënjyer parlamentin dhe publikun për mënyrën se si kishte siguruar dokumente konfidenciale të Ministrisë së Jashtme për t’i përdorur në fushatën elektorale. Dokumentet mbanin informacione diplomatike nga një mbledhje mes presidentit të SHBA-së, Xhorxh Bush dhe liderit Social-Demokrat Paavo Lipponen për qëndrimin ndaj luftës së Irakut.

Alberto Fujimori, Peru
Alberto Fujimori, ishte politikani i parë peruan me origjinë japoneze që u zgjodh president i Perusë. Ai arriti të bëhej president më 28 qershor 1990, duke përfituar nga gjendja e rëndë që kishte përfshirë vendin. Qeveria Fujimori u shqua për stilin e saj autoritar, sidomos pas krizës së vitit 1992, ku presidenti Fujimori hoqi të gjitha liritë demokratike. Fujimori e mbajti postin e presidentit deri në vitin 2000, kur pas një seri skandalesh që plasën në qeverinë e tij, ai u detyrua të japë dorëheqjen. Kjo është cilësuar si një nga dorëheqjet më të mëdha në atë kohë, pasi i dha fund regjimit të egër 10-vjeçar të Alberto Fujimorit.

Albert Reynolds, Irlandë
Albert Reynolds, politikani i njohur irlandez dhe kryeministër i Irlandës nga 11 tetori 1992, do jepte dorëheqjen në 15 dhjetor 1994. Largimi i tij nga posti i kreut të shtetit erdhi pas polemikave të shumta me kundërshtarët e tij politikë. Albert Reynolds luajti një rol të madh në procesin e paqes në Irlandën e Veriut. I futur në politikë në vitin 1970, shumë shpejt Reynolds do bëhej një nga politikanët kryesorë në vend.

Publikuar: 02.07.2013 | 18:13
Lexuar: 1970 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime