E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Një temë e tillë është diskutuar në kuadër të Seminarit të 32-të të Shqipes, i cili sapo i mbylli punimet dhe temë bosht në Sesionin e letërsisë ishte pikërisht "Letërsia dhe identiteti".
Identiteti kombëtar shqiptar, i rrezikuar



Jo pak herë është diskutuar lidhur me letërsinë dhe identitetin, janë dhënë mendime të ndryshme, ku është potencuar rëndësia e krijuesve në krijimin e identiteteve dhe lidhjeve me letërsinë. Një temë e tillë është diskutuar në kuadër të Seminarit të 32-të të Shqipes, i cili sapo i mbylli punimet dhe temë bosht në Sesionin e letërsisë ishte pikërisht "Letërsia dhe identiteti". Për studiuesit e albanologjisë në këtë kohë të globalizimit identiteti kombëtar shqiptar është i rrezikuar nga identitetet e mëdha dhe të konsoliduara.

Shkrimtarët, 'rojtarë të kujtesës'

Duke e quajtur si të qëlluar caktimin e temës për këtë edicion, poeti dhe studiuesi i letërsisë, Agim Vinca, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se tema "Letërsia dhe identiteti" është një temë e rëndësishme dhe interesante. "Jo rastësisht shkrimtarët janë quajtur 'antena të racës' dhe 'rojtarë të kujtesës'. Në veprën e tyre dhe veçanërisht të krijuesve të mëdhenj të secilës letërsi kombëtare sintetizohet shpirti i njerëzve të atij kombi dhe kujtesa e tyre historike, por edhe shpirti dhe kujtesa e njeriut në përgjithësi", ka thënë Vinca. Po sipas tij, letërsia shqipe, duke qenë letërsi e një populli të vogël e me të kaluar tragjike, që shumë herë gjatë historisë i është rrezikuar jo vetëm identiteti shpirtëror, por edhe ekzistenca fizike, ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të veçantë. "Në antologjinë 'Muza e Mëmëdheut', botuar në 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, kam folur për shenjat kryesore identitare të poezisë shqipe të gjysmës së dytë të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, kur edhe formohet kombi modern shqiptar. Ato janë: Ilirët, Arbërit, Skënderbeu dhe heronjtë e tjerë të kombit, flamuri kombëtar, Kruja, Vlora, Prekazi (së fundi) dhe mbi të gjitha gjuha shqipe", ka potencuar ai, duke shtuar se ka autorë që thonë se gjuha në të cilën shkruajnë është atdheu i tyre i vërtetë, që, sipas tij, kjo është në masë të madhe e vërtetë. Por, ka shtuar, se ende rrezikohet identiteti shqiptar në kohën në të cilën jetojmë, letërsia shqipe nuk duhet të heqë dorë nga misioni i saj i të qenit sublimim i shpirtit, ndërgjegjes dhe kujtesës kombëtare, por edhe i aspiratave liridashëse e humane, si vlera universale.

Gjuha, elementi bazë i identitetit

Ndërsa, shkrimtar Ardian Haxhaj ka thënë se çdo letërsi e ka identitetin e vet, e cila, sipas tij, nis nga gjuha, elementi bazë i identitetit."Secili që shkruan në gjuhën shqipe pak a shumë e ka edhe identitetin kulturor shqiptar dhe roli i krijuesve në këtë rast është mjaft i rëndësishëm dhe i veçantë", ka thënë Haxhaj, duke shtuar se në rrethanat e globalizimit, kulturat e vogla, sikurse kultura shqiptare, janë në rrezik nga kulturat e mëdha. Kurse, profesori dhe studiuesi nga Tirana, Bashkim Kuçuku, në ligjëratën "Dinamika bashkëkohore e identitetit shqiptar", mbajtur në kuadër të Seminarit të Shqipes, i cili u mbyll vikendin e kaluar, alarmoi për rrezikimin e identitetit shqiptar nga integrimet dhe bashkëpunimet evropiane dhe me gjerë."Identiteti shqiptar në ditët e sotme është në një situatë paradoksale, nga njëra anë është i rrezikuar nga ndërkomunikimi, faktorët ekonomikë, përplasjet paqësore me identitetet e mëdha dhe të konsoliduar. Këto rreziqe i sjell mënyra se si shqiptarët e menaxhojnë lirinë e tyre", ka thënë Kuçuku.

Publikuar: 09.09.2013 | 09:41
Lexuar: 1592 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime