E mërkurë, 19.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Jam i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre. Sa i përket mos efikasitetit mendoj se ka lidhje me minutazhin e vogël, por edhe lëndimin që kisha në dy ndeshje dhe nuk isha në 100% e mundësive të mia. Gjithsesi unë gjithmonë mundohem të jap maksimumin në shërbim të sukseseve të ekipit
Fazliu: Shkëndija do të përfundoj e treta
Fazliu: Shkëndija do të përfundoj e treta

RESHAT IBRAHIMI


Sulmuesi kosovar, Astrit Fazliu, thotë se është i kënaqur te Shkëndija, përfshirë këtu edhe rezultatet e deritanishme. Lëndimet dhe minutazhi i vogël në fushë kanë bërë që të mos të ketë shënuar më shumë gola, ndërsa tregon se ka raporte të mira me trajnerin Duro.

Sipas tij, “Ballistët” janë lojtari 12-të dhe meritojnë më shumë, kurse nuk ndjejnë presionin kur luajnë në Tetovë, përkundrazi.
Nëntëshja e kuqezinjve shpreson se në fund të kampionatit do të përfundojnë në vendin e tretë, ndërsa sikur të ishim më shumë ndeshje në lojë do të luftonin edhe për titull.

Astrit, pas tetë javëve të zhvilluara, Shkëndija ka një bilanc prej pesë fitoreve, dy humbje dhe një barazim. Skuadra gjendet në vendin e gjashtë me 39 pikë. A është arritur synimi i klubit deri në këtë fazë të kampionatit, apo jo?
Fazliu: Jo. Mendoj se kemi arritur pak, pasi kemi mundur dhe është dashur të kemi më shumë pikë. Mirëpo, nëse merren parasysh disa rrethana me përjashtime të vogla edhe kjo që kemi arritur nuk është keq! Tani koncentrohemi në ndeshjet e ardhshme ku do të kërkojmë maksimumin e pikëve.

Rezultatet e deritanishme tregojnë se Shkëndija më mirë luan si mysafire se sa në Tetovë. Pse? Mos është në pyetje presioni i publikut ose diçka tjetër?
Fazliu: Jo, jo s’besoj të jetë presion i publikut, përkundrazi tifozët janë forca jonë. Është mirë që në ndeshjet si mysafir luajmë mirë dhe fitojmë. Nuk di arsyen, por kjo është shumë pozitive. Shpresoj që edhe si vendas të sjellim paraqitje të mira dhe të marrim sa më shumë fitore. Shkëndija në çdo ndeshje luan për tre pikë, pa marrë parasysh terrenin dhe kundërshtarin.

Te Shkëndija erdhët si ndër përforcimet më të bujshme, mirëpo tani për tani kontributi juaj është tepër i ulët. Një gol dhe dy asiste janë shumë pak për një sulmues si ju. Ku qëndron arsyeja e këtij mos-efikasiteti?

Fazliu: Përsëris atë që kam thënë në momentin e parë kur kam ardhur këtu. Jam i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre. Sa i përket mos efikasitetit mendoj se ka lidhje me minutazhin e vogël, por edhe lëndimin që kisha në dy ndeshje dhe nuk isha në 100% e mundësive të mia. Gjithsesi unë gjithmonë mundohem të jap maksimumin në shërbim të sukseseve të ekipit.

Çfarë raportesh keni me trajnerin Shpëtim Duro. Përse ai ngurron t’ua besoj vendin e titullarit në formacionin e parë. Dhe, a mendoni mos-shënimi i golave është si rezultat i minutazhës së vogël në fushën e lojës?
Fazliu: Me trajnerin Duro kam raporte shumë të mira dhe korrekte. Disa ndeshje kam luajtur si titullar dhe është një kuriozitet i vogël se të gjithë ndeshjet që unë kam startuar ekipi ka shënuar fitore.

Por për atë se kush do të jetë titullar dhe kush në bankinë vendos trajneri në varshmëri prej taktikës që mendon të aplikojë ndaj kundërshtarit të caktuar. Unë respektoj secilin vendim të stafit teknik, pasi ata paguhen për të vendosur kush do të luajë.

Ne futbollistët jemi këtu për të dhënë maksimumin në fushë kurdo që të na jepet shansi, ndërsa taktikën dhe formacionin e vendos trajneri. Kështu është edhe për mua dhe minutazhin që kam deri tani te Shkëndija, ndërsa unë jap maksimumin dhe mundohem që në çdo ndeshje të kryej detyrën time si është më së miri.

Secili futbollist dëshiron të jetë titullar në skuadër. Mirëpo, nëse vazhdon ky mosbesim nga trajneri, a mund të ndodh që të largoheni nga Shkëndija?
Fazliu: S’di prej ku del konkluzioni se trajneri nuk ka besim te unë?! Kam luajtur si titullar në fitoret me Makedonija Gj.P., Vardarin dhe Euromilkun, dy ndeshje isha i lënduar, ndërsa kam shënuar në derbin me Horizontin si mysafir.

Unë me Shkëndijën kam kontratë edhe një vit dhe mendoj ta respektoj deri në fund. Për momentin ndjehem mirë te Shkëndija. Tash jam ambientuar me gjithçka këtu dhe mendoj se sezonin tjetër do jem edhe më i fortë.

Mendimi juaj për tifozët e klubit, “Ballistët”?
Fazliu: ‘Ballistët’ janë pa dyshim lojtari i 12-të i Shkëndijës. Ata na mbështesin në çdo ndeshje, si në Tetovë, ashtu edhe si mysafirë. Mendoj se ata meritojnë maksimumin tonë në fushë.

Dhe, krejt në fund, sipas jush në ç’pozitë në tabelën e klasifikimit do të përfundoj Shkëndija?

Fazliu: E di se do të jetë e vështirë, mirëpo personalisht shpresoj që të arrijmë vendin e tretë në renditje. Sikur të kishte më shumë ndeshje, jam i bindur se do të luftonim për titullin e kampionit, por tani kampionati gati se është duke përfunduar kështu që në kushte të këtilla edhe vendi i tretë do të ishte shumë mirë.

Përsëris se do të jetë shumë e vështirë, pasi rivalët kanë disa pikë epërsi. Mirëpo Shkëndija deri në fund do të shkojë të fitojë çdo takim.

Publikuar: 16.04.2014 | 16:17
Lexuar: 711 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime