E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Nuk humbi Isa Mustafa, sepse fitoi LDK-ja. Triumfi i kësaj partie bazohet pikërisht në vetësakrifikimin e shefit të saj. Qëllimisht?
Pse humbi Isa?













Dramatiku dhe shkrimtari francez i shekullit XVII Pierre Corneille, ka lënë një urti që thotë se “Çdo fitore pa rreziqe është triumf i padinjitet”. Në politikë kjo sentencë duhej ta kishte statusin e ligjit. Ndërkaq për LDK-në duhet të jetë pika dhe referenca racionale nga duhet t’i nisin analizat para se të kërkojnë rikonfigurime brenda partisë.

Elektorati vërtet u soll ashtu siç pritnin mediet dhe analistët seriozë: ndryshe se ç’ishim mësuar. Edhe pse shumëkush flet për befasi, sjellje të paparashikueshme të zgjedhësve, kursi i votuesve nuk duhet t’i habitë njohësit e proceseve brenda partive, kapacitetet e tyre, atë që ofronin partitë dhe ato që kërkonte votuesi i këtij viti.

Përveç programeve, synimeve dhe aksioneve publike që partitë shtronin si alternativa për qytetarët e sidomos për zgjedhësit e tyre, ata bënin edhe kalkulime tjera (shumë e zakonshme) se si të ndikojnë edhe në suksesin apo mossuksesin e personaliteteve dhe partive të caktuara.
Këtë radhë analizojmë LDK-në. Suksesin e saj si parti dhe humbjen e shefit të partisë Isa Mustafa në Prishtinë.

1. LDK kishte mobilizuar të gjitha forcat e mundshme për të regjeneruar, respektivisht për të ngjallur një parti të madhe që dukej sikur në pjesët e saja më të ndjeshme i kishte hyrë para kohe gjumit dimëror, kështu duke vegjetuar. Një gjendje që rrezikonte humbjen e atraktivitetit të kësaj partie jo vetëm në fazën elektorale, por pritej që nga këto zgjedhje të nisë tkurrja serioze e partisë. Isa Mustafa solli të kundërtën.

2. Reformë e projektuar dhe ekzekutuar në kohë në personelin e degëve të LDK-së katapultoi partinë si prijëse, dhe atë duke shumuar votat nga 120 mijë (para ardhjes së Isa Mustafës në krye) në 200 mijë sosh. Brenda partisë u inkuadrua një gjeneratë e re, e sidomos femrash, që ia hoqën nga portreti LDK-së ato njollat që i krijuan spekulimet që partia të jetë e bllokuar nga gjenerata e ish-funksionarëve politikë të kohëve të shkuara.

3. Në këtë ndërmarrje në nivel vendor, mirëpo Isa Mustafa harroi, sakrifikoi veten: ai nuk arriti që listën e asamblistëve për Prishtinën ta rimobilizojë po me atë kualitet siç bëri në komuna tjera të vendit. Sidomos kur kihet parasysh fakti se çdo qeverisje 15-vjeçare konsumohet aq sa që njerëzit, edhe po të ishte më e mira, kërkojnë ndryshime. Kjo është në natyrën e çdo pushteti, sidoqoftë ai.

4. Një gabim taktik qoftë si hap e paragjykim ishte ngulja këmbë e qarqeve të ndryshme të LDK-së për ta parafestuar Isa Mustafën edhe si kryeministrin e ardhshëm të Kosovës. E gabuar kjo sepse sidomos për votuesit neutralë, racionalë u bë dilemë: pse të zgjedhim dikë që pas një viti na lë qytetin dhe ikën sferave më të larta të pushtetit?

Nga ana tjetër, kur kontrollojmë ndikimet e jashtme dhe fragmentarisht edhe të brendshme që kishin në këtë proces zgjedhor, ndeshemi me një front tejet aktiv jo gjithaq kundër LDK-së sesa kundër Isa Mustafës personalisht.

5. Brenda vetë LDK-së u aktivizua një qark inatçor përbrenda hierarkisë e cila donte dhe gatuante humbjen e Isa Mustafës që pastaj në zgjedhjet në nivel vendor partia të shkojë me ndonjë emër të ri. Defekti i këtij kalkulimi, mirëpo doli fakti se LDK fitoi shumicën e komunave tjera të rëndësishme.

6. Ekzistonte një atmosferë gati euforike për të nominuar e zgjedhur Shpend Ahmetin dhe Mimoza Kusarin. Jo për shkak të partive të tyre, por më shumë për shkak të dëshirës të shumë votuesve që ndryshimet simbolikisht e praktikisht t’i kuadrizojnë me njerëz të rinj, të shkolluar jashtë, “kokë në vete” dhe me elan të ri. Ky qëndrim nuk shkon në konto personale të Isa Mustafës, pra mosvotimi i tij nga ky segment votuesish nuk ka të bëjë aspak me ish-kryetarin e Prishtinës.

7. PDK çuditërisht madje humbjen e Isa Mustafës e mori si fitore të saj edhe pse postin e kryetarit të Prishtinës e mori Vetëvendosja. Është fshehtësi publike se Pacolli, AAK dhe PDK bënë çmos që Isa Mustafa të mos fitojë. Edhe këto duket se bënë analizat gabim, po si ai segmenti brenda LDK-së, e cila harroi se Isa Mustafa nuk ishte vetëm kandidat për kryetar i një qyteti, por ai ishte edhe strategu, ekzekutori dhe timonieri i suksesit të partisë edhe në komunat tjera.

PËRFUNDIMI - Nga ky kalkulim faktesh, nga kjo analizë nuk ka dyshim se Isa rrezikoi veten, humbi që LDK ta fitojë Kosovën. E ky është triumfi më dinjitoz i tij personalisht. Ndërsa, këtë nuk mund ta themi për asnjë kryetar tjetër partie, për partitë jo se jo. Ose siç thotë populli me atë proverbin interesant: “mos ia bëj varrin tjetrit - se bie vetë në të”.

Publikuar: 23.12.2013 | 19:06
Lexuar: 1498 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime