E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në fund Zanetti zbuloi edhe tre emrat e futbollistëve më të mirë që ka pasur ndonjëherë në skuadër si dhe të tre kundërshtarëve më të vështirë me të cilët është përballur.
Zanetti: Ka ardhur momenti të tërhiqem
Pas një karriere brilante ku ka përjetuar gjithçka me fanellën e Interit si përsa i përket momenteve të bukura ashtu edhe atyre të vështira, Javier Zanetti ka vendosur t’i thotë lamtumirë futbollit të luajtur. Mbrojtësi argjentinas nëpërmjet një interviste zyrtarizoi largimin e tij nga futbolli në përfundim të këtij sezoni ku ndër tjera foli për disa nga etapat kryesore që ka kaluar gjatë karrierës së tij të gjatë.

“Ndiej që është momenti i duhur për ta bërë këtë gjë. Kam vendosur t’i jap fund pasi futbolli më ka dhënë gjithçka dhe unë e kam përjetuar në maksimum atë. Pas dëmtimit në tendinën Akilit sezonin e kaluar dëshiroja të kthehesha kompetitiv dhe e arrita këtë gjë. Ndihem i plotësuar dhe i realizuar. Të tërhiqesh në moshën 41-vjeçare është një ndjesi e pashpjegueshme”.

Por si do të jetë e ardhmja e Zanettit pa futbollin e luajtur dhe a ndjen ndopak frikë për ditët që do të vinë?

“Nuk kam frikë. Është e vërtetë që do të mungojnë disa gjëra sidomos ato rutinë të futbollit si dhomat e zhveshjes apo kompeticionet e ndryshme. Megjithatë mendoj se frikë duhet të ndjejnë ata që nuk kanë si ta shrytëzojnë kohën e lirë, pasi për fat të mirë unë e kam të zgjidhur këtë çështje”.

I pyetur nëse këtej e tutje do të jetë një person me kostum e kollare argjentinasi u përgjigj në këtë mënyrë:

“Shpresoj të mos jetë e nevojshme. Ëndërroja ta përfundoja karrierën te Interi, që është edhe si shtëpia ime dhe ja kam dalë. Ka qenë zgjedhje e imja për ta mbyllur karrierën në Itali dhe tani shpresoj shumë që ta ndihmoj Interin edhe si drejtues”.

Të shtunën në mbrëmje Interi do të presë Lazion në San Siro ndeshje e cila do të jetë e fundit për kapitenin para tifozëve të Interit.

“Të shtunën do të kemi ndeshjen me Lazion, por edhe pse sektori i tifozëve ultras do të jetë i mbyllur besoj se do të ketë shumë njerëz në stadium dhe jam i bindur që ata do të jenë duke përgatitur diçka speciale”.

Por cilat janë ato ndeshje gjatë karrierës së tij që Zanetti do të dëshironte ti riluante?

“Janë dy. Do të dëshiroja të riluaja finalen e Uefa Champions League të vitit 2010 përballë Bayernit për të përjetuar sërish emocionet magjike të mbrëmjes së Santiago Bernabeut. Por do të jepja gjithçka për të luajtur sërish edhe ndeshjen përballë Suedisë, sfidë në të cilën u eliminuam nga Botërori i Koresë dhe Japonisë me Argjentinën”.

Në fund Zanetti zbuloi edhe tre emrat e futbollistëve më të mirë që ka pasur ndonjëherë në skuadër si dhe të tre kundërshtarëve më të vështirë me të cilët është përballur.

“Fenomeni Ronaldo, Messi e Baggio janë tre futbollistët më të mirë që kam pasur ndonjëherë në ekip, ndërsa Giggs, Kaka e Zidane janë tre kundërshtarët më të vështirë që kam pasur përballë”.

Javier Zanetti u transferua te Interi në verën e vitit 1995 nga skuadra argjentinase e Banfield. Në 19 sezone me zikaltërit futbollisti argjentinas ka zhvilluar në total 856 ndeshje gjatë të cilave ka shënuar edhe 21 gola. Në karrierën e tij me Interin Zanetti ka fituar 5 herë Serinë A, 4 herë Kupën Italisë, 4 herë të tjera Superkupën e vendit por edhe një trofe të Uefa Champions League, një kupë Uefa si dhe një Botëror klubesh.

Publikuar: 06.05.2014 | 16:51
Lexuar: 562 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime