E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kryeministri Ali Zeidan i Libisë flet sikur vendi është në prag të ndarjes në një seri enklavash rebele, secila prej të cilave ka qeverinë e vet, milicinë dhe një pjesë nga nafta e vendit anëtar të OPEC.
Libia, dy vjet pas çlirimit, në kaos me kërkesa për ndarje
Suleiman Al-Khalidi dhe Patrick Markey, “Reuters”

Thellë në Sahara në jug të Libisë, sheikët e fiseve vendase u mblodhën në një tendë beduinësh muajin e kaluar për ta shpallur provincën e tyre në kufi me Algjerinë një shtet të ri, të veçantë, ndoshta të pavarur nga qeveria e Tripolit që gjendet shumë, shumë larg prej këtu.

Mbi një mijë kilometra në lindje, protestues të armatosur kanë zënë portet duke penguar eksportet e naftës në Mesdhe në mbështetje të aktivistëve vendas, të cilët emëruan një udhëheqës që de facto është Kryeministër.

Kryeministri Ali Zeidan i Libisë flet sikur vendi është në prag të ndarjes në një seri enklavash rebele, secila prej të cilave ka qeverinë e vet, milicinë dhe një pjesë nga nafta e vendit anëtar të OPEC.

Këtë fundjavë, sulmi amerikan për të rrëmbyer një të dyshuar si oficer i lartë i Al-Kaedës në Tripoli, thjesht sa vuri në dukje faktin që telashet e Libisë mund ta bëjnë më të lehtë që militantët islamikë të gjejnë një strehë të sigurt.

Dy vjet pas luftës civile, që i dha fund sundimit 42-vjeçar të Muamar Gaddafi-t, ambiciet federaliste kanë komplikuar kontrollin sakaq të dobët të Zeidan mbi ish-rebelët që po vijojnë të kërkojnë më shumë pushtet.

Sfidat e tij janë më të ashpra në lindje, ku protestuesit pretendojnë se duan të mbrojnë naftën e Libisë nga elitat e korruptuara, duke mbyllur porte dhe duke kërcënuar se do ta shesin naftën në mënyrë të pavarur për rajonin e tyre Sireniaka, një bazë e fuqishme anti-Gaddafi.

Atje, qyteti kryesor Benghazi sakaq ka krijuar këshillin e vet, duke kërkuar të drejtojë punët e rajonit dhe ka bërë thirrje që kompania shtetërore e naftës NOC të kthehet në një zonë që dikur ka qenë zemra ekonomike e Libisë.

“Qeveria dhe kongresi shfrytëzojnë pasurinë e Libisë dhe e përdorin atë për t’u shërbyer synimeve të veta”, thotë Ibrahim al-Jathran, ish-kreu i një njësie për sigurinë e sektorit të naftës, që dezertoi për të kapur portet e lindjes, si një kryetar federalist.

Megjithatë, sado që duket kaotike, Libia është shumë larg ndarjes dhe ka pak gjasa se do të ndjekë rrugën e Irakut, ku federalizmi ndau të ardhurat nga nafta mes qeverisë arabe të Bagdadit dhe enklavës kurde që drejton veriun e vendit me administratën dhe ushtrinë e vet.

Më shumë se sa protesta popullore gjithëpërfshirëse, protestat e Libisë për autonomi janë krijuar për shkak të mungesës së kontrollit nga Tripoli, aleancave fisnore dhe një serie mosmarrëveshjesh vendore të pazgjidhura mbi sigurinë, korrupsionin e shërbimeve publike të mangëta që janë shfaqur si probleme që nga revolucioni i vitit 2011.

Deklaratat e pavarësisë nga Sirenaika dhe më së fundmi nga rajoni jugor Fezan, ndryshojë shumë pak gjëra në terren politikisht, thonë analistët, për shkak se duket se nuk kanë mbështetje masive popullore tani për tani, si dhe nuk kanë autoritet real sipas marrëveshjes tranzicionale të Libisë.

Por rreziku është që kërkesa të tilla ta zhysin Libinë më thellë në kaos, me një qeveri të dobët të paralizuar nga mungesa e elasticitetit dhe milicitë e armatosura me shumë pak mbështetje publike, por të afta për të shantazhuar Tripolin për gjoba, duke mbyllur eksportet e naftës në emër të federalizmit.

Ky skenar ka krijuar sakaq krahasime me Nigerinë, ku militantët e lëvizjes “Për emancipimin e Deltës së Nigerit” (MEND) kanë sulmuar instalimet e naftës, kanë marrë peng punonjës të huaj dhe kanë vjedhur naftë për shitje private nën flamurin e luftës për të drejtat e popullit të shtypur të Deltës së Nigerit.

Nëse nuk do të kemi një përgjigje të qartë nga qeveria qendrore, Libia mund të jetë ende në rrugën e ngadaltë të fragmentarizmit me qytete dhe rajone në konkurrencë me njëra-tjetrën, besnikë ndaj grupimeve etnike apo fisnore vendase, që përplasen për kontrollin e burimeve vendase të naftës dhe gazit.

“Ata po përpiqen ta përdorin këtë fuqi si një mjet pazari me shtetin. Ata dëshirojnë të shkatërrojnë procesin aktual politik dhe për ta bërë diçka të tillë, kërcënojnë me shkëputje nga Libia”, thotë Claudia Gazzani, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

“Nëse kjo do të bëhet një konflikt i armatosur që do të sjellë më shumë autonomi, do të varet shumë nga mënyra se si do t’u përgjigjet qeveria kërkesave të njerëzve.”

Lindja më problematike

Federalistët e Libisë luajnë me ndarjet e vjetra që datojnë para kohës kur Gaddafi erdhi në pushtet më 1969-n. Ata vënë në dukje vitin 1952, kur pushteti u nda mes Sireniakas, provincës jugore të Fezan dhe Tripolitanës në perëndim.

Dështimi i qeverisë qendrore për të vënë nën kontroll milicitë rivale dhe për të dhënë siguri në pjesët më të rëndësishme të Libisë apo vetë në Tripoli, thjesht sa ushqen ambiciet federaliste.

Benghazi në lindje ishte djepi i kryengritjes kundër Gaddafi-t, për shkak të pakënaqësive të thella të banorëve të saj që qenë keqtrajtuar nga sundimtari i Tripolit, por që edhe sot nuk kanë marrë pjesën që i takon të luftës revolucionare.

Libia është ende pa një kushtetutë të re. Ajo duhet të hartohet nga një komitet i zgjedhur nga të tria rajonet, të cilët janë në presione të pretendimeve federaliste, kërkesave fisnore e etnike.

Ndryshe ndodh në Irak, ku sakaq është krijuar një sistem federal, i cili sanksionon që Kurdistani autonom të eksportojë naftën e vet përmes tubacioneve të qeverisë qendrore dhe në këmbim të marrë një përqindje të buxhetit federal, megjithëse ka ende shumë mosmarrëveshje për t’u zgjidhur.

“Kurdët janë në mazhorancë në Kurdistan. Por në Libi, si në jug ashtu edhe në lindje, ata që kërkojnë autonominë janë grupime të vogla”, thotë Hadi Belazi, drejtor i “Petro Libya”, një kompani shërbimesh për industrinë e naftës me bazë në Tripoli.

“Në Libi, në disa raste 10 apo 15 njerëz mjaftojnë për të mbyllur një tubacion dhe ata nuk mund të konsiderohen as si përfaqësues të një fisi.”

Federalistët nuk kanë mbështetje të fuqishme për autonomi të plotë dhe shpesh duket se përdorin federalizmin më shumë si mekanizëm presioni kundër Tripolit, sipas analistëve, zyrtarëve vendas dhe diplomatëve.

Fiset e rajonit Fezan në jug deklaruan autonominë dy javë më parë, por rivalitetet mes grupimeve që mbështetën Gaddafi-n dhe ata që e kundërshtuan atë do ta dobësojnë propozimin, thonë vendasit, edhe pse pakënaqësia ndaj Tripolit është e fortë.

“Fezan është një burim gazi, uji, bujqësie dhe pasurie që shkon në veri dhe në kryeqytet. Asnjë gozhdë nuk është ngulur këtu”, thotë Khalil Mohammed, një infermier në një lokal vendas në qytezën Sabha në Fezan.

Në perëndim, që është një rajon më i populluar, fisi i fuqishëm Zintan, i cili mbylli fushën e madhe të naftës El Feel, kërkuan dhe morën rritje pagash, si dhe premtime për më shumë financime për projektet komunitare të zonës.

“Federalizmi në lindje është një çështje më serioze dhe më konkrete. Por mbështetja për të është shumë e kufizuar dhe nëse qeveria mund të zgjidhë problemet e sigurisë dhe të financimit të projekteve, mendoj se federalizmi do të zhduket shpejt si rrymë”, tha një diplomat.

Megjithatë, zonat lindore të Libisë janë shumë larg të qenët nën kontrollin e qeverisë, ku militantët sulmuan konsullatën amerikane më 2012-n.

Lufta e llogoreve mes milicive rivale është tensionuar nga prania e konsiderueshme e islamikëve të vijës së ashpër në qytet.

Në zonat e largëta prodhuese të naftës në shkretëtirë, disa mijëra militantë të armatosur, të udhëhequr nga federalisti Jathran, mbajnë nën kontroll impiantet e naftës që sigurojnë rreth 6 për qind të pasurisë minerare të vendit.

Është e paqartë se sa mbështetje mund të ketë Jathran nëse nis një fushatë reale për autonomi në lindje apo nëse protestat e tij mund të marrin fund në rast se Tripoli ofron më shumë koncesione.

Qeveria qendrore ka paralajmëruar se mund të përdorë forcën, por duket refuzuese për t’u përballur me federalistët e armatosur. Për momentin, protestuesit e naftës së lindjes po mbajnë një qëndrim të ashpër.

Ata po përpiqen të eksportojnë naftë në mënyrë të pavarur përmes Mesdheut pa asnjë marrëveshje me Tripolin, por kjo punë nuk do të jetë e lehtë për njerëzit e Jathran.

Qeveria ka kërcënuar se do të sulmojë çdo anije që eksporton ilegalisht naftë.

“Një gjë është e sigurt, Jathran dhe njerëzit e tij nuk do të jenë në gjendje të shesin naftë.

Askush nuk do të jetë i interesuar të ndërmarrë rreziqe të tilla”, thotë John Hamilton, një konsulent biznesi i përqendruar tek Afrika dhe energjia.

“Në rast se një anije hyn në port për një naftë të tillë, ajo do të shënjohet si naftë e vjedhur nga Libia.”

Libia, profili

Libia është një vend me 1.76 milionë kilometra katrorë dhe me vetëm 5.7 milionë banorë.

Burimet e rëndësishme të naftës dhe gazit të zbuluar në vend në vitet ’70, e bënë këtë vend një nga më të pasurit në Afrikë.

Të ardhurat e naftës krijuan një shtet me aktivitet të konsiderueshëm në mirëqenien shoqërore, por pabarazia është gjithashtu e lartë.

Vendi prodhon 1.6 milionë fuçi naftë në ditë, por përveç sasisë që është e lakmueshme, cilësia e naftës së këtij vendi është shumë e lartë, gjë që bën që kërkesa për të, të jetë e konsiderueshme.

Vendi ka edhe 76 miliardë fuçi naftë në nëntokën e vet, rezerva e pestë më e madhe në botë.

Mbi 90 për qind e sipërfaqes së vendit është shkretëtirë.

Duke shfrytëzuar shpimet gjatë kërkimeve për naftë, të cilat rezultuan me zbulimin e liqeneve nëntokësore të thella, vendi ka ndërmarrë disa projekte për të përdorur ujin fosil për vaditje dhe për zhvillimin e bujqësisë.

Publikuar: 08.10.2013 | 17:48
Lexuar: 1155 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime