E diel, 18.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kolonel Haki Liçaj, ish-komandant i Gardës së Republikës: Si u mbrojtën institucionet e shtetit, në 13 dhe 14 shtator ‘98
Vrasja e Azem Hajdarit, shmanga luftën civile dhe u ruajta kokën ministrave









Ndryshe nga koha e diktaturës, kur “urdhri zbatohej dhe nuk diskutohej” në demokraci një urdhër i pa mbështëtur në ligj, nuk zbatohet. Ky është “sekreti” që duhet të zabtojë një ushtar i Gardës, apo i çdo lloj njësie tjetër. Kolonel Haki Liçaj, thotë se gjithsesi, nga sulmi që turma e armatosur i bëri institucioneve të shtetit në 14 shtator 1998, nuk u vra asnjë civil. Ndërsa Garda vrau 4 persona në 21 janar 2011, pikërisht kur turma kishte në duar veç hunj gardhi e mjete të tjera rrethanore. Dhe kjo wshtw e pafalshme. Gjatë kohës së shërbimit të tij në krye të Gardës së Republikës, ngjarjet më problematike, për të cilat thotë se i ka përballuar me gjakftohtësi dhe ekuilibër, mbeten ato tw 13 dhe 14 shtatorit 1998. Kolonel Licaj sqaron se gjithsesi prej disa kohësh, herë në mënyrë informate e herw zyrtarisht, tek ai kishin ardhur informacione se në shtator pritej një trazirë, ndaj ai kishte filluar të merrte masa për të mbrojtur institucionet dhe jetën e krerëve të lartë të shtetit. Ndërkohë trazirat e paralajmëruara nisën pas vrasjes së një prej drejtuesve kryesorë të PD-së, Azem Hajdarit, njëkohësisht dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Pikërisht atëherë, e gjithë hierarkia e lartë shtetërore u vu në një rrezik të mundshëm, pasi siç thotë vetë kolonel Liçaj, situata doli jashtë kontrollit dhe forcat politike nuk mundën ta frenonin dot atë.

Cilat ishin masat e para, pas marrjes së lajmit se ishte ekzekutuar një deputet?

Sapo u mor vesh kjo ngjarje, Garda kaloi në gatishmëri numër “2”. U morën të gjitha masat për përforcimin e të gjitha vendeve, duke filluar nga godina e Parlamentit, Kryeministria e në të gjitha selitë e rëndësishme shtetërore. Organizuam një bashkëpunim me forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe me Policinë e Shtetit, për të ruajtur rendin, sidomos pranë institucioneve të rëndësëishme, si dhe personalitetet, duke përforcuar shërbimin edhe për këta të fundit. Një prej drejtimeve kryesore që mora në ato çaste ishin masat për Kryeministrin. Ato ishin shumë më të veçanta.

Veprimet tuaja ishin vetëm ushtarake?

Nuk ishin vetëm ushtarake, por dhe morale, psikologjike, pasi kishim të bënim me një situatë shumë të ngatërruar. Njerëzit kërkonin hakmarrje. Por, kundër kujt e kërkonin? Kundër ushtarëve të Gardës?! Natyrisht që nuk mund të kërkohej një gjë e tillë. Megjithatë, ne i morëm të gjitha masat e nevojshme. Veprimet tona ishin të tilla që jo me veprime luftarake të ruanim institucionet e shtetit. Sepse veprimet luftarake do të shkaktonin pasoja katastrofike. Ne kërkonim që me veprimet tona, sidomos duke bashkëpunuar me forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe me policinë, Garda të mbetej e fundit që me taktikën e saj të arrinte të ruante institucionet dhe personalitetet.

Si e organizuat punën?

Natën e 12 shtatorit mblodha shtabin, për të bërë planet konkrete. Gjatë gjithë natës shkuam nëpër vendroje, madje organizuam dhe disa stërvitje të veçanta, të vogla. Në çdo objekt caktuam drejtues. Zëvendëskomandanti i Gardës u caktua në Kryeministri, Shefi operativ u caktua në Kuvend, e kështu me radhë. U fola ushtarëve dhe oficerëve për t’i mobilizuar, duke u thënë se: “detyra jonë është që me çdo kusht të realizojmë mbrojtjen e institucioneve të shtetit, por sigurisht pa krijuar probleme të mëdha, të cilat mund të shkojnë në dëm të kombit”.

Cilat ishin këto probleme?

Sipas mendimit tim, trupat po të hapnin zjarr kundër grave dhe fëmijëve, gjendja do të përkeqësohej dukshëm. Por, edhe kur bëmë një takim te ministri i Rendit, Perikli Teta, u vendos që forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë duhet të luanin rolin kryesor, duke përballuar veprimet. Por, të gjitha veprimet tona ishin përgatitur për datën 14, kur dhe u deklarua varrimi i Azem Hajdarit. Kuptohet, edhe për datën 13 morëm masa, por jo aq të forta sa për një ditë më pas.

A mund të ruheshin të paprekura institucionet?

Po të duash të ruash institucionet, nuk është dhe aq e vështirë. Realisht, mund të vendosje armatim të rëndë në pikat kyçe. Ne ishim të mbrojtur, turma ishte në sulm dhe këtu përfundonte historia, pasi mund të bënim ç’të donim. Por, këtu problemi kryesor ishte që vendi të mos çohej në një luftë civile. Sepse po të vriteshin gra dhe fëmijë, do apo s’do, krijohej një konflikt.

Ç’ndodhi në 13 shtator?

Mëngjesin e 13 shtatorit isha në garnizonin e Gardës, kur më lajmëruan e më thonë se po sulmohej Kryeministria. Sapo mora vesh lajmin, pa pritur të vinte makina, vrapova drejt godinës së Kryeministrisë. Rrugës dëgjoja pushkë që qëllonin pranë meje, por nuk e ndala vrapin. Pak më poshtë, pashë që një pjesë e policisë po largohej, duke thënë se “s’mund të bënin dot asgjë”. Kishin mbetur vetëm ushtarët e Gardës përpara një turme të madhe, të cilët i qëllonin me gurë, shishe benzine e granata. Në atë kohë, Qeveria ishte brenda në mbledhje. Urdhërova që të sigurohej Kryeministri, Fatos Nano, dhe për këtë kisha vënë në dispozicion që në darkë trupat operative. Madje, përcaktova dhe drejtimin se nga do të lëvizte eskorta e tij.

Kryeministri nuk duhej të qëndronte në krye të detyrës?

Qëllimi kryesor ishte që Kryeministri të largohej nga Tirana. Kjo përcaktohet dhe në rregullore. Qëndrimi i Kryeministrit në kabinet do të ishte me pasoja shumë të mëdha, sepse prania e tij do të na detyronte ne që të hapnim zjarr edhe kundër turmave. Zjarri do të ekzekutohej për të ruajtur personalitetin e tij, por dhe të të tjerëve. Kjo është detyrë e Gardës së Republikës. Ikja e Kryeministrit, mua më lehtësoi shumë veprime. Nuk u përdorën tunelet që lidhnin godinën e Kryeministrisë me pika të tjera jashtë saj, pasi ato ishin të papastruara dhe praktikisht ishte e vështirë të kaloje nëpërmjet tyre. Ne i kishim dhënë eskortës së Kryeministrit disa drejtime: një në drejtim të Dajtit, një në drejtim të Durrësit. Ndërsa, për anëtarët e tjerë të kabinetit dhashë urdhër që t’i hipnin në një mikrobuz dhe t’i çonin në komandën e Gardës. Ata që kërkuan të largoheshin për në shtëpi u shoqëruan me roje të përforcuara. Këto përcaktohen në rregullore. Unë nuk mund t’i lija qeveritarët në valën e zjarrit, sepse kjo ka të bëjë me kokën e shtetit.

Ç’ndodhi, pasi siguruat anëtarët e qeverisë dhe vetë Kryeministrin?

Pasi u larguan të gjithë ministrat, bëra përforcimin e pikave kryesore. Mirëpo kishte një problem; gratë dhe fëmijët shkonin gjithmonë përpara. Kështu, ne ishim të detyruar të mos hapnim dot zjarr. Uurdhërova të hapnin zjarr përpara këmbëve të tyre. Oficerët e ushtarët i realizuan shumë mirë detyrat. Aty ishte komandanti i kompanisë Rrapo Xhavara, Kujtim Andrea që ishte në krahun tim dhe u plagos në sy. U bë e pamundura që të mos futej njeri në objekt. Pashë që ushtarët kërkonin zemër, pasi po tërhiqeshin. Atëherë, unë u futa në një vijë me ushtarët. U thashë: “Mos qëlloni kundër turmave, qëlloni në drejtim të hyrjes së Kryeministrisë, me qëllim që ata të kenë frikë të kalojnë andej”.

Na u plagosën 30 gardistë, Perikli Teta dha urdhër të dilnin tanket

Nata e 13 shtatorit ishte e qetë, po të nesërmen situata do të tensionohej përsëri. Ja si e kujton ish-komandanti i Gardës, 14 shtatorin e 15 viteve më parë: “Në datën 14 shtator, Kryeministria u sulmua, përsëri. Në atë kohë, unë ndodhesha në shtëpi me plagë në këmbë. Ministri Perikli Teta më thotë: “Veprimet do t’i drejtoj unë”. Ndërkohë, drejtimin e mori shefi i Shtabit të Gardës, Frang Prenga. Meqënëse shefi i Shtabit ishte i ri në detyrë dhe s’ishte përballur me situata të tilla, oficerët filluan të merrnin sërish kontakte me mua. Atëhere, fillova të jepja urdhra të tjera. Kjo vazhdoi për rreth një orë e gjysmë. Në këtë kohë, më merr komandant Dashamir Shehu në telefon dhe më thotë: “Situata është shumë e rëndë, janë plagosur më shumë se 30 ushtarë të Gardës”. U shqetësova pa masë. Kur më njoftuan se turma filloi të futej brenda godinës, atëhere u dhashë urdhër që të qëllohej me zjarr parandalues, përpara këmbëve të tyre. Duke u hapur kjo perde zjarri, turma u tërhoq dhe ushtarët zunë pozicione. Kur u mor vesh plagosja e 30 ushtarëve, ndërhyn ministri Perikli Teta dhe urdhron: “Të dalin tanket”. Në fakt, unë nuk doja të dilnin tanket. Por dalja e tyre u justifikua me tërheqjen e 30 të plagosurve. Për t’i shpëtuar konfrontimit të mëtejshëm u mendua të lihej kati i parë i Kryeministrisë. Ushtarët dhe oficerët kaluan në katin e dytë. Kjo ishte një taktikë që dha rezultat. Sepse sa më shumë veprime të bësh kundër turmave, aq më shumë ata acarohen. Në këtë kohë, më raportojnë se në radhët e ushtarëve kishte plogështi. Atëherë, urdhërova që të dilja në terren me barrelë. Vajta në Kryeministri dhe urdhërova që godina të përforcohej me batalionin e tretë të Gardës, pasi në batalionin e parë kishte shumë të plagosur. Katin e parë e rimorëm. Më pas, shkova në Presidencë dhe takova komandant Adem Pasën, i cili siguronte selinë e Presidencës. Më pas vajta në Gardë dhe stabilizova situatën. Pas rreth tri orësh në terren, më çuan në shtëpi, pasi m’u prenë fuqitë dhe më ra të fikët. Kështu mbaruan dhe veprimet e datës 14 shtator.

Pse u kërkua ekzekutimi i komandantit të Gardës

Haki Liçaj, ish-komandant i Gardës thotë se një nga qëllimet e njerëzve që kërkonin destabilizimin e shtetit në 13-14 shtator 1998, ishte dhe ekzekutimi i tij, në cilësinë e njeriut që ruante personalitetet e larta. “Qëllimi i disa kriminelëve ishte që në fillim të më vrisnin mua, si komandant Garde e më pas të organizonin vrasjen e Kryeministrit. Vrasja ime kërkohej pikërisht sepse autoriteti im në krye të njësisë i pengonte ata për realizuar kryerjen e misionit të tyre. Në fillim, këto ishin të dhëna që vinin në “tym”, por koha tregoi se kjo ishte e vërteta. Megjithatë, shteti nuk i ndoqi këto probleme. Qeveria Nano iku. Pas tij, erdhi Pandeli Majko në fuqi. Por Majko bëri politikë më të zbutur për opozitën dhe më të ashpër ndaj nesh. Më pas, më lëvizën nga detyra. Atëherë bëra një takim me presidentin Rexhep Mejdani, i cili u justifikua: “Unë nuk dua që ti të lëvizësh, por Qeveria e re kërkon të bëjë një organizim të ri. Megjithatë, ti do të jesh një kuadër i nderuar dhe i respektuar në Ministrinë e Rendit, ku do të shkosh”, -rrëfen kolonel Liçaj.

Shefat e policisë donin t’ia mbathnin nga tunelet

Sipas Liçajt, pushtetarët e asaj kohe vepruan gabim. Ai thotë se në ligjin e vjetër për Gardën e Republikës, neni XV, thotë: “Presidenti i Republikës, në rolin e Komandantit të Përgjithshëm, kalon vendin në gjendje të jashtëzakoshme dhe merr një njësi të ushtrisë për përforcim të Gardës”. Haki Liçaj shprehet se ky propozim iu dha Rexhep Mejdanit dhe ai nuk e bëri një gjë të tillë. Po sipas tij, edhe Parlamenti, i cili kishte autoritetin e duhur të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, nuk u mblodh për të marrë masat e duhura. “Gjatë luftës që u bë në qendër të kryeqytetit, policia dhe forcat e ndërhyrjes nuk erdhën në ndihmë të Gardës. Kjo është në kundërshtim të çdo rregulli, pasi Garda nuk mund të jetë në rolin e mbrojtjes së rendit. Strukturat e policisë ishin jashtë kontrollit, ndërkohë që në gatishmëri ishin vetëm trupat e Gardës. Shumë shefa të policisë, që më pas me urdhër të ish-ministrit të Rendit, Petro Koçi, u ngritën në përgjegjësi, në 13 dhe 14 shtator, më kërkonin t’u tregoja se nga ishin tunelet e nëndheshme për t’u larguar. Pastaj, erdhi puna që kjo ngjarje u çua në gjyq. Në fund u bë një vendim gjyqësor, ku midis të tjerave thuhet: “Si rezultat i përvojës së komandantit të Republikës e shefit të Shtabit të Gardës, u bë i mundur ndalimi i luftës civile në Shqipëri”. Megjithëse u mor edhe ky vendim, dinjitetin e njerëzve që u plagosën në detyrë, përfshirë këtu edhe mua, shteti nuk e ktheu”, -shprehet kolonel Haki Liçaj.

Përkrahësit kërkuan të vinin në Tiranë

Ish-komandanti i Gardës së Republikës, në vitet 1997-1998, kolonel Haki Liçaj thotë se përsa u përket veprimeve të njësisë së gardës së Republikës, në datat 13-14 shtator 1998, ato ishin të matura dhe të drejta. “Këto veprime u bënë të drejta jo vetëm prej drejtuesve kryesorë, por edhe prej ushtarëve. Sepse sikur vetëm një ushtar të gabonte dhe të hapte zjarr, prishej gjithë puna dhe vendi kishte rrezik të kalonte në luftë civile”, -shprehet Liçaj. Ai shton se po atë ditë, ai ka patur shumë telefonata nga rrethe të tjera të vendit, të cilët ishin të gatshëm të viheshin përballë njerëzve që kërkonin kokën e Kryeministrit. “Më merrnin në telefon nga Vlora, Tepelena, Gjirokastra, Fieri e Durrësi dhe më deklaronin: “Komandant po nisemi për Tiranë”. Me shumë forcë, duke njohur njerëz, të cilët kishin autoritetin e duhur, arrita t’i zmbraps njerëzit që kishin hipur në këto makina të armatosur, për të ardhur në kryeqytet”.

Derdha gjak në krye të detyrës

“Ndërkohë, m’u duk sikur më qëlluan nga lart. Një nga ushtarët më thotë: “Komandant, je plagosur”. Pashë që vendi përrreth këmbëve të mija ishte mbushur plot me gjak. Atëhere, u këputa dhe rashë. Një punëtor policie që ishte futur në mes të turmës, Agron Bitri, u shkëput, më mori në krahë dhe kërkoi të më largonte. Por unë nuk doja. Sollën një makinë dhe më hipën me forcë brenda. Në atë kohë, shikoj Dashamir Shehun, një nga drejtuesit e Gardës dhe i them: “Merr komandën”. Plumbi më mori në pjesën e poshtme të këmbës. Ma lidhën me kanatieren që grisi një prej shokëve dhe më çuan në spitalin ushtarak. Por, atje na rekomanduan të mos shkonim se ishin njerëzit e Azem Hajdarit, kështu që ndërruam drejtim për në Spitalin Civil. Por, edhe aty kishte shumë të plagosur. Më sugjeruan të shkoja në shtëpi, pasi aty do të më bëheshin të gjitha mjekimet. Në atë kohë, më erdhi një lajm nga mjeku ushtarak Luto Balili: “Mos lëviz nga shtëpia se do të vij unë aty”. Nga këmba më është hequr një pjesë kocke. Temperaturën e kisha shumë të lartë dhe kisha dhembje, gjithashtu. Por nuk e lashë drejtimin e operacionit. Në darkë erdhën në shtëpi disa oficerë që drejtonin operacionin. Kërkuan mendim se me sa trupa mund të mbrohej Kryeministria.

Berisha "anulon" fjalimin te homazhet për Hajdarin

Kryeminsitri Berisha ka "anuluar" fjalimin e tij në ceremoninë e rivarrimit të Azem Hajdarit. Në njoftimin zyrtar, të publikuar më parë nga Bashkia e Tiranës, bëhej e ditur se Sali Berisha do të mbante fjalën në ceremoninë e varrimit të Azem Hajdarit. Por, dje ky fakt ishte shmangur, ndërsa nuk dihen arsyet e vërteta. Gjatë 8 viteve të qeverisjes së PD-së, dosja "Hajdari" nuk u rihap, edhe pse ishte premtuar. Ndërkohë, të majtë dhe të djathtë nderuar dje në ceremoninë e përcjelljes për në varrezat “Dëshmorët e Kombit, ish-deputetin Azem Hajdari. Figura të njohura të jetës politike, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ish-kryeministri Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe Kryetar i Partisë Demokratike, 4 ministra të qeverisë Rama, përfaqësues të partive politike në vend, kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë si Taulant Balla e Pandeli Majko nga PS si dhe deputetë demokratë Astrit Patozi, Ridvan Bode, Genc Ruli, Sokol Olladashi, etj, bënë homazhe në nderim të ish-deputetit demokrat Azem Hajdari. Ilir Meta, kreu i LSIsë njëherësh kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, kreu homazhe para arkivolit me eshtrat të Azem Hajdarit. Meta shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama. Më pas ato takuan bashkëshorten dhe familjarët e ‘Heroit të Demokracisë’ dhe nënshkruan mbi librin e kujtimeve. Në homazhe marrin pjesë ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi. I pranishëm në homazhe ishte edhe kreu i FRD-së, Bamir Topi, I cili e vlerësoi simbolin e Lëvizjes së Dhjetorit si një nga njerëzit më të guximshëm, kureshtar dhe pa komplekse në PD. Djali i Azem Hajdarit, në emër të familjes shprehu mirënjohjen, për lartësimin që iu bë figurës së Azem Hajdarit, ndërsa falenderoi Sali Berishën e Ilir Metën për mbështetjen gjatë kësaj kohe. “Në radhë të parë juve, doktor Berisha. Në të gjithë jetën tonë dhe të Azemit, keni qenë mishërues i dhimbjeve tona. Ju, z. Berisha,Ibrahim Rugova, Haradinajt dhe Jasharët e Kosovës na i keni bërë netët vetmitare të kalueshme dhe të prisnim mëngjeset me shpresa të reja. Ashtu siç na është gjendur në momente të veçanta edhe z. Ilir Meta”, u shpreh Kiri Hajdari.

Shekulli

Publikuar: 13.09.2013 | 11:11
Lexuar: 1494 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime