E shtunë, 15.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Piktori shqiptar, Ali Sinani, që jeton dhe vepron në Zvicër, pas ekspozitave personale të mbajtura në disa qytete të Evropës, ka vendosur që punën e tij 10 vjeçare ta prezantojë edhe në vendlindjen e tij, Gostivar.
Piktorin Ali Sinani











Me ciklin "Gjurmët", piktori Ali Sinani sonte prezantohet me 30 tablo në Galerinë "Kult" të Gostivarit.
Sinani pikturon kryesisht në formate të mëdha, sepse, sipas tij, është më lehtë të mbi sundohet piktura dhe të depërtohet në të.

“Kompozicionet e Ali Sinanit janë me kolorit të pasur në të cilat paleta e gjerë e ngjyrave është vendosur në mënyrë ekspresive në trajta të ndryshme që lëvizin drejt pafundësisë duke krijuar një strukturë koloristike dhe duke u humbur në abstrakten”, thotë për pikturat e Aliut, historiania e artit, Jëlldëz Asani.

Ndërsa, vetë piktori thotë se jo rastësisht ka përzgjedhur ciklin “Gjurmët” për tu prezantuar, për herë të parë, në Gostivar.
“Secili intelektual ka për qellim që me punën e tij të lërë gjurmë për gjeneratat që vijnë, dhe mendoj se kjo është më e shprehur te ne piktorët, sepse gjurmët tona janë edhe më të dukshme - ato varen në mur dhe shikohen çdo ditë”.

Dhe duket qartë se Sinani, këto gjurmë dëshiron ti lërë më shumë në vendlindjen e tij se sa nëpër botë.
"Sikurse një kalimtar rasti i cili lë gjurmë në rrugën që ka kaluar, ashtu edhe ne me këtë lloj gjurmësh dëshirojmë që gjeneratat e ardhshme të na mbajnë në mend. Jo rrallëherë shkojmë edhe pas gjurmëve të paraardhësve tanë, për të lidhur të tashmen që e lëmë prapa dhe të ardhmen që na pret”, thotë Sinani.

Puna e Sinanit është shpërblyer me disa çmime e këtë fillimvit edhe me dy çmime nga Komisioni Evropian “Art Net”, për aktivitetet dhe projektet që ka realizuar gjatë këtyre 10 vjetëve të fundit nëpër metropolet e Evropës. Fjala është për çmimin SIK ISEA (Swiss Institut for Art Research) dhe KUNST BULLETIN.

Piktori Ali Sinani ka lindur në Gostivar, ndërsa studimet për Pikturë i ka mbaruar në Akademinë e Arteve në Shkup. Prej vitit 2000 jeton në St, Gallen të Zvicrës.
Është anëtar i asociacioneve të ndryshme të artistëve zviceranë, austriakë, gjermanë dhe të Maqedonisë.

Ekspozita do të hapet sonte në orën 19:00 dhe do të qëndrojë deri më 22 mars në Galerinë “Kult” të Gostivair.

Publikuar: 08.03.2014 | 11:27
Lexuar: 1128 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime