E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Për herë të parë ky mozaik, që i përket shekullit të 4-3 para erës sonë, u zbulua rastësisht gjatë punimeve të ushtrisë austriake për hapjen e një transheje fortifikuese në vitin 1916
Si u rigjet “Bukuroshja e Durrësit”















Mozaiku i mrekullueshëm që tashmë njihet me emrin “Bukuroshja e Durrësit” është bërë i njohur në të gjithë botën shkencore.

“Bukuroshja e Durrësit” është mozaiku më i shquar dhe më i lashtë i gjetur në Shqipëri dhe aktualisht ndodhet në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Këmbëngulja e arkeologut të shquar Vangjel Toçi risolli në dritë pikërisht në vitin 1959 një nga monumentet më të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore gjatë antikitetit. Bashkëpunëtori i Vjetër shkencor Vangjel Toçi ndoqi me kujdes të dhënat e shkruara nga dy arkeologë austriakë në fillim të shekullit të 20-të, lidhur me praninë e mozaikut në një nga lagjet qendrore të Durrësit.

Për herë të parë ky mozaik, që i përket shekullit të 4-3 para erës sonë, u zbulua rastësisht gjatë punimeve të ushtrisë austriake për hapjen e një transheje fortifikuese në vitin 1916. Oficeri austriak Camillo Prashnicher, i cili qe dhe një arkeolog i shquar u kujdes që shtresa e mozaikut të ruhej.

Prashnicher është i pari që e botoi fotografinë e mozaikut në një libër të tij arkeologjik për Shqipërinë duke e quajtur atë një kryevepër të artit figurative. Më pas mozaiku u mbulua dhe humbi për 33 vjet.

Në vitin 1959 arkeologu durrsak Vangjel Toçi e rizbuloi mozaikun 2300-vjeçar. Bashkëkohësit kujtojnë bisedat e gjata të arkeologut me të moshuarit e qytetit si dhe të dhënat e nxjerra prej tij nga libri i botuar në vitin 1920 nga arkeologët Shober dhe Prashniker.

Mozaiku ndodhej në thellësinë 3.80 metra në themelet e një shtëpie dykatëshe, vetëm 150 metra pas godinës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit. Rizbulimi i mozaikut ngjalli interesin e shumë shkencëtarëve të huaj, të cilët me gjithë kufizimet e periudhës komuniste kërkuan ta shihnin nga afër veprën e lashtësisë.

Mozaiku ka formë eliptike me diametrin e madh 5.1 metra dhe ze një sipërfaqe afro 9 metër katrorë. Në qendër të mozaikut është figura e një gruaje të re dhe të bukur mes një peizazhi plot kërcej lulesh, gonxhesh dhe petalesh. Mozaiku është mbiquajtur "Bukuroshja e Durrësit", një emër metaforik në nderim të grave të qytetit të lashtë, por edhe të mjeshtërve ilirë që e krijuan atë.

Në lashtësi, ky mozaik ka zbukuruar për një kohë të gjatë një banjë luksoze private të qytetit antik. Teknika e përdorur për krijimin e mozaikut është me gurë zalli natyrorë me ngjyra të ndryshme të ngjitura me njëra tjetrën me mjeshtëri shumë të madhe.

Në vitin 1982 mozaiku u zhvendos nga Durrësi dhe u instalua në sallën kryesore të Antikitetit në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Ende nuk ka një mendim të përcaktuar shkencor se kujt I përket figura qendrore e mozaikut. Sidoqoftë mozaiku vazhdon të njihet thjesht si “Bukuroshja e Durrësit”, duke I dhënë qytetit të lashtë një privilegj më shumë përballë turistëve vendas dhe të huaj.

Publikuar: 21.02.2014 | 10:15
Lexuar: 1735 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet
Agron Luka (24/01/2016 10:59:27) E kam takuar dhe kam biseduar me prof. V. Toçin, bashkë me babanë tim Gjovalin Luka, aty rreth viteve 1972-1973. Ndër të tjera i shpreha edhe hipotezën se mozaiku mbase i kushtohej mamasë së Dyrrahut, Melisa, bija e Epidamnit, nga Poseidoni hyu i detit, termeteve, kuajve etj. Në një libër që e kam në proçes botimi, unë e kujtoj këtë ngjarje. Melissa (Bleta) me sa duket ishte nje mitologji e lashtë pellazge dhe lidhej me mjaltin dhe veren e mjaltit/hidomelia qe e prodhonin iliret e ne veçanti fisi i taulanteve. Kete vere nektar e ambrozine e pinin poerendite Zeusi dhe i gjith formacioni hyjnor. Respekte per profesorin e nderuar.

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime