E hënë, 10.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Pjesëmarrja në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental “Man.In.Fest” është paraqitja e parë e kësaj shfaqjeje në skenën teatrore ndërkombëtare jashtë Kosovës.
“Dilerët” pjesë e “Man.In.Fest”














Shfaqja “Dilerët” e regjisorit Bekim Lumit, do të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental “Man.In.Fest”, që mbahet në Cluj – Napoca në Rumani. Shfaqja teatrore eksperimentale është krijuar mbi tekstin “Në vetminë e fushave të pambukut” të autorit bashkëkohor francez, Bernard-Marie Koltès, dhe është prodhim i Teatrit Laborator “Loja”.

“Pjesëmarrja e shfaqjes ‘Dilerët’ në një festival teatror ndërkombëtar me karakter eksperimental, në të cilin marrin pjesë disa kompani të pavarura teatrore nga vende të ndryshme, kryesisht perëndimore, është shprehje e cilësisë artistike të kësaj shfaqjeje, si dhe e vlerave dhe standardeve universale me të cilat, në punën e tij krijuese, identifikohet Teatri Laborator ‘Loja’”, ka thënë regjisori, Bekim Lumi.

Shfaqja është një kreacion eksperimental-laboratorik, përmes të cilit, në rrafshin tematik, trajtohet fenomeni i dilerizmit, apo bipolariteti, sa tërheqës po aq edhe refuzues, ndërmjet “tregtarit” dhe “blerësit”.

“Përveç kontekstit artistik, pjesëmarrja jonë në këtë festival ka rëndësi edhe për faktin se kjo ngjarje kulturore ndërkombëtare organizohet në Rumani, pra në një vend anëtar të BE-së, i cili ende nuk e ka njohur Kosovën dhe ku ne, përmes pranisë dhe paraqitjes sonë, do t’i përfaqësojmë me dinjitet profesional imazhin dhe ngjyrat e shtetit tonë”, ka treguar Lumi.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Eksperimental “Man.In.Fest” do të mbahet prej 23 deri 25 maj të 2014-s. Në “Dilerët” luajnë aktorët: Bujar Ahmeti, Ermal Sadiku, Faris Berisha dhe Shaban Behramaj.

Shfaqja “Dilerët” e Teatrit Laborator “Loja”, do të jepet në natën përmbyllëse të festivalit, më 25 maj, në orën 22:00, në Sheshin “Mihai Viteazu”, në Cluj - Napoca.

Ky është edicioni i gjashtë i festivalit “Man.In.Fest”, që ka karakter eksperimental, i cili, përmes paraqitjes së shfaqjeve dhe të performancave teatrore në ambiente të hapura, si në rrugë, bulevarde e sheshe, ka për qëllim shkëmbimin e ideve dhe të përvojave të ndryshme krijuese inovative në fushën e teatrit, mbështetjen e nismave kreative eksperimentale, promovimin e fytyrave të reja të aktorëve, nxitjen e diversitetit artistik – profesional, si dhe nxitjen dhe mbështetjen e bashkëpunimit artistik e kulturor ndërkombëtar. Në festival marrin pjesë edhe vendet e tjera, si: Anglia, Austria, Danimarka, Gjermania, Holanda, Polonia, Rumania dhe Spanja.

Premiera e shfaqjes “Dilerët” është dhënë më 6 qershor të vitit 2013.

Publikuar: 21.05.2014 | 12:01
Lexuar: 888 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime