E shtunë, 15.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Përveç makinës qepëse, Donika bën dhe punime me grep.
Malësia e Madhe, aty ku jetojnë vejushat





Në Malësi të Madhe jetesa nuk është e lehtë. Edhe më e vështirë bëhet situata kur nuk ke përkrah bashkëshortin. Rreth 40 vejusha me probleme ekonomike në Komunat Shkrel dhe Kastrat po përpiqen së fundmi që falë mbështetjes nga organizatat jofitimprurëse të fitojnë një profesion.

Ato janë pajisur me makina qepëse sikurse po bëjnë trajnim për t’i përdorur. Gjelina Markaj është një grua me tre fëmijë në Komunën Shkrel. Ajo është bërë vetë burrë dhe vetë grua në mungesë të bashkëshortit.

“Ka tetë vite që më ka vdekur burri dhe më ka lënë shumë të varfër”, tregon Gjelina.

Makinën qepëse ka nisur ta mësojë, por ende i duhet punë që ta kthejë në burim të ardhurash: “Kam qepur disa gjëra, por ende nuk kam fituar ndonjë gjë të madhe.”

Ajo nuk nguron të paraqesë disa nga punët e bëra: “I bëj natën sepse ditën nuk kam kohë.”

Donika Smalaj është gjithashtu vejushë në Komunën Kastrat të Malësisë së Madhe. Bashkëshortin e humbi 4 vjet më parë teksa kishte dalë për të peshkuar në liqenin e Shkodrës, ku edhe u mbyt. Sot, Donika kujdeset e vetme për tre fëmijët.

Edhe pse i dukej e pamundur në fillim, Donika ka nisur ta përdorë makinën qepëse shumë mirë: “Kam bërë disa punë me makinë kur kam pasur mundësi pasi duhet të kujdesem edhe për fëmijët e të bëj punët e burrit.”

Përveç makinës qepëse, Donika bën dhe punime me grep.

Të gjitha punimet e tyre janë ekspozuar vitin e shkuar në një panair. Synimi është që këto gra të ndihmojnë veten duke përfituar një profesion dhe për të dalë nga varfëria ekstreme që kanë këto zona. Do ia dalin? Përpjekjen e kanë nisur tashmë...

Publikuar: 17.09.2013 | 18:43
Lexuar: 1515 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime