E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

A është e mundur që aneksimi rus i Krimesë, ndonëse është vlerësuar si kriza më e rëndë në Evropë pas ndërhyrjes ruse në Çekosllovakinë e atëhershme në vitin 1968 dhe e cila po e rikthen në botë Luftën e Ftohtë - të mos ketë asnjë ndikim në pozicionin ndërkombëtar të shtetit të ri të Kosovës? Deri më tash të gjithë po thonë se jo, s’do të ketë. Vërtet duhet të jetë kështu dhe asnjë mësim të mos nxirret nga Krimea?
Asnjë mësim nga Krimea?!












Ballafaqimin e parë me rusët rreth çështjes së Kosovës në kohën më të re në arenën diplomatike ndërkombëtare, Perëndimi e ka kaluar lehtësisht në vitin 1999, kur u mor vendimi për bombardimin e forcave serbe deri në dëbimin e tyre nga Kosova.

Në një konstelacion fatlum të yjeve, që ky popull të mos degdisej përgjithmonë me strajcën e refugjatit mbi supe, presidenti i atëhershëm rus, Boris Jelcin, kishte së tepërmi telashe në shtëpi sa të mund të merrej edhe me probleme ndërkombëtare, ndërsa edhe kur i ndodhte të udhëtonte jashtë, këto raste ishin të mirëseardhura për tabloidët, të cilët njoftonin për gjumin e tij prej të dehurit në aeroplan.

Gati se tingëllon si anekdotë tregimi i zonjës Albright, sekretare e atëhershme e Shtetit e ShBA-së, e cila, pak para fillimit të fushatës së bombardimeve, i kishte thënë ministrit të atëhershëm të Jashtëm rus, Ivanov, në një lozhë të teatrit moskovit “Bolshoi” se do t’i godasë serbët. Dhe ai i ishte përgjigjur ashtu siç do të thoshim shkurt e shqip: krisjau.

Por, tashmë Rusinë e udhëheq djaloshi i fortë, Putin, i cili ka përzgjedhur të faktorizohet jo me bashkëpunim me Perëndimin, por me rrengje gjithandej, kupa e të cilave duket se u mbush me aneksimin e Krimesë, akt i cili shumëkujt ia kujtoi veprimet e ngjashme të Adolf Hitlerit, apo të kohës më të re të Slobodan Millosheviqit.

Problemi i Kosovës është se tash, mu ky Putin i ka çelësat në dorë për përfundimin e legjitimimit të saj ndërkombëtar, me anëtarësim në OKB, deri sa e ka veton në Këshillin e Sigurimit, e të cilën deri më tash me asgjë s’ka dhënë shenjë se s’do ta përdorë pa u hamendur.

Fakti se Putini aneksimin e Krimesë e ka arsyetuar duke thënë se e ka përdorur të njëjtën formulë, me të cilën Kosova e ka shpallur pavarësinë, kjo nuk është kurrfarë garancie se ai një ditë, po u shfaq kërkesa e Kosovës për pranim në OKB, nuk do ta refuzojë si gjithnjë, për arsyen e thjeshtë se ai ka zgjidhur të konfrontohet me Perëndimin.

Ky konfrontim, edhe nëse nuk shkon duke u sforcuar në rastin e Ukrainës, apo duke shkaktuar probleme të ngjashme në Transdniestri, megjithatë do të shprehet kurdo e kudo, për aq sa rusët nuk do të rrezikojnë të izolohen ndërkombëtarisht. Mospranimi i Kosovës sigurisht se nuk do të paraqesë një rrezik të tillë.

Por, Perëndimi i ka shtrënguar bukur mirë radhët për kundërvënie Putinit. A nuk jemi edhe ne ballkanasit me perspektivë evropiane? A s’mund të bëhet diçka që edhe Kosova të ndjehet “këndej”?

E para gjë që të shkon ndërmend është se mos mund të ndodhë të bëhet ndonjë pazar në formën ”ju mbyllini sytë për Krimenë, e ne po i mbyllim për Kosovën”? Kjo ndoshta edhe mund të ndodhë në ndonjë të ardhme, por tash për tash është pak e besueshme, sepse hyrja në pazare të tilla me Putinin do ta zbuste qëndrimin e Perëndimit ndaj tij, e tash për këtë askush s’është i interesuar.

Prandaj është edhe më pak e besueshme mundësia që, siç ka pasur ide në mediet shqiptare, meqë Rusia i ka prishur parimet e Helsinkit për mosndryshim kufijsh, të jetë ky rast i mirë edhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Por, përgjigjja ndaj aventurës së Putinit me një aventurë të re do të ishte lojë e dobët në shahun politik.

Megjithatë, ka diçka që mund të bëhet për Kosovën. Mos është ky një rast i mirë edhe për një ofensivë diplomatike ndër pesë vendet evropiane, të cilat ende s’e kanë njohur Kosovën, që ato ta bëjnë këtë tash? Mos veriu i Kosovës, si edhe Republika Serpska në Bosnjë-Hercegovinë, mund t’u ngjajnë edhe këtyre vendeve më shumë në Krime të reja, të cilat sigurisht se askush s’do t’i dëshironte?

Do të duhej të provohej. Po të arrihej ky qëllim do të ishte më e pakta që mund të bëhet për Kosovën, por që do të thoshte shumë për shtetin e ri.

Dush Gashi

Publikuar: 05.04.2014 | 18:32
Lexuar: 1563 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime