E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Klubi i Shkëndijës e ka gati një ofertë për Duron. Suksesi i skuadrës gjatë fazës së dytë të sezonit dhe impakti pozitiv që ka lënë trajneri tiranas te stafi dhe tifozët kanë krijuar kushtet për të marrë një ofertë për rinovimin e Duros
Shkëndija: Duros i ofrojmë rinovimin, presim të qëndrojë me ne




Klubi i Shkëndijës së Tetovës kërkon të rinovojë me Shpëtim Duron, duke bërë të qartë se kushtet për zgjatjen e marrëveshjes janë ato të duhurat dhe se vendimi final do të varet vetëm nga vullneti i trajnerit.

“Është në traditën e klubit që bilancet e punës së bërë dhe projektet për të ardhmen kryhen gjithnjë në fund të sezonit. Kështu do të veprojmë edhe këtë herë, – deklaron për ‘Panorama Sport’ Faton Zulbehari, koordinatori i zyrës për marrëdhëniet me publikun te Shkëndija. “Vendimi për rinovimin e kontratës me Duron i përket kryesisë së klubit dhe vetë trajnerit. Ne kemi edhe një ndeshje për të zhvilluar dhe jemi një pikë larg zonës së Europës. Nuk është në natyrën e klubit që të shpërqendrojë skuadrën dhe stafin me plane të tjera, kur ende nuk është mbyllur sezoni. E sigurt është se pas ndeshjes së fundit do të ketë një mbledhje kryesie, ku do të shqyrtohen shumë çështje, mes të cilave edhe ajo e stafit teknik”.

Partizani - Drejtuesit e Shkëndijës nuk janë të shqetësuar për faktin që Partizani e ka në konsideratë Duron dhe dëshiron që ai të jetë timonier i të kuqve sezonin e ardhshëm.
“Është logjike që një trajner si Duro të jetë në vëmendjen e Partizanit. Ai është i zoti dhe një njeri serioz, i cili u pëlqen shumë klubeve. Ne jemi të ndërgjegjshëm gjithashtu për lidhjen e fortë shpirtërore mes Duros dhe klubit të Partizanit. Kemi dëgjuar se në Tiranë kanë nisur ta konsiderojnë si trajner të Partizanit, por ne kemi besim të madh te profesionalizmi dhe korrektësia e trajnerit, sepse, për aq kohë sa është nën kontratë me Shkëndijën, do të zbatojë me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri të lartë marrëveshjen me ne”, - shtoi Faton Zulbehari.

Rinovimi - Klubi i Shkëndijës e ka gati një ofertë për Duron. Suksesi i skuadrës gjatë fazës së dytë të sezonit dhe impakti pozitiv që ka lënë trajneri tiranas te stafi dhe tifozët kanë krijuar kushtet për të marrë një ofertë për rinovimin e Duros.

“Shpëtim Duro ka bërë një punë të mirë te ne. Në 10 ndeshjet e fundit kemi fituar 9. Nga një skuadër që rrezikonte mbijetesën në elitën e futbollit, sot luftojmë për zonën e Europës. Ka fituar të gjithë derbit e mëdhenj të Maqedonisë dhe ka shënuar një rekord të ri në historinë e klubit, sepse kemi 6 fitore në ndeshjet në transfertë si kurrë më parë. E përsëris: vendimi për rinovimin i përket kryesisë së klubit dhe trajnerit, por duhet pranuar se Duro i ka përmbushur të gjitha kushtet për të marrë një ofertë serioze nga ana e drejtuesve të Shkëndijës. Më pas, i takon atij të bëjë një zgjedhje. Ne jemi të kënaqur me seriozitetin e tij dhe me impaktin shumë pozitiv që ka krijuar edhe te tifozët tanë”, - përfundoi Zulbehari./panorama-sport.com/

Publikuar: 17.05.2014 | 18:10
Lexuar: 615 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime