E shtunë, 17.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Shkrimtaret italiane, Nicla Morletti dhe Rossella Fusca, për romanin e Anton Nikë Berishë “La sete pietrificata”
Morletti: Anton Nikë Berisha, ju shkruani hyjnisht













Dy shkrimtare të shquara italiane, Nicla Morletti (Nikla Morleti) dhe Rossella Fusca (Rosella Fuska), kanë shkruar për romanin e Anton Nikë Berishës përkthyer në italisht “La sete pietrificata”, botuar nga Luigi Pellegrini Editore e Kozencës, 2013, që në të vërtetë është romani “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” botuar nga “Faik Konica” e Prishtinës më 2002.

Duke komentuar këtë roman të Anton Nikë Berishës, Nicla Morletti, shkruan në Blog degli autori:

“Derisa nata në katund përhapet mes gurgullimës së pandërprerë të ujit të Lumit të Madh të Maqit dhe hijet zbresin lehtë dhe përngjajnë në shtojzovalle të brishta, që ringjallen në ndërrime stinësh, mendimet ia mbushin plot kokën Gjin Bardhelës të Ndré Bua Petës, protagonistit të këtij libri shembullor, në të cilin fjala e shkruar e merr forcën nga rrënjët dhe nga zemra. Deti Jon është atje, përtej dritares, në një vjeshtë të vonë, i pafund dhe i errët.

Flaka e bishtukut po shuhej dalëngadalë mbi tryezë. Kështu nis një roman i jetës dhe i dashurisë, i gëzimit dhe i dhembjes. Faqe të dendura të përmallimit e të pàthos-it, të kujtimeve e të nostalgjive për origjinën. Një histori e rrënjëve të vyshkura, po jo të thara, siç e shpjegon Domenico Corradini H. Broussard, të rrënjëve të njoma nën peshën e dheut.

Autori, me aftësinë ekspilcite rrëfimore na shpie (tërheq) në një lexim pa kohë: e kaluara dhe e tashmja përftohen dhe e ardhmja është aty pranë, e heshtur. Duket sikur, nga oqeani i pafund, ngrihet në yje. Te Berisha është një hulumtim gjuhësor i jashtëzakonshëm, thuajse proza dhe poezia të jenë një gjë e vetme. Dhe të njëanshme janë mendja dhe zemra. Një roman që të bën për vete, të pushton dhe të trondit, i përshkuar nga një forcë magjike, ashtu si ajo e dashurisë”, ka shkruar në mes të tjerash Morletti.

Në një letër dërguar autorit, kjo shkrimtare e shquar italiane, thotë ndër të tjera:

“I ndershmi Anton Berisha, më lumturon shumë fakti se romani yt shumë i bukur është vlerësuar (nga Dante Maffia dhe disa shkrimtarë të tjerë italianë) ashtu siç e kam vlerësuar unë. Ju shkruani hyjnisht (Lei scrive divinamente). Është i bukur recensioni i Dante Maffia-s”, ka shkruar ajo.

Ndërsa poetja italiane, Rossella Fusca, për romanin e Anton Berishës shkruan sa vijon:

“Anton Nikë Berisha shkruan për ne një histori jashtë kohës dhe për të gjitha kohët. Një rrëfim që i përket Krishtit të varfër që është secili prej nesh. Krishtit të vërshuar nga hidhërimi dhe malli, që banon përvuajtërisht (brenda nesh). “Pas kësaj, Jezusi duke ditur se çdo gjë tashmë ishte përmbushur, që të plotësohet Shkrimi i Shenjtë, tha: Kam etje” (Gjn 19, 28) duke zgjuar në secilin një mister të pafund. Të pafund siç është etja që na përshkon dhe na tundon.Papritur dhe pashmangshëm.

Veprimi i lumtur i shkrimit të Anton Nikë Berishës është veprim i një të huaji. I një të ardhuri që e njeh Italinë, jeton dhe e do gjallërisht, edhe pse mbetet një udhëtar i rëndomtë dhe i pandalshëm. Përse një italian, i kthyer dhe i lidhur krejtësisht me Mesdheun, me vetëm një rrënjë në tokën e qëndrueshme, nga uji e don sipërfaqen dhe notin, lëvizjen dhe stërpikjen, dritën, mirëpo strehohet në brendësitë e humnerës dhe të shtjellës së saj të errët. Anton Berisha është zotërues i humnerave dhe Gjin Bardhela, alter egoja e tij e urtë, flet në heshtje nga thellësia.

Është një grishje që vjen nga arketipi kolektiv për rizgjimin e ndërgjegjes, për ta bërë të ndjehet dhembja e të gjitha etjeve tona të pathënëshme dhe të pashprehshme. Lindim me epshin e atij ëmbëlsimi dhe asaj ngrohtësie të qumështit të nënës që ushqen përtej masës, po herë – herë edhe helmon. Për çdo ditë vdesim nga pak, të shkrirë nga uria e etja e përkëdheljeve, për gjithë atë që mund të ishte e që s’ka ngjarë.

Pastaj, befasisht, pa pritur, gjendemi brenda një jete të lodhur dhe të prishur, të dërrmuar, por ende të ndritshme, që lutet të jetë e deshifruar dhe e zgjuar, për të mos pësuar. Për të mos e bartur me kot mbi shpatullat tona, mbi kryqin, mbi pluhurizën e gjithësisë.
“E kota” është një ndajfolje që sidoqoftë i shkon shkrimtarit, që me shkrimin e vet e bën mjet të njohjes, të pajtimit dhe të paqes. Një dhuratë, më e madhe se Jeta dhe se Hija. Jeta është më e dendur, hija më e bollshme.

Çka mund të dhurojmë më shumë sesa vetë jetën? Mund të japim hijen që përtërihet dhe pushon, që vijon pa ankim lodhjeje dhe pa bërë asnjë bujë. Në maje të gishtave. Besnike e përsosur dhe qenësi e mbrujtur nga thelbi.Nga kjo besnikëri që bie pa bërë zhurmë, siç nuk bëjnë zhurmë përrallat e vendeve të Veriut të rrëfyera në hije e një mangalli, Anton Nikë Berisha na bën një dhuratë.

Shkrimtar pa bujë, që nuk shkruan aspak për të fituar famë e lavdi, por për t’i shërbyer famës dhe lavdisë”, përfundon Fusca.

Publikuar: 23.04.2014 | 12:54
Lexuar: 957 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime