E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ish-mësuesi i shkollës në Prekal, që i pëlqente që i vogël të lexonte vjersha, u arratis drejt Jugosllavisë pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri.
Camaj, telefonata e ndërprerë me Eqrem Çabejn
Martin Camaj/ Përkthyesi i veprës së tij në shqip, Hans Joachim Lanksch, flet për jetën e Camajt në Gjermani/ Takimi i pamundur me Eqrem Çabejn dhe përplasjet në Itali me delegacionin shqiptar të Akademisë së Shkencave…

Alda Bardhyli

Teksa treni linte pas Lenggriesin për të vazhduar drejt Mynihut, Martin Camaj, vazhdonte të shfletonte gazetat që kishin ardhur nga Shqipëria.

Një trishtim reflektohej në fytyrën e profesorit që ia përcillnin ato fletë të mbushura me fjalë, që vinin nga shumë larg…Propaganda që lexonte në ato rreshta, fjalimet mbi jetën e regjimit që ishte instaluar në Shqipëri, e bënin atë të mendonte se ndoshta asnjëherë nuk do të mund të shkelte më sërish atje, në vendin ku lindi.

Ish-mësuesi i shkollës në Prekal, që i pëlqente që i vogël të lexonte vjersha, u arratis drejt Jugosllavisë pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri.

Në Beograd studioi letërsi, ku nisi të punonte dhe një disertacion për Buzukun. Në verën e vitit 1956 largohet nga Jugosllavia dhe shkon për studime pasuniversitare në Itali ku përfundon dhe temën për Buzukun më 1960.

Vitet në Romë kanë qenë të mbushura me pasione letrare për të riun, që në anën tjetër të detit kishte lënë një pjesë të familjes që vuanin burgjeve.

Pas doktoraturës ai drejton revistën “Shejzat” si kryeredaktor nën kujdesjen e Ernest Koliqit. Këtu njihet më për së afërmi me botën arbëreshe dhe jep leksione shqipeje në katedrën e universitetit “La Sapienza” në Romë.

Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër.

Në janar 1960 vendoset në Mynih të Gjermanisë falë një sistemi shkëmbimesh akademike. Bëhet lektor pranë universitetit “Ludwig Maximilian” të Münich-ut, më 1964 u bë Privatdozent.

Më 1969 ai lidh kurorë me Erikën, gjermanen me flokë të verdha, e cila do të jetë deri në fund të jetës së tij përkrah tij. Më 1970 bëhet profesor, e deri më 1990 jepte Albanologji në të njëjtin universitet.

Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindur. Më 12 mars të vitit 1992, ai mbyll sytë përgjithmonë në Mynih me brengën e pashuar për Shqipërinë. Hans Joachim Lanksch, ishte thjesht një student kur e takoi për herë të parë Camajn.

Nuk e dinte se profesori i albanologjisë do të kthehej në një personazh të rëndësishëm në jetën dhe karrierën e tij, që do ta shtynte të njihte më mirë letërsinë e një vendi si Shqipëria. Që nga koha e universitetit e derisa Camaj u nda nga jeta ata mbetën bashkëpunëtorë të ngushtë.

Ai u bë zëri i Camajt në shqip. Botimi i veprës së plotë të tij vetëm pak kohë më parë në shqip, është një rizbulim i Camajt, i cili për vite me radhë kishte qenë vetëm pjesërisht i botuar. Më poshtë në një intervistë Lanksch sjell detaje nga jeta e Martin Camajt në Gjermani, dhe na beson foto të rralla nga arkivi i tij.

Si do ta kujtonit takimin e parë me Martin Camajn?

Martin Camajn e kam njohë si profesor të albanologjisë. Gjatë nji pauze mes dy orëve të mësimdhanies u shëtitëm korridorit të institutit tue bisedue për gjana të ndryshme. Profesori më bani pyetje si se çfarë landësh studioja, çfarë më interesonte në këto studime, çfarë më interesonte përveç studimeve dhe me çfarë merresha në kohën e lirë. I thashë se më interesonte muzika klasike dhe se merresha me përkthimin e poezisë. “Çfarë po përktheni?” u interesue profesori. “Nji poet ekspresionist, konstruktivistin slloven, Sreçko Kosovel.” “Interesante”, tha. Kaloi nji copë herë, pastaj tha se “ju përktheni poezi, unë shkruej poezi” dhe shtoi se ndonji ditë do të ma binte nji libër të tijin. Nji ditë prej ditëve ma solli vëllimin “Njeriu më vete e me tjerë”. Ky qe fillimi i nji bashkëpunimi dhe i nji miqësie të bukur.

Jeta e Camajt në Gjermani është pothuajse e panjohur. A mund të na e përshkruani pak jetën e tij, nga ajo çfarë keni parë nga kontaktet që keni pasur?

Jeta e Martin Camajt në Gjermani ka kenë shumë normale. Jeta e nji profesori në nji universitet gjerman. Nji jetë shumë e disiplinueme, nji jetë me plot punë profesionale. Punën e merrte shumë seriozisht. Jepte ma shumë leksione sesa paguhej, vetëm e vetëm për t’i plotësue nevojat e studentëve. Ditën punonte. Në mbramje, kur u kthye nga puna e shoqja Erika (me profesion mjeke), filloi jeta private. Mbas darkës e shikonte ditarin televiziv, mbasandej filloi koha e telefonatave me miqtë shqiptarë në Gjermani, Itali, SHBA dhe kudo në diasporë.

Me gjithë përkushtimin për punën shkencore dhe letrare, Martin Camaj nuk ka kenë nji intelektual i veçuem, por nji njeri “normal” dhe i përzemërt që shoqnohej me miqtë, kolegët dhe studentët. Familja e tij gjermane, e vjehrra, nji grue e mirë dhe e thjeshtë, dhe mbesat e vogla, e dashunonin ma së tepërmi Martinin.

Si vinte Shqipëria në bisedat e Camaj?

Për Shqipninë dhe shqiptarët kurrë nuk tha ndonji fjalë të keqe. Për diktaturën komuniste kurrë nuk tha ndonji fjalë të mirë. Për makthin e diktaturës staliniste të PPSH-së nuk lamentohej gjatë e gjanë, por e gjykoi shkurt e ashpër. Shkurt e prerë e gjykoi dhe masakrimin e letërsisë dhe kulturës, sidomos të trashigimisë letrare dhe kulturore, nga zhdanovizmi shqiptar dhe shërbëtorët e tij. E hodhi poshtë letërsinë e indoktrinueme, letërsinë e “Realizmit Socialist”.

Dita e punës e Martin Camajt filloi me leximin e gazetave dhe revistave nga Shqipnia në të cilat ka kenë i parapaguem nëpërmjet nji librarie të specializueme në importimin e botimeve nga Europa Lindore dhe Juglindore. Profesori lexonte, sidomos gjatë udhëtimit me tren nga Lenggriesi për në Mynih, “ZiP”-in, “Bashkimin”, “Nëntorin”, “Dritën”, “Rilindjen” e Kosovës dhe gazeta nga disa rrathë të Shqipnisë. I lexonte këto botime jo se entuziazmohej për propagandën e regjimit në to, por për tri motive: a) i interesonte se çfarë po ndodhej në vendlindjen e tij, b) e ndiqtë me kujdes gjendjen resp. zhvillimin e gjuhës shqipe dhe c) i interesonte gjendja resp. zhvillimi a moszhvillimi i letërsisë shqiptare të asaj kohe.

A ruante Camaj lidhje me Shqipërinë?

Martin Camaj nuk kishte mundësi të ruente lidhje me Shqipninë e Enver Hoxhës. I sëmbonte në zemër pamundësia e ruejtjes së lidhjes me familjen në Shqipni. Familjes nuk i shkruente letra për t’i mos vu në rrezik familjarët. Nji herë nisi në shtëpi nji pako me barna mbasi kishin ndëgjue se nji familjari i nevojiteshin urgjentisht ilaçe. Pakon nuk e dërgoi me dërgues Martin Camaj por e vuni emnin dhe adresën e së vjehrrës. Mbas disa mujsh pakoja u kthye i shqyem dhe i rrënuem.

Me kolegët e profesionit Martin Camaj gjithashtu nuk mund të mbante lidhje. Po flasim për Shqipninë nën sundimin e Partisë së Punës ku shkencëtarët nuk kishin leje as edhe me përmendë ndonji koleg amerikan, rus apo ekzilant resp. ku redaktorët (censorët) e botimeve shkencore thjesht tërhiqnin emna të tillë. Profesori nuk i merrte zyrtarisht botimet periodike shkencore nga institutet përkatëse por i parapaguente dhe paguente privatisht nëpërmjet librarisë së naltpërmendun.

Me rastin e nji kongresi shkencor në Innsbruck të Austrisë më 1972, ku ishin të ftuem si Eqrem Çabej ashtu dhe Martin Camaj, Tirana zyrtare dha sinjalin: o Çabej, o Camaj. Në favor të Çabejt, Martin Camaj hoqi dorë nga pjesëmarrja.Tjetër herë, në Palermo, ku organizatori Antonino Guzzetta nguli kambë për pjesëmarrjen e Martin Camajt, “kolegët” nga Tirana, Androklli Kostallari, Gjovalin Shkurtaj, Jorgji Gjinari plus dy të tjerë e fyen randë e thellë në shpirt Camajn tue ba rropamë dhe tue e braktisë sallën sapo filloi me referue kumtesën e vet Martin Camaj. Delegacioni shqiptar nën udhëheqjen e Androklli Kostallarit tanë kohën e kongresit rrinte ndaras pa kontakt me pjesëmarrës të tjerë. Lidhun me këtë kongres ka dhe nji detal interesant. Androklli Kostallari kumtesën do ta mbante italianisht. E luti profesorin arbëresh Francesco Solano me ia korrigjue tekstin italianisht. Solano nuk ka kenë gjuhëtar por specialist letërsiet dhe e luti kolegun dhe mikun Martin Camaj me korrigjue tekstin e Kostallarit. Mbramjen para se të referonte Kostallari, Camaj ia korrigjonte dhe redaktonte kumtesën italianisht.

Nji njeri me karakter ndryshe nga ata që ishin në Palermo asht Shaban Demiraj i cili përndryshe nuk ishte anëtar Partie. Ai mori pjesë në nji sesion shkencor në Cosenza (Kozencë) ku mori pjesë edhe Martin Camaj. Demiraj Demiraj i shtriu dorën Camajt. Camaj qe paksa dyshues, por miku i tij i ngushtë, albanologu Eric Hamp nga SHBA, që e njihte Demirajn i tha se Shaban Demiraj nuk i takonte kategorisë kostallariane. Shaban Demiraj zhvilloi nji bashkëbisedim kolegial me Martin Camajn dhe u takue ma vonë dhe me çiftin Camaj. Vetëkuptohet se ky kontakt nuk mund të vazhdonte në relacionin Mynih-Tiranë.

Eric Hamp kështu e kishte ndërmjetësue edhe nji takim të albanologes ruse Agnija V. Desnickaja me Eqrem Çabejn në Innsbruck. Martin Camajt i vinte shumë keq që nuk u takue kurrë me Çabejn. Para se me vdekë Çabej (1980) me anë të familjarëve në Amerikë të mjekes pulmonologe që e mjekonte profesorin në spital u ba nji kontakt me Camajn në mënyrë që në dhomën e Çabejt në spital u instalue nji telefon për telefonatën me Camajn. Mjekja e informoi Çabejn se atë do ta marrë në telefon Martin Camaj. Në momentin e fundit hyni në dhomë nji sigurims dhe e hoqi telefonin.

Personazhe të njohur të letrave si i kujtonte?

Kuptohet se Martin Camaj fliste për letrarë shqiptarë. Ma së shumti e përmendi Ndre Mjeden si mjeshtër të poezisë shqipe. Gjithkështu fliste për Lasgushin. Ai kishte konsideratë si për Konicën ashtu dhe për Koliqin. Për autorët bashkëkohorë të asaj kohe nuk fliste. Me dy përjashtime: më foli për romanin e Kolë Jakovës, “Fshati mes dy ujnave”, për shkak të nji dukunie të çuditshme në mos idioteske: bleu i parë u botue në origjinal dmth. gegnisht, ndërsa vëllimi i dytë u botue në – siç quhej atëbotë – gjuhën e njësuar. Përjashtimi i dytë ishte romani i Natasha Lakos, “Stinët e jetës”, për të cilën tha thjesht: “E kam lexue. Më pëlqen. Vërtetë, më pëlqen”. Romani u botue edhe në Kosovë dhe depërtoi këtu nga Kosova. Librat e Realizmit Socialist i interesonin Martin Camajt si objekte studimi shkencor.

Përndryshe, në atë kohë këtu mbërrinin vetëm librat që i pëlqenin censurës së Shqipnisë, letërsia zyrtare. Romanet për thamjen e kënetave etj. Martin Camaj e mori në dijeni valën e krijimtarisë së poezisë moderne para Plenumit të IV. Mirëpo, këtu nuk ishin librat e Moikom Zeqos, Sulejman Matos, Faslli Halitit, Faik Ballancës. Nuk ishin as veprat e Frederik Rreshpjes. Nuk dihej gja për krijimtarinë e autorëve klandestinë si Zef Zorba, Mihal Hanxhari etj. Kështu që interesimi i Martin Camajt përqëndrohej në letërsinë e trashigimisë letrare shqiptare.

Situata u ndryshue mbas rrëzimit zyrtar të diktaturës komuniste ku Martin Camaj fliste me sy vezullues se “po dalin burgjeve poetët e vërtetë”, ku i ndjeri Ardian Klosi na solli poezi nga Kasëm Trebeshina, ku në këtë anë për herë të parë u ndigjuen emna si Daut Gumeni, Fatos Lubonja etj.

Ju jeni përkthyes i veprës së tij, si do ta vlerësonit gjuhën e Camajt?

Gjuha e Martin Camajt asht pjesë konstituive e letërsisë së tij. Gjuha e poezisë së tij asht vetë poezi. Gjuha e tij ka nji fuqi magjike. Gjuha e tij nuk mund të “përkthehet” në të ashtuquejtunën gjuhë letrare pa e shkatërrue strukturën dhe specifiken e veprës së Martin Camajt. Gjuha e tij ka jo vetëm nji sharm të veçantë por edhe nji bukuri, muzikalitet dhe ekspresivitet të rrallë. Gjuha e tij ka dhe nji tingull specifik, tingulli për Camajn kishte nji peshë të madhe. Po të amputohej nga trupi i veprës së Martin Camajt gjuha specifike camajane, ky trup do të shembej në mënyrë të pamëkambshme.

A e ka sot vepra e Camajt vendin e duhur në letërsinë shqipe?

Zyrtarisht, po: vepra e tij letrare, ma në fund, u botue plotësisht, Martin Camajt iu dha Çmimi kombëtar “Penda e argjendtë” dhe titulli “Nder i Kombit”. Studiuesit e rinj merren me veprën camajane, shkruhen studime serioze për letërsinë e Camajt si monografia e Shaban Sinanit, “Camaj i paskajuar”, apo disertacioni i Albana Alias pranë Universitetit të Kozencës. Mirëpo, në mungesën e kritikës letrare shqiptare nuk ka recensione që lexuesit ia afrojnë opusin letrar të Martin Camajt. Shkrime të thata gjysmëshkencore që dalin herë mbas here në periodik nuk e plotësojnë funkcionin e kritikës së mirëfilltë letrare.

Vepra e Martin Camajt studiohet në universitetet, ama jo në shkollat e mesme d.m.th. në moshën kur formohet shija dhe shqisja për artin letrar. Ndër zullumet që i ka ba regjimi i Berishës figuron edhe heqja e Martin Camajt nga tekstet shkollore me arsyetimin që Camaj “është i vështirë për nxënësit”, gja që u tha dhe për heqjen e “Gjeneralit” të Kadaresë.

Vepra e Martin Camajt ende nuk e zë vendin e duhun në letrat shqipe edhe për nji arsye të tretë. Camaj ende shikohet si autor i diasporës shqiptare, gja që duket absurde mbasi vepra e tij kategorizohet simbas kriterit gjeografik të vendqëndrimit të autorit dhe jo simbas kritereve letrare apo historike të historisë së letërsisë. Kjo asht nji logjikë simbas së cilës do të duhej me e futë Fan Nolin gjithashtu në sirtarin e “letërsisë së diasporës”. Kështu, Camaj deri diku përjashtohet nga rrjedha e historisë së letërsisë shqiptare siç e theksoi edhe poeti Primo Shllaku. Nga pikëpamja historike Martin Camaj ka kenë bashkëkohës i periudhës së Realizmit Socialist, nga pikëpamja letrare Camaj ka kenë nonkonformist. Asht koha që Camajt i jepet vendi që i takon si pjesë përbamëse e letërsisë shqiptare, si nji prej autorëve që në periudhën e Realizmit Socialist ishin alternativa letrare e që shkruenin letërsi “ndryshe”.

Çfarë ka mbetur nga dorëshkrimet e tij të pabotuara?

Vepra e tij letrare asht botue në tanësi, e keni në botimin e shtëpisë botuese “Onufri”. Të pabotueme kanë mbetur epistolari i Martin Camajt si dhe disa shënime, ligjerata etj.

Poezia mbeti një dashuri e hershme e Camajt si e shihni Camajn mes prozës dhe poezisë?

Vetë pyetja asht pjesë e përgjigjes. Martin Camaj asht nji shkrimtar mes poezisë dhe prozës. Tek ai ndërthuren gjinitë. Romani i tij i parë, “Djella”, gërshëtohet me poezi, në vëllimin poetik “Njeriu më vete e me tjerë” gjejmë nji cikël prozash poetike, “Pleqnime më vete”. Prozat e tij shpesh shquhen nga nji gjuhë e dendësueme poetike. Gjithë vëllimi “Dranja” përbahet nga proza poetike. Te “Dranja” mund të bahet nji eksperiment interesant. Rreshtat e teksteve mund të ndërpriten diku para se me u përfundue fjalia dhe – dalin vargje. Camaj asht nji shtegtar mes gjinive, ni udhëtar “mes dy botnave”, mes botës së shkencës e të letërsisë, mes poezisë dhe prozës. Ai vetë thoshte se e shprehi në prozë seç nuk mund të shprehte në poezi dhe anasjelltas. Mirëpo, ai mbeti poet kur shkroi prozë ndërsa nuk mbeti prozator kur shkroi poezi. Kështu, mendoj se Martin Camaj me gjithë vlerat e noveleve dhe romaneve të tij, me gjithë kërcimin mes gjinive letrare, në fund të fundit dhe në thelb asht në radhë të parë poet. Nji poet i lindun. Edhe nga shumë bisedime rreth letërsisë së tij dilte se Martin Camaj veten e shikonte, në radhë të parë, poet.

TRAJTA

Petk i endun prej nji dore

fund e krye, trajta,

e kandshme për sy e veshë.



Trajtë e thjeshtë e lindun

ndër mundime prej guri,

e përshkueme shtigjesh të parrahuna

me kambë ose patkoj.



Pendël e lehtë në dukje

po e randë hekur në peshë,

tingull ose ngjyrë

e kthjellët deri në dritë.
(gazeta shqip)

Publikuar: 07.10.2013 | 11:01
Lexuar: 1162 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime