E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Pavarësisht nëse jemi apo jo të vetëdijshëm, shumë prej nesh kanë frikë të jenë të dashuruar.
Përse kemi frikë t’i dorëzohemi dashurisë për dikë?
Historia e një dashurie të humbur është një nga më të dhembshmet që mund të rrëfejmë dhe një pyetje na mundon vazhdimisht: Përse dështojnë lidhjet e dashurisë? Shumica e përgjigjeve për këtë pyetje mund të gjenden brenda nesh.

Pavarësisht nëse jemi apo jo të vetëdijshëm, shumë prej nesh kanë frikë të jenë të dashuruar.

Teksa frika jonë shfaqet në mënyra të ndryshme ose në stade të ndryshme të një lidhjeje, ngremë mure mbrojtëse që mendojmë se janë të domosdoshme për ruajtjen nga lëndimi. Këto mure shpesh ofrojnë një mbrojtje ose siguri, që është thjesht një iluzion, e që na bën të largohemi sa më shumë nga dëshirat tona më të mëdha.

Përse kemi frikë nga intimiteti?

1. Dashuria e vërtetë na bën të ndihemi dobët

Një lidhje e re dashurie është një territor i pazbuluar dhe shumë prej nesh janë të prirur për nga natyra të kenë frikë nga e panjohura. Ta lëmë veten të bjerë në dashuri, nënkupton të ndërmarrim një rrezik real. Ne i japim shumë besim një personi tjetër, duke e lënë atë të ketë ndikim te ne, gjë që na bën të ndihemi të pambrojtur dhe të ekspozuar. Sistemi ynë mbrojtës është sfiduar. Çdo zakon që kemi pasur më parë dhe na ka bërë të ndihemi të përqendruar te vetja, nuk funksionon më. Priremi të mendojmë se sa më shumë ta duam dikë, aq më shumë do të lëndohemi.

2. Dashuria e re trazon lëndimet e shkuara

Kur vendosim të fillojmë një marrëdhënie, nuk jemi në dijeni se do të ndikohemi edhe nga eksperienca e mëparshme. Mënyrat sesi jemi lënduar në lidhjet e mëparshme, duke filluar që nga fëmijëria, kanë një ndikim të fuqishëm në perceptimin që kemi për personat e tjerë që na ndodhen pranë. Lëndimet e shkuara na bëjnë të kemi frikë të jemi të hapur ndaj dikujt tjetër në të ardhmen. Mund t’i largohemi intimitetit, sepse na ngacmon ndjenjën e vjetër të lëndimit, humbjes, zemërimit apo refuzimit. Kur mendojmë për diçka si dashuria, ky mendim lidhet edhe me dhembjen që kemi ndier kur nuk e kemi pasur më parë.

3. Dashuria sfidon identitetin tonë

Shumë prej nesh luftojnë me ndjenjën e të qenët i padashur prej të tjerëve. Kemi probleme në të ndierët të vlerës sonë dhe të besojmë se ka njerëz që vërtet na duan. Për këtë arsye, krijohet një zë i brendshëm që kritikon vazhdimisht. Ky zë na thotë se jemi të padëshiruar dhe se dëshirojmë të jemi të palumtur. Teksa rritemi, në vend që ta shohim këtë zë si diçka që ndikon negativisht te ne, mendojmë se është një këndvështrim i përgjithshëm që duhet të kemi për veten dhe për të tjerët. Duke u dhënë të drejtë mendimeve negative që kemi brenda vetes, largojmë të tjerët që duket se sfidojnë identitetin tonë të vërtetë.

4. Me gëzimin vjen dhembja

Sa herë që përjetojmë një gëzim të madh ose një ndjesi vlerësimi në jetën tonë, presim të na vijë një dhembje e madhe për të balancuar situatën. Shumë prej nesh u druhen gjërave që na bëjnë të lumtur, sepse na bëjnë të ndiejmë edhe dhembje. E kundërta është gjithashtu e vërtetë. Ne nuk mund ta privojmë veten nga dhembja pa e privuar nga gëzimi. Kur vjen puna për të rënë në dashuri, mund të ngurrojmë të jepemi me gjithë shpirt, nga frika se mos pas saj fshihet trishtim dhe dhembje.

5. Dashuria është shpesh e pabarabartë

Shumë persona hezitojnë të përfshihen në një lidhje me dikë, sepse personi tjetër mund të jetë shumë i dhënë pas tyre. Duke ndërmarrë rrezikun e një lidhjeje, ata marrin gjithashtu përsipër rrezikun që ta lëndojnë tjetrin dhe të mos arrijnë ta duan po aq shumë. E vërteta është se ajo dashuri është shpesh e pabarabartë, ku një person dashuron më shumë apo më pak. Ndjenjat tona ndaj dikujt janë një forcë gjithnjë e në ndryshim. Në një çast mund të ndiejmë zemërim dhe në tjetrin dashuri. Frika dhe ndjenja e fajit në shumë raste ndikojnë negativisht, duke na larguar nga një lidhje që mund të na bënte të lumtur.

6. Lidhjet mund të na largojnë nga familja

Lidhjet janë një tregues i rritjes. Ato nënkuptojnë fillimin e një jete të re dhe të pavarur. Ky zhvillim mund të çojë në largim nga familja. Kjo ndarje nuk është fizike, por një distancim nga identiteti ynë i vjetër. Nuk nënkupton se heqim dorë nga familja, por duke rënë në dashuri me dikë, nuk ndihemi më fëmijë.

7. Dashuria nxit frikë ekzistenciale

Sa më shumë ke, aq më shumë mund të humbësh. Sa më shumë ta duam dikë, aq më tepër kemi frikë se mos e humbim atë person. Kur biem në dashuri, jo vetëm që përballemi me frikën e humbjes së atij personi, por bëhemi të vetëdijshëm edhe për faktin që mund të vdesim nga momenti në moment. Jeta jonë tani ka më shumë vlerë dhe kuptim, ndaj kjo e shton akoma më shumë frikën ekzistenciale.

Publikuar: 07.05.2014 | 14:05
Lexuar: 875 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime