E diel, 9.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Lajmi i parë i keq erdhi nga Italia, ku një kolonel i Guardia di Financës nuk e fshehu shqetësimin për tonelatat e hashashit që zbarkojnë në brigjet e Pulias, përmes gomoneve apo skafeve me motorë të fuqishëm.
Shqipëria, ishulli “magjik” i kanabisit







Shqipëria u riciklua këtë javë në median ndërkombëtare si “delja e zezë” e trafikut të marijuanës dhe qenieve njerëzore, por këmbanat e alarmit u tretën mes zhurmimit të pashtershëm të politikës së brendshme.

Lajmi i parë i keq erdhi nga Italia, ku një kolonel i Guardia di Financës nuk e fshehu shqetësimin për tonelatat e hashashit që zbarkojnë në brigjet e Pulias, përmes gomoneve apo skafeve me motorë të fuqishëm.

Në të vërtetë, pala italiane po konfirmon tashmë në territorin e vet, atë që kishte paralajmëruar verën e shkuar në tokën tonë: Lazarati, kjo komunë kryeneçe në jug të Shqipërisë, ishte mbuluar si kurrë më parë nga bimët e hashashit.

Shuplaka e dytë erdhi nga Britania e Madhe, e cila e renditi sërish Shqipërinë në krye të listës për fëmijët dhe vajzat e trafikuara për prostitucion. Trafiku i drogës dhe ai i qenieve njerëzore kanë qenë dy vraga të pandashme mbi imazhin e Shqipërisë, që këtë verë pret me ankth vendimin e Brukselit për statusin e vendit kandidat.

Por alarmi për trendin rritës të trafiqeve nuk po shkund ende autoritetet në vend, të cilat deri më tash kanë ngritur duart përballë “problemit kompleks” me emrin Lazarat.

Kryeqyteti i marijuanës

Komuna me më shumë se 4 mijë banorë ka triumfuar për vite me radhë përballë forcës së ligjit, duke mbetur “toka e fundit” jashtë juridiksionit të shtetit. Operacionet për ta bërë zap Lazaratin numërohen me gishtat e dorës përgjatë viteve, me një bilanc turpërues për Policinë e Shtetit.

Disfata pa kushte e ka mitizuar edhe më shumë këtë komunë, që tashmë është kthyer në një problem ndërkombëtar. Lajmet për “magazinën” e marijuanës në Europë kanë bërë xhiron e botës, aq sa tashmë, kjo komunë e izoluar në jug të vendit ka lënë në bisht namin e Amsterdamit si kryeqytet i hashashit.

Banorët, një pjesë e mirë e të cilëve të skeduar, por të patrazuar nga policia, ia kanë vjelë frytet me kohë kësaj “lufte të ftohtë” me policinë. Janë kthyer në sipërmarrës, duke punësuar me dhjetëra punëtorë nga qytetet e tjera të vendit që merren me mbjelljet e korrjet e hashashit.

Megjithatë, Lazarati vjel vetëm një pjesë të vogël të parave që rrjedh nga trafiku i hashashit. Banorët e zonës janë dora e parë e një ingranazhi marramendës, që sipas Guardia di Financës qarkullon 4.5 miliardë euro në vit.

Edhe pse konsiderohet e ekzagjeruar, kjo shifër rrjedh prej kalkulimit teorik të shitjes në tregun perëndimor të 900 tonëve hashash, që mendohet se prodhohet në vit në Lazarat. Banorët përfitojnë rreth 250- 300 euro për kilogram, që në tregun perëndimor shitet me 1000-2000 euro.

Po ku përfundojnë këto para? Mediat ndërkombëtare flasin për pastrimin e tyre përmes pronave të patundshme, në Shqipëri dhe jashtë saj. Trafikantët e hashashit konsiderohen blerësit me të shpeshtë të pasurive në bregdetin shqiptar, po aq sa në vende të preferuara si Spanja, Italia apo Turqia.

Destinacioni kryesor mbetet Italia, por operacionet policore tregojnë për një aktivitet të dendur edhe me Greqinë. Zyrtari i Guardia di Financës, Maurizio Muscara, teksa i binte kambanave të alarmit për kthimin e Pulias në një portë të trafikut të marijuanës pak ditë më parë, fliste për ngarkesa të shumta që vijnë nga Shqipëria.

Përgjatë vitit 2013, kjo strukturë kishte sekuestruar 6.8 ton kanabis vetëm në Pulia, ndërsa sasia e bllokuar në brendësi të territorit italian ishte katër herë më shumë.

Fama ndërkombëtare

Lazarati vazhdon ta mbajë Shqipërinë të mbërthyer prej vitesh në hartën e vendit origjinë të kanabisit. Raporti vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit e cilëson vendin tonë si një ndër furnizuesit kryesorë të vendeve të Bashkimit Europian.

Në analizën e fundit theksohej rritja e sasisë së bllokuar të marijuanës, por ndryshe nga autoritetet shqiptare, ato amerikane nuk e lexojnë këtë si luftë efikase kundër fenomenit. “Rritja drastike e sekuestrimeve nga ana e policisë tregon gjithashtu një rritje të prodhimit në vend”,-thuhet në raportin e DASH.

Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga Guardia di Financa, e cila përgjatë verës realizoi disa monitorime nga ajri në të gjithë territorin. Zgjedhjet e 23 qershorit u kanë siguruar lazaratasve qetësinë e duhur për t’u marrë me punën që dinë të bëjnë më mirë, e ata kanë shtuar me 40 % territorin e mbjellë nga një vit më parë.

Hambarët e mbushur plot në shtator kanë shpërthyer tashmë në të katra anët e vendit, ndërsa komunikatat e policisë raportojnë përditë për ngarkesa të kapura në rrugë rurale e ato kombëtare, në porte e në pikat doganore që na lidhin me Greqinë.

Lazarati është lënë prej vitesh në fatin e vet, ndërsa policia, e paaftë për të zgjidhur problemin, është marrë me pasojat e tij. Rotacioni i 23 qershorit, nuk po jep shenja se ka ndërmend të ndryshojë politikë me ishullin “magjik” të kanabisit.

Qeveri e re, problem i vjetër…

Ministri i Brendshëm, ndër më aktivi dhe mediatiku i kabinetit “Rama”, në këto 5 muaj të parë të qeverisjes është marrë me shumë gjëra njëherësh. Policia e tij është hedhur nga lojërat e fatit e ndërtimet pa leje, tek faturat e papaguara të energjisë apo tek transporti ndërurban. Por asnjë plan për Lazaratin në horizont.

Toleranca zero kundër paligjshmërisë duket se nuk e përfshin Republikën “autonome” të Lazaratit, një njollë turpi e kahershme për një vend që aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Tahiri, por edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kanë transmetuar në publik mesazhe zhgënjyese sa i përket fshatit problematik në jug të vendit.

Interesimit të vazhdueshëm të medias, ata i janë përgjigjur me deklarata “armëpushimi”: Çështja e Lazaratit nuk është vetëm një problem policor.

Të njëjtën linjë ambiguiteti ka ndjekur edhe kreu i Policisë, Artan Didi, i cili e njeh problemin, por nuk e merr përsipër atë. “Ne nuk mund të harrojmë pamjet e filmimeve ajrore, të kryera nga Interforca Italiane, ku tregoheshin qartazi parcelat e mbjella me Kanabis Sativa në fshatin e Lazaratit dhe në zona të tjera të vendit.

Kjo për ne është një situatë e papranueshme, e cila përbën një nga sfidat më të mëdha dhe të rëndësishme me të cilën policia shqiptare do të përballet dhe do të fitojë”,-tha ai përballë vartësve të tij, në analizën vjetore të Policisë së Shtetit.

Çështja është se kur? Në mungesë të një qëndrimi të vendosur dhe afateve kohore, ministri Tahiri deklaroi javë më parë në Gjirokastër se Lazarati është një problem kompleks. “Ne e njohim problemin, por kërkojmë që për fenomenin të ndërgjegjësohet vetë komuniteti që jeton atje”, -deklaroi ai.

Por lazaratasit as që kanë ndërmend të heqin dorë nga bima që i bëri të pasur e të famshëm. “Falë zotit që kemi kanabisin. Nuk e imagjinoj dot se si do të jetonim po të mos kishim kanabisin.

Na kanë harruar të gjithë: autoritete lokale, shteti, madje edhe të huajt”-i tha njëri prej banorëve, gazetarëve të “Corriere della Sera” që hynë në fshat. Të tjerët ndjehen të mbrojtur.

Të mbrojtur prej bosëve të vërtetë që fshihen pas drogës, që qarkullojnë miliarda dhe përfitojnë prej politikës “tërhiqe, mos e këput” me Lazaratin.

900 Ton kanabis mendohet të jetë mbjellë vitin e kaluar në komunën e Lazaratit. Të dhënat kanë dalë përmes monitorimeve nga ajri të Guardia di Financës, por janë pranuar edhe nga vetë banorët

10 Ton hashash janë sekuestruar vitin e kaluar nga Policia e Shtetit. Përgjatë muajve të fundit, sasia e drogës së bllokuar është rritur në raport me vitin e kaluar, çka tregon një riaktivizim të trafikut

4.5 Miliardë euro përllogaritet vlera e trafikut të hashashit nga Shqipëria drejt vendeve të BE. Droga shitet me 250-300 euro kilogrami në Lazarat dhe përfundon me një çmim deri në 2 mijë euro në Perëndim.

Mapo

Publikuar: 23.02.2014 | 18:50
Lexuar: 1362 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime