E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Mbas një kalvari të gjatë e të vështirë, Shqipëria po afrohet te portat e Bashkimit Evropian. Ky proces u rikonfirmua nga Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle gjatë vizitës së sotme në Tiranë dhe takimet e tij me autoritetet më të larta të shtetit, të ekzekutivit dhe të politikës shqiptare.
Standarde dhe gjithëpërfshirje











Duket qartë se Evropa është e lodhur nga zgjerimi, por jo më pak e sfilitur është edhe Shqipëria nga ky proces. Duket se po vjen momenti që të dy palët t’i afrohen me qasje më optimiste njëra-tjetrës dhe me besim se arritja e standardeve të Kopenhagës dhe Madridit të BE-së nga Shqipëria nga njëra anë, si dhe vullneti politik për përfshirjen e vendit tonë në familjen evropiane, nga ana tjetër, janë duke u njësuar.

Njësimi i plotësimit të detyrimeve të Shqipërisë me vullnetin politik të BE-së është masa kritike që i hapë portën vendit tonë për statusin kandidat.

Takimet e Komisionerit Fyle ishin në kuadër të dialogut politik të nivelit të lartë Shqipëri-BE. Ky është një mekanizëm në procesin e anëtarësimit që shpreh një fazë të maturitetit në zbatimin e kritereve të BE-së për statusin kandidat, por edhe pjekurinë e gatishmërinë politike të Organizatës për anëtarësimin e saj.

Në historinë e zgjerimit të BE-së ka pasur tri faza: faza e parë, kur vetëm vullneti politik ka kryer procesin e anëtarësimit. Kjo ka ndodhur me Spanjën, Greqinë, Portugalinë, pra me vendet e Mesdheut në vitet ’80. Në atë kohë nuk kishim Traktatin e Mastrihtit dhe as Kriteret e Kopenhagës (politike, institucionale, ekonomike) dhe atë të Madridit (kriterin administrativ). Rolin kryesor për anëtarësim e kishin institucionet e dominuara nga politikat nacionale, pra Këshilli Evropian, përfaqësuesit e shteteve anëtare.

Faza e dytë nis me zgjerimet mbas rënies së Murit të Berlinit, e cila imponoi nevojën e standardizimit të procesit të zgjerimit. U fiksuan kriteret dhe kërkesat për standarde dhe u kalua në plan të dytë roli i vullnetit politik për anëtarësim. Rolin kryesor në këtë fazë e morën Komisioni dhe Parlamenti Evropian, që janë institucionet me dominim komunitar.

Shqipëria, po përjeton fazën e tretë të procesit të zgjerimit, në të cilën kriteret strikte të Kopenhagës dhe Madridit, me dominim komunitar dhe vullneti politik me dominim nacional, po maturohen drejt një ekuilibri të ri. Kjo nuk e lehtëson, por e vështirëson më shumë procesin e zgjerimit të BE-së.

Paralelisht, shtetet e reja nevojitet që të plotësojnë edhe kriteret e Kopenhagës dhe Madridit, por edhe të sigurojnë mbështetjen politike të shteteve anëtare. Ekuilibri komunitar dhe nacional, pra teknik dhe politik po ekuilibrohen së tepërmi.

Në të gjithë dialogun politik të nivelit të lartë Shqipëri-BE që u zhvillua në Tiranë këto ditë u përcaktuan objektivat, drejt të cilave Shqipëria duhet të vijojë reformat e saj: shteti i së drejtës, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, reforma në gjyqësor, reforma në administratën publike.

Këto janë prioritetet e BE-së që i kërkohen Shqipërisë për standardizimin evropian të brendshëm. Në këto aspekte u konstatua progres i arritur. Por, rruga për thellim e reformave ngelet sërish sfidante për Shqipërinë. Kyçi i prioritetit duket se po zhvendoset drejt konsolidimit të gjyqësorit, si hallka themelore për garantimin e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe respektimit të statusit të administratës publike.

Krahas këtyre prioriteteve kyç, dialogu politik vuri theksin edhe te mekanizimi që nevojitet të përdoret për avancimin e reformave në fushat e lartpërmendura. Thelbi i mekanizmit qëndron te gjithëpërfshirja. Gjithëpërfshirja ngelet hallkë e dobët e procesit politik në Shqipëri.

Fyle theksoi dy elementë të gjithëpërfshirjes: bashkëpunimin parlamentar, çka do të thotë, të faktorëve politikë kryesorë përfaqësues në Parlament, pozitë-opozitë. Por, ai e zgjeroi konceptin edhe te gjithëpërfshirja e aktorëve dhe faktorëve jashtë parlamentarë, pra të mbarë shoqërisë shqiptare. Ky është një mekanizëm logjik. Integrimi është sfidë për të gjithë, nga individi deri te shteti.

Integrimi ka detyrime për të gjithë. Integrimi sjell benefite për të gjithë. Askush nuk mundet dhe as nuk duhet përjashtuar nga ky proces. Mjerisht, tradita e tranzicionit shqiptar është determinuar më shumë nga përjashtimi sesa nga gjithëpërfshirja. Kjo ka qenë një nga pikat më të dobëta, madje edhe të dështuara të tranzicionit tonë drejt BE-së.

Prof. Dr. Lisen Bashkurti

Publikuar: 07.03.2014 | 11:15
Lexuar: 1170 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime