E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Pjesë e delegacionit që viziton Shqipërinë është Maxim Minchev, Drejtori i Agjencisë Bullgare të Lajmeve BTA, Ljupco Jakimovski, Drejtor i Agjencisë së Lajmeve të Maqedonisë, MIA, dhe zv/drejtori i MIA, Halit Ajdini.
Drejtuesit e MIA-s dhe BTA-së, vizitë për njohjen dhe promovimin e bregdetit shqiptar
Harilla Koci

Me ftesën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica, zhvilluan një vizitë në Shqipëri, drejtues të dy agjencive ballkanike të lajmeve, MIA-s dhe BTA-s.

Nisma e Drejtorit të Përgjithshëm të ATSH-së synon njohjen dhe promovimin e resurseve turistike shqiptare tek vendet e rajonit tonë, që mund të bëhet fare mirë nëpërmjet informimit që agjencitë e lajmeve japin për publikun e gjerë.

Pjesë e delegacionit që viziton Shqipërinë është Maxim Minchev, Drejtori i Agjencisë Bullgare të Lajmeve BTA, Ljupco Jakimovski, Drejtor i Agjencisë së Lajmeve të Maqedonisë, MIA, dhe zv/drejtori i MIA, Halit Ajdini.

Ditën e premte drejtuesit e dy agjencive të vendeve fqinje u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i ATSH-së, Gëzim Podgorica. Më pas nisi turi i njohjes me resurset turistike të vendit, në fillim në Durrës e më pas drejt bregdetit jonian.

Drejtuesit e BTA-së dhe MIA-s kanë shprehur konsiderata për bregdetin shqiptar, ndërkohë që kanë bërë të ditur se në agjencitë ku ata drejtojnë do të ketë një seri shkrimesh mbi këto resurse në mënyrë që t’i shërbehet publikut për të pasur informacion sa më të plotë dhe të detajuar mbi mundësitë që ofron Shqipëria.

Vlora

Ditën e shtunë, drejtuesit e agjencive rajonale të lajmeve, përkatësisht Maxim Minchev, drejtor i Agjencisë Bullgare të Lajmeve BTA, Ljupco Jakimovski, drejtor i Agjencisë së Lajmeve të Maqedonisë, MIA, zv.drejtori i kësaj agjencie, Halit Ajdini, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica, zhvilluan një takim me Prefekten e Qarkut të Vlorës, Etjona Hoxha, në kuadrin e një turi vizitash në zonën bregdetare në jug të Shqipërisë, pjesë e një marrëveshjeje bashkëpunimi që ka si synim promovimin e resurseve turistike në vendet respektive.

Në takimin me Prefekten Hoxha, u evidentuan kapacitetet dhe standardet turistike që ofron qyteti dhe në tërësi qarku, përpjekjet që po bëhen nga strukturat zyrtare për ta modernizuar këtë sektor, me synimin që ai të bëhet konkurrues në rajon.
Drejtuesit e MIA-s dhe BTA-së, vizitë për njohjen dhe promovimin e bregdetit shqiptar


Sipas zonjës Hoxha, turizmi është vlerësuar nga Qeveria si një ndër sektorët me më shumë ndikim në zhvillimin e pritshëm, cilësor dhe sasior të ekonomisë shqiptare, për periudhën 4-vjeçare.

Në këtë kontekst, theksoi ajo, po punohet për hartimin e ligjit të ri për turizmin, për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2014-2020, për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, liçensimin, standardizimin, çertifikimin e shërbimeve turistike, luftën kundër informalitetit.

“Një nga drejtimet bazë është ndërtimi i regjistrit elektronik të operatorëve turistikë, që do të shërbejë edhe si një data base për hartimin e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm”, u shpreh prefektja Hoxha.

“Pjesë e këtyre përpjekjeve është edhe Draftstrategjia e Zhvillimit të Turizmit për periudhën 2014-2020, e cila synon që Shqipëria të shndërrohet në një destinacion turistik rajonal”, theksoi më tej ajo, ndërkohë që shtoi se, në fund të periudhës në fjalë, synohet të konkretizohen 30 destinacione në të gjithë vendin, respektivisht nga 10 në tre drejtime bazë në turizmin natyror, kulturor e bregdetar. Kjo, do të hedhë bazat për një turizëm të zhvilluar dhe konkurrues, krahasuar me vende të tjera të rajonit dhe më gjerë.

Në takim u theksua se një profil i tillë modern i turizmit, do të shoqërohet nga ana tjetër edhe me efekte të spikatura në treguesit e zhvillimit ekonomik të vendit, ku përfshihet edhe rritja e kapaciteteve të punësimit. Strategjia e ndjekur deri tani në këtë sektor në shkallë vendi, nuk ka qenë efektive, për shkak të mangësive në konceptim dhe implementim. Kjo, është reflektuar edhe në një drejtim të tillë, sikundër është promovimi i resurseve turistike në botë. Deri vitin e kaluar, është promovuar Shqipëria me resurset e saj turistike, por jo, produkti i saj turistik.

Pjesë e rëndësishme e këtij vizioni për turizmin është Qarku dhe Bashkia e Vlorës. Në shkallë qarku funksionojnë rreth 150 struktura turistike, hotelerike të kohës, të cilat kanë kapacitete të konsiderueshme akomodimi dhe shërbimi. Në takim u evidentua se , turizmi nuk përfaqësohet vetëm nga ai i bregdetit, por nga një rajon shumë më i gjerë, që shtrihet në thellësi të territorit dhe që sipas këndvështrimit bashkëkohor, shkon deri në 50 km distancë nga vija bregdetare.

Përpjekjet që janë bërë, janë reflektuar edhe në shtimin e numrit të turistëve të huaj, ku vende të tilla si Maqedonia, konsiderohen si bazë për këtë fluks. Mijëra turistë nga Maqedonia kanë zgjedhur bregdetin e Vlorës për të kaluar pushimet, ndërkohë që ka ende mjaft kapacitete të pashfrytëzuara.
Drejtuesit e MIA-s dhe BTA-së, vizitë për njohjen dhe promovimin e bregdetit shqiptar

Gjeografia e turistëve të huaj mund të zgjerohet më tej dhe në këtë drejtim, Bullgaria, vlerësohet si një mundësi. Prandaj dhe do të synohet që, promovimi i turizmit të orientohet më tej drejt këtyre vendeve, çka mund të realizohet mjaft mirë nga agjenci të njohura, si BTA e MIA, me hapësirat e tyre.

Miqtë nga Bullgaria e Maqedonia, respektivisht zotërinjtë Maxim Minchev, Ljupco Jakimovski e Halit Ajdini, vlerësuan përpjekjet që po bëhen në këtë drejtim, ndërkohë që evidentuan përparimin e dukshëm të Shqipërisë. Ata e vunë theksin tek domosdoshmëria e një standardi në rritje e të pranueshëm në ofertën turistike, çka kushtëzohet edhe nga konkurrenca me vende të tjera të zhvilluara në këtë drejtim në rajon, si Kroacia, Mali i Zi, Greqia etj.

Brenda këtij konteksti, ata shtruan nevojën e përmirësimit të infrastrukturës rrugore, si dhe u ndalën tek roli që luajnë rendi e qetësia publike në thithjen e turistëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ATSH, Gëzim Podgorica, theksoi se marrëveshja mes kësaj agjencie dhe atyre të Bullgarisë e Maqedonisë, respektivisht BTA e MIA, synon promovimin e resurseve turistike, ku aktualisht Shqipëria është në fokusin kryesor.

Në këtë drejtim, ai veçoi se, hapësira mediatike e promovuese që ofrojnë dy agjencitë simotra, bullgare e maqedonase, është një mundësi e shkëlqyer për të synuar zgjerimin e tregut turistik drejt këtyre vendeve dhe shtimin e numrit të turistëve prej tyre, por jo vetëm.

Sarandë

Grupi i drejtuesve të BTA-së dhe MIA-s më pas gjatë ditës së sotme u zhvendosën në qytetin e Sarandës. Delegacionit u është rezervuar një pritje e veçantë nga kryetari i bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, i cili ka njohur krerët e agjencive me mundësitë që ofron Saranda dhe kapacitetet e resurseve turistike.
Drejtuesit e MIA-s dhe BTA-së, vizitë për njohjen dhe promovimin e bregdetit shqiptar

Kryebashkiaku Çipa theksoi se Saranda, tashmë gjithnjë e më shumë po pëlqehet nga turistët e huaj, kryesisht ballkanikë, por jo vetëm, pasi po vijnë pushues edhe nga Europa veriore. Zoti Çipa theksoi se vetëm këtë vit kanë prenotuar për të pushuar në Sarandë rreth 5 mijë turistë nga Suedia, gjë që është një tregues se akulli tashmë është thyer dhe kjo rrugë është e hapur.

Kreu i bashkisë së Sarandës deklaroi se Saranda është një vend i preferuar për pushuesit nga Maqedonia dhe ka ftuar edhe publikun nga Bullgaia që ta vizitojë Sarandën, pasi aty do të gjejë mikpritje dhe kushte optimale.

Drejtori i BTA-së, Maxim Minchev theksoi se ishte i impresionuar nga bukuritë natyrore të bregdetit shqiptar dhe shprehu një vlerësim pozitiv për resurset e kapacitetet turistike të kësaj zone. Ndërkaq, drejtori i MIA-s, Ljupco Jakimovski, tha se përveç bukurive natyrore një gjë pozitive ishte dhe ushqimi dhe gatimi nga sitet e hotelerisë dhe restauracionit që ofron bregdeti shqiptar.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike shqiptare, Gëzim Podgorica, theksoi se agjencitë tona të lajmeve duhet të japin sa më shumë informacion mbi turizmin dhe resurset që ofrojnë vendet tona, në mënyrë që publiku të jetë sa më i informuar mbi mundësitë që ka për të pushuar dhe për të vizituar vendet tona.

Podgorica tha se bregdeti shqiptar ofron jo vetëm një bukuri natyrore por një shërbim cilësor, ushqim bio dhe çmime konkurruese.

Delegacioni vizitoi qytetin antik të Butrintit, një sit mjaft i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe resurs turistik i Shqipërisë, cili vizitohet nga një numër i madh grupe turistësh vendas e të huaj.
Drejtuesit e MIA-s dhe BTA-së, vizitë për njohjen dhe promovimin e bregdetit shqiptar
Drejtuesit e MIA-s dhe BTA-së, vizitë për njohjen dhe promovimin e bregdetit shqiptar

Publikuar: 10.06.2014 | 12:25
Lexuar: 1115 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime