E shtunë, 17.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Letra mban datën 5 janar 1919, kur siç shkruan gazeta, Noli ishte Administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA.
Një letër e bukur e Nolit: Rakia, i vetmi ilac që besojnë shqiptarët










Gazeta “Shqip” boton sot një copëz të rrallë: një letër të Peshkop Nolit, dijetarit dhe protagonistit politik të viteve ’20, drejtuar një mikut të vet gazetar, Milto Sotir Gurra. Letra mban datën 5 janar 1919, kur siç shkruan gazeta, Noli ishte Administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA.

Një letër e shkruar nga Noli në dehje e sipër, ku rrëfehet sesi përvëlon xhani nga rrëkëllima e dy-tri-katër kupave raki, të cilën “ma fali një besnik pas meshës”. Gjithsesi imzot Noli nuk mungon që ta shpalosë me një vetëdije të kristaltë gjendjen ku bie, ndonëse tek e katërta pranon se “tani e humba fare”. Ja letra të cilën “Shqip” e boton ditën e Krishtlindjeve:

“...megjithë që më kini kujtuar me katër letra dhe me gjithë që s’gjeja në asnjë çip të zemrës as hijen e ndjesës për heshtjen time, prapë e rrëfej: - do të mos ju kisha shkruar, sikur të mos më zbriste papritur një frymëzim, në formën e një dykupëshi rakie rrushi, të cilat më dhanë forcën të mbaroj këtë detyrë të harruar përpara një miku të vjetër. Shishen e çmuar e kam përpara.

E vogël për fat të zi, por ka edhe disa kupa brenda, kupë që shtrojnë nervat, që kullojnë gjakun, që shërojnë të sëmurin, që ngjallin të vdekurin. Ma fali sot një besnik zemërdhembshur, pasi mbaroi mesha. Besniku e di që unë s’pi, por ma dha për ilaç. Se i vetmi ilaç në të cilin besojnë shqiptarët është rakia.

Dhe qenka ilaç me të vërtetë. Vetëm dy kupa dhe m’u ndreq shëndeti: dëshpërimi i lëshon vend një lumturie ëndërrore; buzëvarja ikën e ndjekur prej buzëqeshjes dhe pastaj e bombarduar prej argalisjes; e sotmja s’më duket aq e keqe, dhe për nesër ka Perëndia. Dhe më e mira është që me një kupë të tretë mund të ndreqen të gjitha punët.
O burrani! Nën flamurin e Shahinit trimëria më shtohet, bëhem zjarr e shpuzë. Të kam gjetur or Milto! Më duket sikur shoh përpara përmes mjegullës diafane, me të cilën më rrethoi fuqia magjike e ilaçit të vilajetit. Që të kthjellohet koka dhe të më çelen sytë, rrëmbej kupën e katërt, se ashtu këshillojnë theriaklinjt tanë, të shtruar këmbëkryq, që pinë me njërën dorë dhe ia kërcasin me tjetrën!
Dhe tani të humba fare!

Po kudo që të jesh mos pandeh se të harrova. Të kam kujtuar këtu e ca ditë në Mançester, ku u poqëm për herë të parë. Një ditë shkova ca çaste të lumtura duke kënduar legjendën “Plaku i moçëm”. Po këtu duhet të mbaroj se m’u errën sytë dhe nisi të më dhembë koka. U mor vesh që ilaçi i mjekëve me kallca dhe më silah s’bëka për mua. Megjithëkëtë prapë mbaroj punë, se ja ku të shkrova këtë letër me gjallërinë fluturake që më dha. Nesër do ta provoj edhe njëherë kush e di, mund të bëj prapë ndonjë çudi. Gjer atëherë natën e mirë...”

Publikuar: 29.12.2013 | 13:54
Lexuar: 1099 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime