E martë, 11.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ambasadori i dikurshëm i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku,është rikthyer në Kosovë disa vite pas punës diplomatike, por kësaj radhe si shkrimtar dhe jo si diplomat.
Çejku promovoi edhe në Prishtinë romanin “Dymbëdhjetë”

















Më saktësisht, ai e ka promovuar romanin e tij të parë, “Dymbëdhjetë”, i cili tash e tutje do të jetë pjesë e tregut kosovar. Një ditë më parë, diplomati nga Tirana të njëjtën gjë e ka bërë në Maqedoni, gjegjësisht, në qytetin e Shkupit.

Romani “Dymbëdhjetë” është vlerësuar lartë nga recensenti, akademik Ali Aliu, i cili gjatë fjalës së tij për librin ka thënë se fillimisht e ka marrë me rezervë leximin e tekstit të romanit, por më vonë e ka parë se ia ka vlejtur mundi.

“Si zakonisht, kur fillestarët më japin ndonjë vepër në dorëshkrim për t’ua lexuar, të paktën flas për përvojën time, e kam një ndjesi të përzier, në mes të kërshërisë, po pak edhe mosbesimit. Mbase një bezdi për të lexuar dhunshëm një dorëshkrim. Mbizotëroj kërshëria dhe sa më kujtohet që atë ditë sa u ktheva në shtëpi fillova ta lexoj”, ka thënë ai, duke shtuar se si lexues, që në faqet e para të leximit të një vepre ndjen lodhjen ose të kundërtën, ndërsa tek “Dymbëdhjetë” leximin e ka bërë me ëndje, ndërsa veprën e ka përfunduar për pak ditë.

Ndërkaq, duke folur për karakteristikat e romanit dhe autorit të tij, siç transmeton kulplus, akademik Aliu ka thënë se Çejku është person i mirëpritur në mjediset shqiptare.

“Po ashtu ajo që mua si lexues më ka bërë përshtypje është një gjeografi letrare, që hapësirën Arbeni e bënë bashkë, Tiranë, Prishtinë, Shkup, Tetovë, kështu kryepersonazhi i romanit shëtit në shtëpi të vet, jo sikur në shtëpi të vet, por në shtëpi të vet, mes miqve të vet, mes ambienteve të veta të ngrohta, po ashtu është një veçanti, do të thosha e rrallë, në letërsinë tonë sot”, ka thënë ai.

Ai thotë se në romanin në fjalë shtyllë kryesore e këtij rrëfimi është vëllai i Lekës, i cili, siç thotë ai, në një moment vëllai e qorton vetën që për këtë dymbëdhjetë vjetor të vdekjes nuk ka arritur t’i dërgojë lule të freskëta tek varri, ndërkaq, qortimi përfundon me një vendim që ta ringjallë vëllanë!

“Dhe këtu fillon odesiada e tij shumë zbavitëse, shumë interesante me një përfundim të natyrshëm, spontan, që unë e kam ndjerë kënaqësi të veçantë kur e kam përfunduar romanin”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, redaktorja letrare, Alda Bardhyli, ka thënë se romani “Dymbëdhjetë”, është vepër që sjell risi në trojet shqiptare.

“Është një roman i cili i thyen skemat të cilat jemi mësuar t’i lexojmë në letërsinë para vitit 90, por edhe këto në këto njëzetetre vitet e fundit, një roman i cili mund të bohet edhe mund të lexohet tek çdo lexues evropian. Tema kryesore që dominon në këtë libër është raporti i shoqërisë me teknologjinë, për herë të parë një libër, një fenomen ky goxha i njohur dhe shqetësues i ditëve tona, i pasqyruar në një libër aq qartë dhe aq bukur, siç ka shkruar Beni”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, shkrimtari kosovar, Nazmi Rrahmani, i cili gjithashtu ka folur për romanin, ka thënë se vetë emri dhe tematika e romanit është specifike, dhe si e tillë përbënë një roman që lexohet me ëndje, i cili, siç ka thënë ai, është i rrallë edhe për nga tematika edhe për nga shkrimi i lëndës në përgjithësi.

“Në shikim të parë, vetë titulli duket paksa i veçantë. Është një numër që mund të tregojë sasi, por nuk tregon në fillim, çka edhe lexuesi sikur në fillim i bënë vetës pyetjen, çka janë ata dymbëdhjetë, pra pikënisja e ngjarjeve të paraqitura në këtë roman është nga numri dymbëdhjetë, pikënisje kjo që do të rrjedh si një lum i pandashëm me ngjarjet që do të pasojnë mu nga kjo pikënisje. Pra, ora dymbëdhjetë e dymbëdhjetë minuta, data dymbëdhjetë, muaji dy i vitit 2012, dhe dymbëdhjetë – dymbëdhjetë vjet”, ka thënë ai.

Rrahmani ka thënë se të gjitha këto dymbëdhjeta që i bien personazhit kryesor të romanit në mendje në momentin e nisjes në rrugë, dhe si të tilla i vijnë atij si një kujtim i rëndë, si një mesazh nga diçka e padukshme por e lidhur ngushtë me kujtimet dhe jetën e tij.

“Kishin kaluar dymbëdhjetë vjet nga vdekja e vëllait të Lekës, pra plot dymbëdhjetë vjet kujtime e mall për vëllanë e vdekur që në ato qaste i kishin ardhur si një kërkesë shpirtërore për një përkujtim të veçantë që do ta shtynë të niste edhe një aventurë të çuditshme, të veçantë, por edhe të rrezikshme”, ka thënë më tutje shkrimtari kosovar.

Vetë autori, Arben Çejku, ka thënë se suksesi i parë i librit të tij ishte fakti se akademik Ali Aliu e ka lexuar i pari veprën, për t’ia bërë recensionin më pas.

“Dhe kur më tha se e lexova, dhe një mik i përbashkët më tha se e ka lexuar profesori, u gëzova, të paktën një njeri i shkoi deri në fund”, ka thënë ai.

Çejku ka theksuar se fjalët e mira për veprën e tij të thëna nga akademik Ali Aliu dhe shkrimtari Nazmi Rrahmani e kanë inkurajuar që, siç ka thënë ai, në të ardhmen të ndajë kohë më shumë për të shkruar, ngase ka nevojë për letërsi.

“Unë iu sigurojë, sa kam parë që gjuha shqipe është ndër gjuhët më të vjetra edhe është nëna e shumë gjuhëve të tjera, dhe kam qenë krenar që kam shkruar në këtë gjuhë kaq të begatë, kaq të mirë”, ka nënvizuar autori i romanit “Dymbëdhjetë”.

Romani “Dymbëdhjetë”, i Çejkut, është në proces të përkthimit në gjuhën angleze, dhe se shumë shpejt do të jetë i botuar edhe në këtë gjuhë, ndërsa autori para kësaj vepra ke botuar disa vëllime me poezi.

koha.

Publikuar: 14.12.2013 | 13:14
Lexuar: 899 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime