E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Projekti i fundit filmik i regjisorit Isa Qosja, që shfaqë trajtimin që ia bënë shoqëria kosovare grave dhe vajzave të dhunuara gjatë luftës do të jetë i gatshëm për premierë në fund të marsit. Pas përfundimit të xhirimeve filmi do të dërgohet në Gjermani, ku do ti jepet edhe dora e fundit. Por nuk dihet nëse do të kenë fatin prishtinasit që këtë film ta shohin të parët, pasi që, ende nuk është vendosur se premiera e këtij filmi të jepet në Prishtinë apo në ndonjë festival të huaj
“Tri dritare dhe një varje”, drejt premierës












Jeta e femrave dhe grave të dhunuara gjatë luftës nga paramilitarët, ushtarët e policët serb, përkatësisht, mënyra se si i pranon shoqëria ato, trajtohet në filmin më të ri të regjisorit kosovar, Isa Qosja. Të gjitha xhirimet e filmit “Tri dritare dhe një varje”, sikurse dihet tashmë kanë përfunduar, ndërkaq ka mbet të punohet edhe pak deri në përfundimin e tij.

Gjatë një bisede për “KultPlus”, regjisori i filmit të metrazhit të gjatë, Qosja, thotë se ky projekt filmik afërsisht në fund të marsit të këtij viti do të jetë i gatshëm për tu dhënë si premierë.

“Ne jemi në fazë të përpunimit tonik, miksit, paramiksit, përpunimit të fotografisë, gjegjësisht korrigjimit të ngjyrave edhe dritave, dhe kjo do të zgjasë diku dy javë. E kemi përcaktuar një termin të tillë (për përfundim të filmit). Me datën 10 mars duhet të shkojmë në Gjermani në Bavaria film, atje ku e kemi fituar edhe fondin për përpunimin final, ose post produksionin e filmit. Dhe atje do të zgjasë puna dy javë, e pas dy javësh filmi do të jetë praktikisht i gatshëm për të startuar në premierë”, thotë ai.

Skenarin e këtij filmi e ka bërë skenaristi Zymber Kelmendi, ndërkaq, producent është Shkumbin Istrefi. Profesori i regjisë së filmit në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës thekson se ka qenë kënaqësi të punohet me producentin Isrefi.

“Unë kam punuar edhe më herët me producentë të ndryshëm dhe mund të them se Istrefi është një prej njerëzve më të angazhuar pozitivisht në kuptimin e krijimit të një filmi. Aq i përkushtuar, dhe njeri që aq shumë ka dhënë mundësi, hapësirë dhe i palodhshëm për krijimin e një filmi. Më vjen mirë që kemi një producent i cili ka ditur aq mirë ta organizojë një ekip dhe ne gjatë xhirimit kemi pasur gati një kohë të shkëlqyer falë atij”, thotë ai.

Qosja thekson se për të krijuar filmin “Tri dritare dhe një varje”, duke përfshirë skenarin, punën me aktorë, ka marrë kohë rreth dy vite, xhirimet rreth dyzet ditë, ndërkaq, montazhi rreth shtatë-tetë muaj.
“Gjithsesi është një mesazh i veçantë (që jep filmi), një mesazh i qartë, një mesazh i cili megjithatë do të thotë diçka në nivel të përgjithshëm sepse këndshikimi është krejt tjetër. Nuk flitet nga aspekti i asaj se si ka ndodhur kjo çështje (dhunimi), por flitet nga aspekti si e kemi trajtuar ne një grua të tillë në mesin tonë.

Dhe është këndshikim tjetër, dhe ai këndshikim mendojë se është më se i nevojshëm për mjedisin tonë, prandaj, e konsiderojë që është një projekt mjaft i dobishëm në këtë kuptim”, thekson ai.
Qosja nënvizon se premiera e filmit mund të mos jepet në Prishtinë, ngase, siç sqaron ai, ka festivale të cilat kërkojnë që filmat që shfaqen në to të mos jenë dhënë më parë diku.

“Premiera varet nga producenti. Nëse producenti e sheh që neve na duhet një premierë e tillë, e shpejtë, ai është që do ta vlerësojë. Por ka festivale që e duan filmin në premierë, po se pate nuk e pranojnë. Prandaj, ai do ta sheh se a është e mundur që të jepet në Prishtinë apo të jepet në ndonjë festival e më pas në Prishtinë. Si ta vlerësojë ai”, thotë regjisori i filmit.

Filmi është kooproduksion në mes të produksionit “CMB”, Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe “Niko film”, nga Gjermania.
Qosja thotë se nuk e di se sa është kostoja e filmit, ngase kjo çështje, siç thotë ai, nuk i takon regjisorit, ndërkaq, thekson se asnjëherë si ka ndodhur, dhe as në filmin e fundit të tij që të jetë i kënaqur me atë që ka punuar.

“Në të gjithë filmat kam pasur vërejtjet e mia gjithnjë pranë atyre vërejtjeve e kam ndje vetën të parealizuar sa duhet. Dhe unë mendojë se një film të tillë ende nuk e kam punuar ku do të isha plotësisht i kënaqur”,ka përfunduar ai. Në këtë film, me rolet e tyre paraqiten aktorët: Irena Cahani, Luan Jaha, Donat Qosja, Xhevat Qorraj, Leonora Mehmeti, Selman Jusufi, Syle Kuqi, Basri Shala.

Publikuar: 21.02.2014 | 19:31
Lexuar: 1065 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime