E martë, 11.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Lëvizja Qytetare “ZGJOHU!” dhe Shoqata e Artistëve Shqiptar në Republikën e Maqedonisë reaguan me kohë dhe me qëllime të sinqerta për t'a shmangur përsëritjen e gabimeve të konkurseve të viteve të kaluara për përzgjedhjen e këngës për Eurovizion.
Reagim rreth zgjedhjes së këngës përfaqësuese në Eurovizion











Edhe përskaj reagimeve të paradokohshme rreth zgjedhjes së këngës përfaqësuese të Maqedonisë në festivalin Eurovision, Lëvizja Qytetare “ZGJOHU!”, Shoqata e Artistëve Shqiptar në Republikën e Maqedonisë dhe opinioni i gjerë janë të dëshpëruar për moslejimin e interpretimit të këngëve konkurruese në gjuhën shqipe. Përskaj faktit se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, servisi publik televiziv TVM vazhdon më tej me diskriminim shumëvjeçar në përzgjedhjen e përfaqësuesit të Maqedonisë në Eurovizion. Dy këngët e dërguara në konkurs në gjuhën shqipe janë refuzuar me pretekst se janë në gjuhën shqipe gjë që është në kundërshtim me rregulloren e TVM për këtë eveniment.

Lëvizja Qytetare “ZGJOHU!” dhe Shoqata e Artistëve Shqiptar në Republikën e Maqedonisë reaguan me kohë dhe me qëllime të sinqerta për t'a shmangur përsëritjen e gabimeve të konkurseve të viteve të kaluara për përzgjedhjen e këngës për Eurovizion. Në konkurset e përmendura theksohet që kusht për pjesëmarrje në garën është interpretimi vetëm në gjuhën maqedonase. Lëvizja Qytetare “ZGJOHU!” dhe Shoqata e Artistëve Shqiptar konsiderojnë që ky kusht është skajshmërisht diskriminues për artistët shqiptar në Maqedoni për arsye se:

- Gjuha në muzikë është mjet për shprehjen e botës emotive dhe artistike të kompozitorit, poetit dhe performuesit. Parashtrimi i kushteve të këtilla paraqet kufizim për krijimtarinë e autorëve të caktuar dhe rrjedhimisht kufizon edhe produktin final (këngën).

- Konkursi ndeshet me karakterin multietnik, multikulturor dhe karakterit kushtetues dygjuhësor të Republikës së Maqedonisë.

- Konkursi nuk është në frymën e Eurovizionit që promovon vlerat multikulturore të Evropës.

- Ky kriter diskriminues kufizon artistët shqiptar për të konkuruar në festivalin me këngë të kënduara në gjuhën e tyre amtare.

- Parlamenti i Republikës së Maqedonisë miratoi ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe me çka gjuha shqipe është gjuhë e dytë zyrtare në qytetin e Shkupit dhe Republikën e Maqedonisë.

- Festivali “Shkupi Fest” është në kuadër të servisit publik TVM për të cilin kanë dhënë kontribut edhe pjesëtarët e komuniteteve tjera etnike në Maqedoni, andaj servisi publik duhet të reflektojë barabarsinë reale multetnike dhe jo të promovojë selektivitet etnik.

- Redaksia muzikore e “Shkupi Fest” dhe rregullorja e festivalit duhet t'i adaptohen realitetit të ri të Maqedonisë si dhe ndryshimeve ligjore në lidhje me përdorimin e gjuhës.



Shpresojmë se kjo është hera e fundit që të mos lejohet interpretim në gjuhën shqipe. Duke e pas parasysh se servisi publik televiziv financohet nga mjete buxhetore shtetërore në mbushjen e të cilit kanë meritë edhe qytetarët shqiptar të Maqedonisë, jemi të bindur se TVM do ta ndërpret praktikën e deritanishme të diskriminimit kulturor të shqiptarëve dhe të gjuhës zyrtare shqipe dhe do të bën ndryshimet e nevojshme në rregulloren e festivalit përzgjedhës. Përkujtojmë se në edicionet e disa viteve të fundit këngët që e përfaqësojnë Maqedoninë kanë marrë vota të konsiderueshme nga votuesit shqiptar jashtë vendit. Jemi të bindur se ky projekt së bashku me projektet tjera antishqiptare nga sfera e kulturës dhe arsimit, do të korrigjohen me qëllim të vetmin – mosnxitjen e tensioneve ndëretnike dhe ndërfetare. Duke e pas parasysh ardhmërinë e vendit në strukturat euro-atlantike, Republika e Maqedonisë duhet të jetë shembull i bashkëjetesës dhe marrëdhënieve të avancuara ndëretnike dhe ndërfetare, një shtet i qytetarëve të barabartë në çdo aspekt.

Lëvizja Qytetare ZGJOHU! fuqishëm mbështet nismën e Shoqatës së artistëve shqiptar në Maqedoni për vlerësimin e kushtetutshmërisë së rregullores së festivalit “Shkupi Fest”



TVM dhe “Shkupi Fest” të mos kufizojnë performancën e këngëve vetëm në gjuhën maqedonase, por t'iu mundësojnë edhe artistëve tjerë që të konkurojnë duke ia mundësuar publikut që të vlerësojë kualitetin e këngëve duke mos i diskualifikuar ato para fillimit të festivalit.

Shpresojmë që redaksia muzikore e servisit publik TVRM do të reagojë pozitivisht ndaj këtyre propozimeve që do ta begatonin krijimtarinë e këtij festivali sepse diversiteti është përparësi dhe jo pengesë për zhvillimin e artit muzikor në Maqedoni.

Publikuar: 25.02.2010 | 16:09
Lexuar: 1618 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime