E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Me komedinë e Anderson fillon gara për Ariun e Artë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, për të cilin konkurrojnë gjithsej 20 regjisorë nga e gjithë bota.
Edicioni i 64 i Berlinales ngre siparin
Berlinalja e 64-t ka shtruar tapetin e kuq dhe në hapjen e festivalit të filmit do të ketë aq shumë të ftuar prominentë nga Hollivudi sa nuk ka pasur prej kohësh në hapjen e një festivali filmi.

Regjisori amerikan Wes Anderson ("Moonrise Kingdom", "Die Royal Tenenbaums") sjell në Berlin prodhimin e tij të ri grotesk "Grand Budapest Hotel" dhe thuajse gjithë ansamblin e aktorëve të tij.

Mbi 400 filma në program

Drejtori i festivali Dieter Kosslick do të përshëndesë në premierën botërore në pallatin e Berlinales në sheshin "Postdamer Platz" aktorët Bill Murray, Ralph Fiennes, Jeff Goldblum, Saoirse Ronan, Tilda Swinton, Adrian Brody, Willem Dafoe dhe Edward Norton.

Në tragjikomedinë "Grand Budapest Hotel" ata luajnë punonjës dhe klientë ekscentrikë të një hoteli luksoz, ku mbizotëron ngjyra rozë pastel. E gjithë bota e hotelit rrotullohet rreth kujdestarit Monsieur Gustave (aktori Ralph Fiennes), një vrasjeje dhe një pikture milionëshe të periudhës së renesansës.

Me komedinë e Anderson fillon gara për Ariun e Artë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, për të cilin konkurrojnë gjithsej 20 regjisorë nga e gjithë bota.

Filma rreth temave seks, dashuri, kishë, faj dhe përpunim i së kaluarës, kishte njoftuar drejtori i festivalit Kosslick. Me interes të madh pritet filmi i George Clooney-t "Monuments Men", i cili merr pjesë jashtë gare dhe tregon për shpëtimin e thesareve të rëndësishëm të artit nga duart e nazistëve.

Po aq të lakmuara janë edhe biletat për filmin e Lars von Triers «Nymphomaniac Volume I», në të cilin aktorja Charlotte Gainsbourg luan një grua të varur nga seksi.

Filmat gjermanë në garë

Për herë të parë pas vitesh garojnë për Ariun e Artë katër filma gjermanë njëherësh. Njëri prej tyre është "Mes botëve" i Feo Aladag, i cili tregon për ushtarët e Bundesverit në Afganistan. Dominik Graf në filmin e tij "Motrat e dashura" tregon një histori dashurie treshe mbi dashurinë e poetit Friedrich Schiller për motrat Caroline von Beulwitz dhe Charlotte von Lengefeld.

Në filmin e Dietrich Brüggemann "Rruga e kryqit", një vajzë e re lufton me rregullat e rrepta të familjes së saj konservatore katolike. Regjisori tjetër gjerman Edward Berger merr pjesë në garë me filmin "Jack".

Dy filma të rëndësishëm dokumentarë mund të shihen në serinë speciale dhe të forumit: "German Concentration Camps Factual Survey" është dokumentacioni britanik i sapo rizbuluar dhe i rikonstruktuar për çlirimin e kampit të përqendrimit Bergen-Belsen, për të cilin ka bashkëpunuar edhe regjisori i famshëm Alfred Hitchcock.

"Night Will Fall" i André Singer tregon historinë e filmit të trajtuar për dekada me radhë si "missing Hitchock"

Gjatë edicionit të 64-t të Berlinales do të shfaqen më shumë se 400 filma. Gjatë ditëve të festivalit priten yje të kinematografisë si Diane Kruger, Bradley Cooper, Amy Adams, Matt Damon, Forest Whitaker, Uma Thurman, Christian Bale dhe Viggo Mortensen.

Për fituesit e Ariut të Artë dhe të Argjentë vendos në fund juria e Berlinales me tetë anëtarë, ndër të cilët edhe Christoph Waltz, dy herë fitues i çmimit Oscar ("Inglourious Basterds", "Django Unchained") dhe producentja e "James Bond" Barbara Broccoli. President i jurisë është producenti amerikan James Schamus ("Brokeback Mountain").

Për të apasionuarit e kinemasë Berlinalja është festivali më i madh i publikut në botë. Çdo vit shiten rreth 300.000 bileta kinemaje për mbi 400 filmat në garë. Krahas Kanës dhe Venecias, Berlinale konsiderohet si nga nga festivalet më të rëndësishëm të filmit në botë.( DW)

Publikuar: 06.02.2014 | 12:33
Lexuar: 863 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime