E diel, 18.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Seminari i Albanologjisë në vazhdimësi ka qenë dhe do të mbetet në shërbim të këtij qëllimi me porosi të mëdha qytetëruese.
Në USHT i filloi punimet Seminari VII Ndërkombëtar i Albanologjisë
Në Universitetin Shtetëror të Tetovës u organizua solemniteti me rastin e fillimit të edicionit VII të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë. Në këtë Seminar, marrin pjesë studiuesit më në zë të shkencave të albanologjisë nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe nga rajoni, të cilët kumtesat e tyre do t’i paraqesin në katër sesionet e Seminarit, edhe atë: në Sesionin e letërsisë, gjuhësisë, historisë dhe etnokulturës.

Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij përshëndetëse, drejtuar pjesëmarrësve të këtij seminari, theksoi se ky është viti i shtatë me radhë i Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, që organizohet nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, dhe besojmë se, si edhe viteve të tjera të jetë një ngjarje e suksesshme, e cila do t’i kontribuojë shkencës dhe përgjithësisht studimeve të albanologjisë.

"Manifestimet shkencore, debatet dhe mendimet që pritet të paraqiten gjatë ditëve në vijim, të parapara në Programin e punës të Seminarit të këtij viti, jemi të bindur se do të nxjerrin në dritë vlera të rëndësishme dhe me peshë shkencore. Seminari i Albanologjisë në vazhdimësi ka qenë dhe do të mbetet në shërbim të këtij qëllimi me porosi të mëdha qytetëruese.

Ky Seminar është një aktivitet që i tubon studiuesit e gjuhës, letërsisë, historisë dhe kulturës shqiptare, nga vendi ynë, Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, nga rajoni dhe më gjerë, që t’i prezantojnë kontributet e tyre shkencore dhe të debatojnë për çështjet që kanë të bëjnë me fushat përkatëse të albanologjisë”, tha Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, duke shtuar: “Sot, në kushte dhe rrethana të reja, jam i bindur se Ju studiues të respektuar do ta çmoni me kujdes çdo avancim dhe zhvillim të kulturës sonë. Kam bindjen e plotë se, Ju me kompetencë profesionale do ta përsosni gjuhën dhe kulturën tonë, ashtu siç e meriton, do të bëni që të ruhet tradita jonë e çmuar, duke e integruar atë me kujdes, me të arriturat e sotme bashkëkohore.
Në USHT i filloi punimet Seminari VII Ndërkombëtar i Albanologjisë

Krahas përgëzimeve, më lejoni që t’Ju drejtohem me porosinë e veçantë, që t’i jepni gjuhës, letërsisë dhe historisë sonë kuptimin, që ta prezantojmë sa më mirë jetën tonë akademike-shkencore.
Ne, në Universitetin Shtetëror të Tetovës jemi të hapur dhe të gatshëm për bashkëpunim me të gjithë Ju që ta zhvillojmë me kujdes shkencën e albanologjisë. Qasjet shkencore dhe të drejtat e studimeve, për studentët dhe profesorët e Universitetit Shtetëror të Tetovës paraqesin një detyrim profesional dhe kombëtar, por që përmbajnë në vete një krenari dhe konkurrencë pozitive”, tha në mes tjerash Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij përshëndetëse me rastin e fillimit të punimeve të Seminarit VII Ndërkombëtar të Albanologjisë.

Në emër të pjesëmarrësve në këtë seminar, përshëndeti edhe dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Shezai Rrokaj. “Ky seminar çelet në kushtet kur Universiteti juaj është zgjeruar dhe i plotësuar me fakultete dhe degë të reja, me të gjitha ciklet e shkollimit. Sot, ne sjellim në kujtesën tonë gjithë mundin dhe sakrificat që janë bërë për ta mbajtur ndezur këtë tempull të madh të dijes, burimin shpirtëror dhe thesarin më të çmuar të kësaj treve shqiptare, që është dija kombëtare, pa të cilën nuk mund të ketë vetëdije kombëtare e as komb. Urime të nderuar kolegë, për punën dhe përkushtimin tuaj dhe të gjithë stafit që drejtoni për mbarëvajtjen e Universitetit të Tetovës.
Në USHT i filloi punimet Seminari VII Ndërkombëtar i Albanologjisë

Ndaj është rasti për të vlerësuar e nderuar si dhe për t’u shprehur mirënjohje institucionale edhe njëherë korifenjve tanë të shumtë në numër nga të gjitha trevat e albanologë nga vende të ndryshme të cilët, me përkushtimin shkencor dhe atdhetarizmin, dhanë modelin më të mirë të mbajtjes ndezur të një pishtari, që nuk u shua edhe kur erërat e stuhitë antishqiptare rrahën pamëshirë për ta çrrënjosur, por dha dritë, duke u kthyer në një kështjellë qëndrese të dijes dhe vetëdijes kombëtare”, theksoi në fjalën e tij përgëzuese, profesor Rrokaj, i cili duke uruar stafin drejtues të USHT-së, tha: “Për ne, ju mbeteni përherë pjesë e idealit tonë kombëtar, e dëshirës së përbashkët për të ecur përpara, e dhembjes për mundin dhe sakrificat që janë bërë, e vullnetit dhe betimit për të qenë së bashku në trupin e shqiponjës sonë kombëtare”.

Seminarin VII Ndërkombëtar të Albanologjisë e shpalli të hapur Drejtori i këtij Seminari, njëherë edhe Prorektor për Arsim i USHT-së, Prof. Dr. Fehari Ramadani. Ai, me këtë rast tha se Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë përfaqëson veprimtarinë më të rëndësishme shkencore në hapësirat shqiptare në Maqedoni, pasi me veprimtarinë e tij, ai shpërndan mesazhe bashkëpunimi e respekti, jo vetëm në botën shkencore e akademike shqiptare, por gjithandej ku çmohet shkenca, kultura, dija dhe vlerat tjera njerëzore. “Seminari do të zhvillojë veprimtari të shumanshme shkencore dhe kulturore. Në 4 sesionet shkencore të fushave të rëndësishme të Albanologjisë: në sesionin e gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe etnokulturës, do të lexohen mbi 100 kumtesa nga studiues të njohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bullgaria etj. Ndaj me të drejtë presim që kumtesat dhe debatet e frytshme të jenë shtytës hulumtimesh e gjurmimesh të reja shkencore, të sjellin rezultate të reja shkencore, të cilat, pa dyshim, do t’i shpien përpara studimet në fushat e gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe të etnokulturës shqiptare.
Në Sesionin shkencor të Gjuhësisë, me temë bosht: “40 vjet gjuhë e përbashkët standarde shqipe”, studiuesit do të sjellin arritjet e fundit në fushën e gjuhësisë.
Në USHT i filloi punimet Seminari VII Ndërkombëtar i Albanologjisë

Në Sesionin shkencor të letërsisë, ku temë bosht është: “Eseistika shqiptare e viteve të ’30-ta”, studiuesit do të prezantohen me kumtesa interesante shkencore, përmes të cilave do të hedhin dritë plotësuese mbi njërën prej periudhave më të suksesshme të kulturës e të letërsisë shqipe në përgjithësi dhe të publicistikës shqiptare në veçanti.
Në Sesionin shkencor të historisë, me temë bosht: “Trevat lindore shqiptare (gjysma e dytë e shek. XIX - 1913)”, historianët e shquar shqiptarë do të sjellin rezultate të reja dhe do ta begatojnë shkencën e historiografisë me fakte dhe argumente të reja, për këtë periudhë udhëkryq për fatin e shqiptarëve.

Edhe në Sesionin e etnokulturës, me temë bosht: “Ndryshimet bashkëkohore në kulturën popullore dhe detyrat e etnologjisë ndaj problemit të ndryshimeve në trevat lindore shqiptare”, do të referojnë studiues të njohur, ndaj presim që edhe pjesëmarrësit e këtij sesioni të sjellin gjithashtu arritje të reja në këtë fushë.”, tha në mes tjerash Drejtori i Seminarit, Prof. Dr. Fehari Ramadani.
Seminari VII Ndërkombëtar i Albanologjisë, gjatë dy ditëve, do të zhvillojë punimet me temën bosht të Seminarit: “Prurjet e kulturës shqiptare gjatë shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI”.
Në USHT i filloi punimet Seminari VII Ndërkombëtar i Albanologjisë
Në USHT i filloi punimet Seminari VII Ndërkombëtar i Albanologjisë
Në USHT i filloi punimet Seminari VII Ndërkombëtar i Albanologjisë
Në USHT i filloi punimet Seminari VII Ndërkombëtar i Albanologjisë
Në USHT i filloi punimet Seminari VII Ndërkombëtar i Albanologjisë

Publikuar: 26.09.2013 | 18:04
Lexuar: 1285 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime